Njê aksion i gjerë policor u realizua mëngjesin e sotëm në Strugë e rrethinë, në të cilin për tregti me drogë dhe armë, u arrestuan 19 persona, ndërsa tre të tjerë janë në kërkim, përcjell KlanM.

Për aksionin ka reaguar aktivisti nga Struga dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni, Bekim Qoku. Sipas tij, është për t’u shqetësuar shtrirja e madhe e krimit, drogës dhe korrupsionit në njê qytet të vogël si Struga.

Struga, që sipas Qokut, dikur ka qenë pararoja e kulturës së shqiptarëve në vend, sot është degraduar, ndërsa përgjegjësinë ia mvesh edhe kreut të Komunës së Strugës. Siç thotë Qoku, i pari i komunës bashkë me familjen akuzohen nga DASH-i për korrupsion dhe krim të organizuar, duke shtuar se, sipas tij, kryetari i komunës është kryekapoja i krimit të organizuar, përcjell KlanM.

“Në qytetin e vogël pitoresk të Strugës me 30 mijë banorë janë arrestuar 19 persona për krim të organizuar, tregtim mjetesh narkotike dhe korrupsion, kurse tre të tjerë janë në kërkim.
Imagjinoni vetëm shtrirjen kaq të madhe të krimit, drogës, korrupsionit, imoralitetit në një qytet kaq vogël, të lënë tërësisht pas dore, e të pazhvilluar ekonomikisht si Struga! E si mund të ishte ky qytet ku i pari i tij, drejtuesi i tij, autoriteti më i lartë i tij, kryetari i Komunës së Strugës është personi që, bashkë me familjen e tij të ngushtë, akuzohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion madhor dhe krim të organizuar. Nuk ka se si të jetë ndryshe, që ky duhet të jetë kryekapoja i gjithë këtij krimi të organizar. Sepse s’ka si të zhvillohet i gjithë ky aktivitet pa dijeninë e pjesëmarrjen aktive të tij dhe rrethit të tij të ngushtë. Imagjinoni po ashtu, ju lutem, që e gjithë ajo drogë u shpërndahet të rinjve struganë, nxënësve, adoleshentëve, fëmijëve prindërit e të cilëve e gëlltisin këtë dukuri pa bërë asnjë zë! Imagjinoni degradimin e qytetit të Strugës dhe qytetarëve të tij, të cilët në një kohë konsideroheshin pararoja e kulturës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Bekim Qoku.