DOKUMENT PROGRAMOR-LËVIZJA PËR BASHKIM-Këshilli i Përgjithshëm

Prishtinë, 28.8.2010

PËRMBAJTJA

PËRMBLEDHJE 3

HYRJE 4

I. HISTORIKU DHE PROBLEMI 5

I.1. Historiku i problemit 5

I.2. Problemi 5

I.2.1. Çështja e parë: Mitrovica 6

I.2.2. Çështja e dytë: veriu i Kosovës 6

I.2.3. Çështja e tretë: Kosova Lindore 7

II. MOSZGJIDHJA E PROBLEMIT 8

II.1. Pengesa “të pakapërcyeshme” 8

II.1.1. Pandryshueshmëria e kufijve si parim ndërkombëtar 9

II.1.2. Rreziku i hapjes së çështjes dhe “Kutia e Pandorës” 9

II.1.3. Pasuritë nëntokësore dhe liqeni i Ujmanit 10

III. ”ZGJIDHJET” QË NUK PARAQESIN ZGJIDHJE 11

III.1. Ruajtja e gjendjes së tanishme 11

III.2. Parimi i ruajtjes së integritetit territorial 11

III.3. Parimi historik në zgjidhjen e çështjeve kombëtare 11

III.4. Shkëmbimi i territoreve 12

IV. ZGJIDHJA E ÇËSHTJES 13

IV.1. Vetëvendosja e kombeve – zgjidhja më e mirë 13

IV.2. Parimi i reciprocitetit – etapë deri në vetëvendosje 13

IV.3. Mitrovica kërkon zgjidhje të veçantë 13

PËRFUNDIM 15

PËRMBLEDHJE

• Pavarësia e Kosovës nuk i dha fund konfliktit të gjatë shqiptaro-serb. Shpallja e pavarësisë në kufijtë e Kosovës të vitit 1974 i mbarsi këto raporte me rreziqe të reja. Çështja e pazgjidhur shqiptare në Kosovën Lindore, aktualisht e mbetur nën Serbi, çështja e veriut të Kosovës dhe çështja e ndarjes së Mitrovicës kanë mbetur si çështje të pazgjidhura në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe paraqesin një konflikt të ngrirë, por me një potencial të frikshëm për shndërrimin e tij, në rrethana të caktuara ndërkombëtare, në një konflikt të ri të armatosur.

• Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë akoma nuk i janë rrekur çështjes së pazgjidhur shqiptaro-serbe me seriozitetin e duhur. Zgjidhjet e tyre të njëanshme dhe të pjesshme (Serbia – ndarje e Kosovës, Kosova – ruajtje e integritetit territorial) vetëm sa e tensionojnë gjendjen dhe e bëjnë të domosdoshme praninë e faktorëve ndërkombëtarë dhe protektoratin mbi Kosovën.

• Pa zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe çështjes së Kosovës Lindore, Kosova jo vetëm që do të jetë me një stabilitet të brishtë politik dhe e kërcënuar në vazhdimësi, por do të mbetet me probleme të theksuara ekonomike e sociale, pasojat e së cilave do t’i vuajnë vetë qytetarët e saj.

• Zgjidhja përfundimtare e këtyre çështjeve është zbatimi i përpiktë i së drejtës së kombeve për vetëvendosje.

• Për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet Kosova, parimi i së drejtës së kombeve për vetëvendosje është ende larg zbatimit. Në këtë situatë, zbatimi i të drejtave në mënyrë reciproke si për Leposaviqin, Zveçanin e Zubin Potokun, ashtu edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjen do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së problemit.

• Pjesa e qytetit të Mitrovicës e mbetur aktualisht nën administrimin e serbëve është rast tipik i spastrimit etnik. Hapi i parë që duhet të bëhet për zgjidhjen e kësaj çështjeje është kthimi i shqiptarëve në pronat e veta.

• Zbatimi i parimit të reciprocitetit dhe kthimi i shqiptarëve e i të gjithë të shpërngulurve në pronat e veta do t’ia hapte dyert realizimit të plotë të vetëvendosjes për të dyja palët. Kjo do të çonte në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të gjatë shqiptaro-serb.

