Progres-Raporti i KE-së për Maqedoninë, me plot kritika
“Një vit jo i mirë për Maqedoninë në procesin e integrimeve evropiane. Edhe pse Maqedonia do ta ruaj rekomandimin për fillimin e negociatave me BE-në, raporti i Progresit i cili do të shpallet nesër nga komisioneri Fyle, pritet të jetë plot me kritika”.
Brukseli shpreh shqetësim serioz rreth situatës politike në vend. “Maqedonia nuk tregoi fare progres në përmbushjen e reformave kryesore në agjendën evropiane”, vlerësojnë nga Komisioni Evropian. Sipas tyre, një situatë e tillë do të jetë problematike që në vitet në vijim, vendi ta ruaj rekomandimin nëse nuk bën kthesë në procesin e reformave. Në qendër të kritikave në raportin e sivjetmë të progresit, sipas asaj që ALSAT siguroi nga burimet, është se
-Duhet të shmangen aktivitetet dhe deklaratat që mund të kenë ndikim negativ në marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore.
-Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në BE është në qorrsokak. Ekziston nevoja për zgjidhjen urgjente të çështjes së emrit, por kjo nuk duhet të jetë arsyetim për mungesën e reformave që janë në të mirë të qytetarëve.
-Disa sfida serioze akoma mbeten, ndërkaq në disa sfera ato janë akoma më të mëdha. Veçanërisht, për sa i përket thellimit të ndarjes së kulturës politike, shqetësime serioze në ndikimin politik në rritje ndaj institucioneve shtetërore dhe mediave, dhe situatën akoma më të brishtë ndëretnike.
Në qendër të kritikave të raportit që do të shpaloset nesër është edhe gjyqësori. Brukseli bën thirrje në pavarësimin e gjyqësorit në mënyrë që qytetarët të kenë besim në të, pasi siç vlerësojnë, në Maqedoni mbisundon qasje selektive në drejtësi, ndërsa vendimet gjyqësore kanë prapavijë politike. Shqetësim serioz, autoritetet evropiane shprehin edhe për lirinë e shprehjes dhe të mediave. “Është anormale që gazetarët të ndihen të kërcënuar nga persekutimi në momentin që shprehin të vërtetën”, vlerësojnë zyrtarët e lartë në Bruksel. Komisioni pritet të shprehë vërejtje më të ashpra këtë vit mbi politizimin dhe presionet politike ndaj mediave në vend. Shqetësuese mbeten edhe marrëdhëniet ndëretnike. Brukseli sërish rekomandon angazhimin e aktorëve politikë për ndërtimin e besimit mes bashkësive etnike. Çështje tjetër kritike mbeten edhe reformat në administratë, përkatësisht profesionalizmi, efikasiteti dhe çlirimi i administratës nga ndikimet politike. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit gjithashtu duhet të jetë në qendër të aktiviteteve të pushtetit në rrugën evropiane. Sigurisht, në qendër të kritikave do të jetë dialogu politik. Bashkimin Evropian vlerëson se bojkoti i parlamentit nuk është përgjigjja e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike si dhe dëmton imazhin e vendit në sytë e Evropës. Komisioni Evropian pritet t’i bëj thirrje vendit që të nxisë përpjekjet për zgjidhjen sa më shpejtë të çështjes së emrit. Në këtë prizëm, përfaqësuesja e ardhshme e lartë për politikë të jashtme Mogerini, një ditë më parë theksoi se zgjerimi i Unionit duhet të vazhdojë, ndërkohë që sugjeroi se çështje e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhet me vullnet politik. Edhe komisioneri Fyle inkurajoi mbrëmë vendet që të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim, pasi siç tha ai, zgjerimi i Unionit mbetet në agjendë.
“5 vitet e ardhshme do të jenë të rëndësishme me qëllim që të ruhet momentumi i zgjerimit, të sjellë më shumë siguri dhe stabilitet në fqinjësi, e cila më shumë se kurrë është objekt i imponimeve dhe presioneve të ndryshme. Ky raport është kontributi ynë jo vetëm në luftën kundër lodhjes nga zgjerimi, por edhe lodhjes nga reformat. Punohet në drejtim të asaj se si mund të përfshihen qeveritë, si të binden qytetarët që t’i ndjejnë dobitë nga procesi i zgjerimit, jo vetëm në fund të procesit por edhe gjatë procesit”, tha Shtefan Fyle, komisioner për zgjerim i BE-së.
Autoritet në Bruksel gjithashtu nuk e shikojnë si negative mos zgjerimin e Unionit në 5 vitet e ardhshme pasi siç thonë, asnjë nga vendet aspirante nuk ka treguar progresin e duhur për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane në këtë periudhë.