Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot paradite familjen e Azem Hajdarit me rastin e 12-vjetorit të ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të njërës prej figurave më të shquara të vendosjes së pluralizmit politik dhe rilindjes së demokracisë në Shqipëri.

Luigj Shkodrani-12 shtator 2010

Presidenti Topi, gjatë bisedës me zonjën Hajdari, fëmijët dhe të afërmit, përkujtoi me nderim e emocion të veçantë kontributin e vyer dhe të patjetërsueshëm të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore 1990-91 dhe njërit prej politikanëve më të spikatur të demokracisë shqiptare. Për vlerat e tij të pamohueshme historike dhe patriotike, Kreu i Shtetit shqiptar e ka nderuar Azem Hajdarin, pas vdekjes, me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dy vjet më parë.

Familjarët e heroit të demokracisë, pasi falenderuan Presidentin Topi për respektin dhe përkujtimin me nderim të të dashurit e tyre, ndanë së bashku disa prej kujtimeve më të veçanta e të paharrueshme të jetës, punës, veprimtarisë dhe miqësisë personale me Azem Hajdarin.

Në përfundim të vizitës përkujtimore, Presidenti Topi shprehu edhe njëherë vlerësimin për këtë figurë të papërsëritshme të historisë së demokracisë shqiptare nëpërmjet një prononcimi për mediat e pranishme: “Vijmë si çdo vit për të respektuar figurën e Azem Hajdarit. Natyrisht sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë e vlerësojmë figurën e Azem Hajdarit. Një njeri me një shpirt të lirë, një demokrat i lindur, një njeri shumë luajal në politikë, me kolegët e tij, por edhe një njeri antikomformist që do të thotë që zëri i tij, ishte zëri i një demokrati të vërtetë.

Kështu që figura e tij, me kalimin e viteve, jam i bindur që gjithmonë do të vijë duke u ridimensionuar në kuptimin e zmadhimit real të figurës së tij. Edhe njëherë sot, shpreh edhe para medias, konsideratën e lartë që kam pasur për të përsa kohë kemi bashkëpunuar.”

 Marre nga faqja e Presidentit