HYRJE

Pothuajse gjithmonë ikja nga problemi paraqet një problem më vete, i cili pa nevojë harxhon shumë energji. Injorimi i problemit nuk mund të sjellë zgjidhjen e tij, por vetëm shtyrjen e së pashmangshmes – ballafaqimit me të. Në këtë rast shtyrja nuk mund të konsiderohet domosdo si fitore në vetvete. Të paktën jo në rastin tonë. Pra, ky konstatim teorik përputhet në mënyrë të përsosur me situatën praktike me të cilën po përballet sot Kosova: me shmangien që po përpiqet t’ia bëjë qeveria e saj një problemi të pashmangshëm për ballafaqim – problemit shqiptaro-serb.

Lëvizja për Bashkim, duke e hetuar këtë të metë dramatike të udhëheqjes me Kosovën dhe pasojat që do të rrjedhin prej saj, është angazhuar fuqishëm për të siguruar një ndërhyrje sa më efektive në proceset rreth kësaj çështjeje. Në kuadër të këtij angazhimi, deri më sot kemi përdorur forma të ndryshme për ngritjen, së pari, si çështje ekzistuese me të cilën duhet të merremi, e pastaj edhe duke paraqitur ide për zgjidhjen e saj. Mirëpo, duke e konsideruar këtë angazhim të pamjaftueshëm dhe në të njëjtën kohë veprimin të domosdoshëm, të gjitha konstatimet dhe idetë për zgjidhjen e kësaj çështjeje që i kemi trajtuar deri sot i kemi sublimuar në një dokument politik me titull “Platforma politike për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe”.

Kjo platformë është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të sigurojë një vijë të rrjedhshme të përshkrimeve, konstatimeve dhe zgjidhjeve për situatën. Fillon me Përmbledhjen, e cila ngërthen në vete konceptin bërthamë të Platformës. Pastaj vazhdon me kapitullin e parë: “Historiku dhe problemi”. Këtu jepet një përshkrim i shkurtër historik i problemit në funksion të krijimit të një tabloje më të plotë për të. Në të njëjtin kapitull bëhet edhe konstatimi dhe zbërthimi i problemit shqiptaro-serb. Kapitulli i radhës, “Moszgjidhja e problemit” merret me pasojat e kësaj moszgjidhjeje dhe “pengesat” përmes të cilave përgjegjësit për këtë moszgjidhje mundohen ta amnistojnë vetveten. Mungesa e përpjekjeve reale për zgjidhjen e problemit, nga faktorë të ndryshëm mundohet të kamuflohet përmes “zgjidhjeve” të ndryshme që këta ofrojnë. Kjo çështje trajtohet në kapitullin “”Zgjidhjet” që nuk paraqesin zgjidhje”. Pas elaborimit të këtyre çështjeve në masën e mjaftueshme për natyrën e dokumentit, në kapitullin “Zgjidhja e çështjes” shprehen pikëpamjet e Lëvizjes për Bashkim lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, ku trajtohen veç e veç të tri pjesët e problemit. Në përfundim të dokumentit, nën titullin “Përfundim” theksi vendoset tek rëndësia e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe të mirat që i sjell kjo zgjidhje. Në përputhje me këtë, iu bëhet thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha subjekteve politike shqiptare që të merren më seriozisht me këtë situatë.

Misioni i kësaj Platforme është që, duke qenë dokument i shkruar, alternativën e Lëvizjes për Bashkim për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb ta bëjë sa më të pranishme në opinion dhe sa më të qartë për të. Ky dokument, në formë të përpunuar në mënyrë adekuate me destinacionin, do t’iu dërgohet edhe institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Mirëpo kjo nuk do të thotë që në këtë mënyrë ky dokument do ta konsumojë vetveten. Platforma do të jetë një referencë e vazhdueshme dhe bazë në të cilën do të mbështeten të gjitha veprimet tona si subjekt, lidhur me këtë çështje në të ardhmen.

I. HISTORIKU DHE PROBLEMI

I.1. Historiku i problemit

Marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve në qindvjeçarin e fundit nuk kanë qenë asnjëherë të mira.

Pas lindjes së shtetit serb (1878), luftën për çlirim nga zgjedha turke dhe për formimin e shtetit të vet kombëtar Serbia e shndërroi në luftë pushtuese për zgjerimin e shtetit të sapoformuar.

Në anën jugore zgjerimi preku tokat shqiptare dhe aneksoi një pjesë të madhe të tyre.

Ky pushtim u njoh nga Fuqitë e Mëdha të kohës më 1913 dhe që atëherë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare është në luftë për çlirimin e tokave të tij nga pushtuesi serb.

Pas kësaj pushtuesi serb bëri çmos që popullatën autoktone shqiptare ose ta asimilojë, ose ta shpërngulë nga hapësirat e pushtuara. Në anën tjetër, populli shqiptar përpiqej t’iu rezistonte në çdo mënyrë këtyre synimeve shkombëtarizuese të shovinistëve serbë.

Lufta e Dytë Botërore ishte një rast i mirë për zgjidhjen e plotë të çështjeve kombëtare, pra edhe të asaj shqiptare dhe për përmirësimin e plotë të këtyre marrëdhënieve kur popujt e Ballkanit u rreshtuan krah për krah njëri-tjetrit në luftën antifashiste. Populli shqiptar shpresoi shumë, ashtu siç u proklamua, që pas kësaj lufte do të respektohet vullneti i tij për vetëvendosje. Madje ai e shprehu këtë vullnet edhe botërisht në Konferencën e Bujanit më 1943-44.

Mirëpo pas Luftës së Dytë Botërore gjendja erdhi duke u ndërlikuar edhe më tepër. Trojet shqiptare të mbetura nën Jugosllavi, për t’u nënshtruar më lehtë u copëtuan nga tri republika të ish-Jugosllavisë – nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Lufta e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-99) paraqet një kapitull tjetër të përpjekjeve të popullit shqiptar për t’u çliruar nga zgjedha serbe. Ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë nën udhëheqjen e NATO-s i dha fund luftës, duke e futur Kosovën nën protektorat ndërkombëtar, i cili rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.

I.2. Problemi

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe shkëputja përfundimtare e saj nga Serbia paraqet një raport të ri në marrëdhëniet e vjetra konfliktuoze në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Politika ekspansioniste e Serbisë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve shqiptaro-serbe ka qenë pengesa e vetme e zhvillimit normal të raporteve fqinjësore në mes të dy popujve. Kjo politikë nuk ka pushuar as sot e kësaj dite dhe rrjedhimisht këto raporte akoma vazhdojnë të jenë të acaruara. Pavarësia e Kosovës vërtet do të duhej të paraqiste fundin e marrëdhënieve konfliktuoze të shqiptarëve dhe serbëve. Por kjo pavarësi la prapa vetes akoma çështje të pazgjidhura në këto raporte dhe këto çështje vazhdojnë të jenë pengesa jo vetëm të marrëdhënieve në mes të dy popujve, por edhe të zhvillimeve normale politike, ekonomike, sociale e kulturore të të dy vendeve. Dhe kjo po ndodh për shkak se pavarësia e Kosovës nuk erdhi as si rezultat i një lufte të çuar deri në fund, që do t’i sqaronte këto raporte, as si rezultat i ndonjë marrëveshjeje të të dy popujve.

Për shqiptarët moszgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe ka pasoja më të rënda sesa për Serbinë apo për marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare. Mitrovica, Veriu i Kosovës dhe Kosova Lindore janë këto tri çështje të një konflikti të ngrirë që paraqesin problem në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht në mes të Kosovës dhe Serbisë, e të cilat Kosovës dhe shqiptarëve u janë bërë pengesë e madhe në zhvillimet politike, ekonomike, sociale e në ato integruese si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Si pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre çështjeve të pazgjidhura, Kosova dhe shqiptarët, edhe pse me pavarësi formale, janë pa sovranitet mbi territorin ku jetojnë, pa të drejtë vetëvendosjeje (shih ndalesat e Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës!), pa zhvillim normal ekonomik e social, e sidomos në rrezik të vazhdueshëm për tkurrjen e territorit të tyre për shkak se që të tri rajonet kontestuese i kontrollon Serbia dhe ajo po e vazhdon politikën e spastrimit etnik të këtyre hapësirave. Prandaj duhet të jenë shqiptarët ata që do të duhej të insistonin dhe të bënin presion të vazhdueshëm për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

I.2.1. Çështja e parë: Mitrovica

Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe shtatë fshatra shqiptare të mbetura nën tri komunat veriore me shumicë serbe (tri fshatra në komunën e Leposaviqit, tri në komunën e Zveçanit dhe një në komunën e Zubin Potokut), si pasojë e politikës ekspansioniste serbe, si pasojë e politikës së ndjekur nga ndërkombëtarët si ndaj Kosovës në përgjithësi, ashtu edhe ndaj Mitrovicës në veçanti, si dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e mosveprimit njëmbëdhjetëvjeçar të institucioneve të Kosovës dhe politikës shqiptare në përgjithësi, – pra, veriu i Mitrovicës dhe shtatë fshatra shqiptare në veri vazhdojnë të mbeten të sunduara nga institucionet e kontrolluara nga Serbia.

Në përfundim të luftës së fundit, më 1999, forcat serbe u fortifikuan në Urën e Ibrit dhe e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, duke e shndërruar këtë urë në simbol të ndarjes, megjithëse shqiptarët në atë pjesë të qytetit janë akoma shumicë po të lejohet kthimi i tyre në pronat e veta.

Që nga ajo kohë dhuna dhe presioni serb mbi shqiptarët për t’i dëbuar nga kjo pjesë e qytetit ka qenë e pandërprerë. E gjithë kjo është përcjellë me miratimin e heshtur të forcave ndërkombëtare dhe me qëndrimin duarkryq të institucioneve të Kosovës. Veçanërisht i rëndë për shqiptarët ka qenë viti 2000 kur mbi 13.000 shqiptarë me dhunë e terror u dëbuan nga shtëpitë e pronat e veta dhe u deportuan në pjesën jugore të qytetit, duke i lënë vatrat e tyre stërgjyshore nën sundimin serb.

I.2.2. Çështja e dytë: veriu i Kosovës

I ashtuquajturi veri i Kosovës përfshin tri komuna me shumicë serbe: Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Problemi i veriut të Kosovës është krijuar nga ana e kolonializmit serb pas Luftës së Dytë Botërore, kur ky territor iu bashkëngjit Kosovës. Dy qëllime i ka ndjekur Serbia në këtë rast: një, me anë të bashkëngjitjes së territoreve të banuara me serbë ta ndryshojë përbërjen kombëtare në Kosovë, dhe dy, që t’iu afrohet dhe me anë të elementit serb t’i kontrollojë pasuritë e mëdha natyrore të Mitrovicës dhe rajonit përreth.

Sipas versionit serb, në çështjen e veriut të Kosovës hyn edhe veriu i Mitrovicës dhe shtatë fshatra shqiptare në veri, megjithëse këto janë çështje krejtësisht të ndryshme. Në veriun e Mitrovicës, po të lejohen të kthehen shqiptarët në pronat e veta, popullatë shumicë janë akoma shqiptarët. Kurse shtatë fshatra shqiptare të mbetura nën sundimin e institucioneve të kontrolluara nga Serbia, megjithëse u janë bashkëngjitur pa vullnetin e tyre qytezave me shumicë serbe, kanë vazhdimësi territoriale me trungun e vet etnik dhe me zbatimin e parimit të së drejtës për vetëvendosje, ato do t’i takonin Kosovës, respektivisht Shqipërisë.

Përmes këtij mjegullimi shovinistët serbë përpiqen ta legjitimojnë spastrimin e kryer etnik mbi shqiptarët, duke u përpjekur ta paraqesin edhe veriun e Mitrovicës dhe shtatë fshatra shqiptare si territor me shumicë serbe dhe duke e fshehur të vërtetën mbi ndryshimin me dhunë të strukturës kombëtare të popullsisë atje.

Aktualisht ky territor i takon Kosovës, edhe pse nuk kontrollohet nga institucionet e saj. Realisht ai sundohet nga serbët lokalë, por kontrollohet dhe udhëhiqet nga Serbia.

I.2.3. Çështja e tretë: Kosova Lindore

Kosova Lindore, që i përfshin tri komuna në jug të Republikës së Serbisë, është territor i banuar historikisht dhe aktualisht nga shqiptarët, por i cili është i pushtuar nga Serbia.

Presheva, Bujanoci e Medvegja – Kosova Lindore është problem po ashtu i krijuar nga ana e kolonializmit serb dhe si i tillë, territor me popullsi shqiptare dhe i shkëputur administrativisht nga Kosova, është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Duke ia aneksuar Serbisë këtë territor të banuar me shumicë dërrmuese shqiptare, pushtuesi serb ka pasur për qëllim që nga njëra anë ta zvogëlojë numrin e banorëve dhe territorin me përbërje kombëtare homogjene dhe nga ana tjetër, duke e copëtuar kombin në sa më shumë njësi administrative, ta dobësojë unitetin e tij. Ndërsa nga aspekti gjeostrategjik, shfrytëzimi i pozitës së volitshme gjeografike të Luginës së Preshevës si korridor për dalje në detin Mesdhe do t’i krijonte Serbisë favore të mëdha në skenën politike rajonale.

Aktualisht këto tri komuna shqiptare gjenden nën pushtim klasik dhe pushtuesi po i bën të gjitha përpjekjet që kjo çështje të heshtet e të mos shtrohet si çështje që kërkon zgjidhje dhe në të njëjtën kohë, duke ua bërë jetën të padurueshme, t’i shpërngulë shqiptarët nga këto hapësira.

II. MOSZGJIDHJA E PROBLEMIT

Vazhdimi i kësaj gjendjeje për Kosovën dhe popullin shqiptar do të ketë pasoja shumë të rënda. Derisa veriu i Kosovës vazhdon të mbetet juridikisht nën Kosovë dhe realisht nën kontrollin serb, Kosova as nuk do të mund të vendosë ndonjë kufi të ri, as ta kontrollojë të vjetrin. Përveç pasojave politike e të sigurisë, mungesa e kontrollit të kufirit ka edhe pasoja të rënda ekonomike për Kosovën. Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth po vazhdon spastrimi etnik i shqiptarëve duke i shpronësuar shqiptarët nga pronat e veta sipas planit serb për përvetësimin e kësaj pjese. Po vazhdoi kështu, në një të ardhme të afërt do të rrezikohen seriozisht për t’u humbur edhe këto territore. Në anën tjetër, edhe në Kosovën Lindore spastrimi etnik është duke vazhduar dhe situata është veçanërisht shqetësuese në Medvegjë e Bujanoc.

* * *

Në këtë situatë institucionet e Kosovës zgjidhjes së problemit i rreken vetëm pjesërisht. Ato si qëllim të vetëm kanë mbajtjen e tri komunave të veriut brenda kufijve të Kosovës. Ndërkohë që nuk e shtrojnë fare si problem çështjen e tri komunave me shqiptarë që kanë mbetur nën Serbi. Këto institucione jo vetëm që nuk duhet të ngulmojnë në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, por përkundrazi, duhet të ngulmojnë në ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse kufijtë aktualë janë të padrejtë dhe e dëmtojnë rëndë më së shumti interesin kombëtar të popullit shqiptar, por dhe të atij serb. Duke pasur parasysh se, në njërën anë, qëllimi i Serbisë nuk është integrimi i shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe respektimi i të drejtave të tyre, por spastrimi etnik i territoreve të banuara nga ta, e, në anën tjetër, përderisa serbët e tri komunave të veriut të Kosovës nuk dëshirojnë të integrohen në kuadër të shtetit të Kosovës, qëndrimi i qeverisë së Kosovës për ruajtjen me çdo kusht të integritetit territorial nuk është rrugëzgjidhje e problemit. Përkundrazi, një qëndrim i tillë i dëmton rëndë interesat kombëtare shqiptare.

II.1. Pengesa “të pakapërcyeshme”

Ata që nuk janë të interesuar ta zgjidhin çështjen shqiptaro-serbe dhe as çështjen shqiptare në përgjithësi, ata që kanë interesa nga situata e tashme dhe nga vazhdimi i saj, përherë nxjerrin pengesa “të pakapërcyeshme” për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Në vazhdim do t’i shohim disa nga këto “pengesa”.

II.1.1. Pandryshueshmëria e kufijve si parim ndërkombëtar

“Pengesën” e parë për zgjidhjen përfundimtare të marrëdhënieve konfliktuoze shqiptaro-serbe e paraqesin ata që thirren në parimin e ruajtjes së integritetit territorial si një ndër parimet e rëndësishme në raportet ndërshtetërore. Ata thirren zakonisht në Aktin Final të Helsinkit për ruajtjen e kufijve ekzistues dhe mosndryshimin e tyre me dhunë, ose në Parimet e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e çështje së Kosovës.

Lëvizja për Bashkim konsideron se dokumentet ndërkombëtare nuk paraqesin pengesë reale për zgjidhjen e drejtë të problemit. Këtu duhet pasur parasysh faktin se që nga koha e miratimit të Aktit Final të Helsinkit shumë shtete kanë pësuar ndryshime në kufijtë e tyre shtetërorë dhe pothuajse në të gjitha rastet shkaktare ka qenë dhe mbetet moszgjidhja e drejtë e çështjeve kombëtare. Rasti më i freskët dhe më i njohur për ne i ndryshimit të kufijve është shkëputja e Kosovës nga Serbia, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë për ruajtjen e integritetit të saj territorial. Në anën tjetër, kur flitet për Parimet e Grupit të Kontaktit nuk duhet harruar se të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë vazhdimisht deklarojnë se çdo marrëveshje ndërmjet palëve në konflikt është e pranueshme edhe për ta. Parimi i pandryshueshmërisë së kufijve nuk ka si të jetë një pengesë e marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të tyre qindravjeçar. Marrëveshja shqiptaro-serbe rreth kufirit jo vetëm që nuk do ta cenonte të drejtën ndërkombëtare, por përkundrazi, do të ishte përmbushje e një prej kërkesave themelore të saj që mosmarrëveshjet ndërshtetërore të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Duke qenë se bazë e arsyetimit për dokumentet ndërkombëtare që janë kundër ndryshimit të kufijve është shmangia e dhunës, nuk është e logjikshme që për zgjidhjen e problemit me marrëveshje, të njëjtat të konsiderohen si pengesë. Nuk janë marrëveshjet midis shteteve ato që e shkaktojnë dhunën, por mosmarrëveshjet dhe zgjidhjet e padrejta.

II.1.2. Rreziku i hapjes së çështjes dhe “Kutia e Pandorës”

“Pengesë” tjetër për zgjidhjen e çështjes në fjalë vazhdimisht na paraqitet rreziku i efektit domino që do të kishte marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë rreth kufijve të tyre shtetërorë.

Së pari, asnjë çështje në botë nuk guxon dhe nuk duhet të mbetet peng i çështjeve të tjera të pazgjidhura.

Së dyti, i njëjti refren i rrezikut është përsëritur edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por zhvillimet politike pas shpalljes së saj i demantuan të gjithë ata që pretendonin se me shpalljen e pavarësisë “do të hapet Kutia e Pandorës”, “do të kemi efektin domino pothuajse në të gjithë Ballkanin dhe në shumë vende të botës” etj., etj.

Së treti, pa rregullimin dhe pranimin e ndërsjellë të kufijve as Kosova, as Serbia nuk do të qetësohen plotësisht dhe nuk do të mund t’i përfundojnë integrimet evropiane aq të proklamuara nga të dyja palët.

Së katërti, nëse do të arrihej që përmes marrëveshjes midis dy popujve të zgjidhet një problem i tillë, atëherë pse duhet të kemi frikë nga efekti domino?! Në këtë rast ky do të duhej të shërbente si shembull i mirë dhe të gjithë do të duhej t’i gëzoheshin një efekti të tillë ndikues.

Në fund, nuk ka asnjë kuptim që nga rreziku i prishjes së paqes së përkohshme të hiqet dorë nga zgjidhja e cila siguron paqen e përhershme.

II.1.3. Pasuritë nëntokësore dhe liqeni i Ujmanit

Një pjesë e atyre që e kundërshtojnë një marrëveshje shqiptaro-serbe rreth kufirit të tyre ose ripërcaktimin e këtij kufiri problematik thirren në humbjet që do t’i pësonte Kosova si në pasuritë nëntokësore, ashtu edhe për shkak se liqeni i Ujmanit si burim ekonomik i Kosovës do të mbeste nën Serbi! Kjo çështje duhet të shikohet nga shumë drejtime.

Së pari, sa u përket pasurive, të gjithë ekspertët e këtij lëmi e kanë konstatuar të kundërtën: vetëm rreth 7.6 % të pasurive minerare të kombinatit “Trepça” janë të përqendruara në territorin kontestues të veriut.

Së dyti, sa i përket liqenit të Ujmanit duhet theksuar se përderisa këtu po flitet për një marrëveshje, rrjedhimisht edhe liqeni i Ujmanit, edhe autostrada e Preshevës do të ishin pjesë e atyre bisedimeve dhe e marrëveshjes së supozuar. Gjithashtu duhet pasur parasysh ekzistimin e konventave ndërkombëtare rreth ujërave, të cilat na sigurojnë se nuk mund të na ndalohet shfrytëzimi i ujërave të Ibrit përderisa ai kalon nëpër territor të banuar me shqiptarë.

Së treti, dhe çka është më e rëndësishmja, paqja dhe siguria që do të sillte marrëveshja shqiptaro-serbe për ripërcaktimin e kufijve, si parakushte për zhvillim ekonomik e social të të dy vendeve, dhe zgjidhja e çështjes së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, si pjesë e pandashme e çështjes kombëtare shqiptare, do të sillnin shumë më shumë begati sesa pasuria e supozuar të cilën do ta “humbnim”.

III. “ZGJIDHJET” QË NUK PARAQESIN ZGJIDHJE

III.1. Ruajtja e gjendjes së tanishme

“Zgjidhja” e çështjes shqiptaro-serbe përmes ruajtjes dhe vazhdimit të gjendjes së tanishme paraqet zgjidhjen më të pafavorshme për Kosovën dhe popullin shqiptar. Në raportet aktuale shqiptaro-serbe dhe atyre ndërkombëtare në përgjithësi, Kosova do të vazhdojë të jetë një shtet jofunksional, i mbikëqyrur, i kufizuar dhe i kushtëzuar, domethënë pa sovranitetin e plotë të qytetarëve të saj mbi territorin ku jetojnë. Kosova dhe trungu etnik shqiptar në këtë situatë do të vazhdojnë të pësojnë ndryshime të dhunshme demografike si në Kosovën Lindore, ashtu edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth, ku Serbia është duke e vazhduar dëbimin e shqiptarëve dhe spastrimin etnik të këtyre territoreve.

III.2. Parimi i ruajtjes së integritetit territorial

Parimi i ruajtjes së integritetit territorial për vendet që nuk e kanë zgjidhur plotësisht çështjen kombëtare kthehet e bëhet pengesë e zhvillimit normal politik, ekonomik e social dhe pashmangshmërisht ky parim në rrethana të tilla çon (siç ka çuar vazhdimisht) në situata konfliktuoze dhe luftëra etnike.

Në rastin tonë, Kosova duke këmbëngulur në ruajtjen e integritetit territorial bën dy gabime njëherësh që i kushtojnë edhe me sovranitet të cunguar, edhe me ekonomi të pazhvilluar.

Së pari, ruajtja e integritetit territorial nënkupton mbajtjen e dhunshme të situatës në veri.

Së dyti, ruajtja e integritetit territorial nënkupton mbetjen e vazhdueshme të Kosovës Lindore nën pushtimin serb.

Si pasojë e situatës së parë, pra, gjendjes në veri, Kosovës i vijnë pengesat ndërkombëtare në ushtrimin e sovranitetit të saj si shtet i pavarur, rrjedhimisht edhe në procesin e natyrshëm të bashkimit kombëtar, si dhe pengesat në marrëdhëniet me shtetet tjera dhe në integrimet ndërkombëtare.

Si pasojë e situatës së dytë, si rezultat i politikës serbe të spastrimit etnik dhe injorimit nga ana e politikës zyrtare të Prishtinës e Tiranës, vendbanimet shqiptare do të zbrazen në heshtje të plotë dhe pa kurrfarë pengese.

III.3. Parimi historik në zgjidhjen e çështjeve kombëtare

Jo rrallë si “zgjidhje” përfundimtare e çështjes shqiptare dhe e marrëdhënieve me fqinjët na del në sipërfaqe parimi historik si zgjidhje e mosmarrëveshjeve ndërmjet kombeve e shteteve. Sipas këtij parimi zgjidhja e çështjeve kombëtare duhet të bëhet duke i kthyer situatat siç kanë qenë gjatë periudhave të mëparshme historike dhe mbi bazën e atëhershme demografike të bëhen zgjidhjet e sotme politike. Kështu, po u ndoq ky parim, historia në vend se të jetë “mësuese e jetës”, bëhet pengesë për zhvillimet e sotme. Po u zbatua ky parim konfliktet nëpër botë do të ishin të vazhdueshme për shkak të lëvizjeve (herë të dhunshme, herë për shkaqe ekonomike, e herë-herë edhe të vullnetshme) të popullsisë gjatë historisë.

III.4. Shkëmbimi i territoreve

Parim tjetër, aktualisht më i përfoluri, që na paraqitet si zgjidhje, e që në fakt nuk paraqet zgjidhje, është edhe shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky parim, derisa në qendër të vëmendjes i ka territoret dhe jo vullnetin e lirë të njerëzve, nuk mund të paraqesë zgjidhje të problemit; madje ai do të shkaktojë edhe komplikim të tij. Shumë shpesh ky parim në pazarllëk me territoret nënkupton edhe zhvendosje të popullsive, që është veprim antinjerëzor. Në rastin tonë, meqenëse ngjashmëria e problemit është e madhe në të dyja anët, si në veri të Kosovës (Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok), ashtu edhe në lindje të saj (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), shprehjen e njëkohshme të vullnetit dhe të së drejtës së këtyre popullsive e ngatërrojnë me parimin e shkëmbimit të territoreve.

IV. ZGJIDHJA E ÇËSHTJES

IV.1. Vetëvendosja e kombeve – zgjidhja më e mirë

Meqenëse si veriu i Kosovës, ashtu edhe Kosova Lindore janë pasoja të drejtpërdrejta të kolonializmit, zbatimi i së drejtës së vetëvendosjes së kombeve në të dyja rastet do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë për situatën e dhënë. Sa herë që ky parim i së drejtës ndërkombëtare është zbatuar në tërësinë e tij, gjithmonë ka sjellë paqe të qëndrueshme në rajonet përkatëse. Edhe në rastin tonë, pas zbatimit të këtij parimi pa dyshim që do të kemi ripërcaktim të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse dihet mirëfilli vullneti dhe e drejta e popullit shqiptar në Kosovën Lindore: vullneti dhe e drejta thonë se ai do t’i bashkëngjitej Kosovës. Kurse në anën tjetër, po ashtu dihet mirëfilli edhe vullneti dhe e drejta e popullatës serbe të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Vetëm pas zbatimit të plotë të parimit të vetëvendosjes në të dyja anët do të mund të prisnim një paqe të qëndrueshme.

Por aktualisht kundër kësaj zgjidhjeje janë edhe faktorët ndërkombëtarë, edhe shteti serb. Institucioneve të Kosovës dhe politikës shqiptare në përgjithësi iu mbetet një rrugë e ndërmjetme për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe ajo është angazhimi për zbatimin e reciprocitetit në mes të veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore, zgjidhje e cila pashmangshmërisht do të çonte në zgjidhjen përfundimtare: në vetëvendosjen e të dyja palëve dhe në ripërcaktim përfundimtar të kufijve.

IV.2. Parimi i reciprocitetit – etapë deri në vetëvendosje

Zbatimi i reciprocitetit në të drejta si për veriun e Kosovës, ashtu edhe për Kosovën Lindore, respektivisht të njëjtat të drejta që do t’i gëzojë popullata serbe në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, t’i gëzojë edhe popullata shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, – kjo do të paraqiste një zgjidhje të përkohshme, por shumë të dobishme të këtij problemi. Duke zbatuar të drejta të njëjta në të dyja anët pa dyshim se më së shumti do të fitonin banorët lokalë, por edhe marrëdhëniet ndërshtetërore do të shtendoseshin. Asnjëra anë nuk do të pretendonte për cungimin e të drejtave për shkak se e njëjta do të zbatohej edhe në anën tjetër. Të drejtat do të mund të shkonin që nga autonomia lokale territoriale deri te ndryshimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

IV.3. Mitrovica kërkon zgjidhje të veçantë

Në kuadër të zgjidhjes së përkohshme me anë të reciprocitetit pa dyshim që nuk duhet të përfshihet pjesa veriore e Mitrovicës dhe shtatë fshatra shqiptare të mbetura nën tri komunat veriore me shumicë serbe, territore që vazhdojnë ta ruajnë përbërjen etnike shqiptare dhe që kanë vazhdimësi territoriale me trungun tjetër shqiptar – Kosovën.

Në këtë rast institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin në kthimin e shqiptarëve në pronat e veta. Kjo mund të arrihet nëse përdoren të gjithë mekanizmat e presionit demokratik, institucional e jashtinstitucional, mbi faktorët ndërkombëtarë të implikuar në Kosovë. Kthimi i njerëzve në pronat e veta është një e drejtë elementare njerëzore dhe në rastin e Mitrovicës duhet të ndodhë me çdo kusht. Ky do të ishte hapi i parë për bashkimin e Mitrovicës dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Problemi i Mitrovicës është problem i spastrimit etnik dhe nuk guxon të legjitimohet dhe të mbetet si i tillë. Çdo përpjekje tjetër që nuk do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në kthimin e njerëzve në pronat e veta do të ishe përpjekje për legjitimim të këtij spastrimi.

PËRFUNDIM

Zgjidhja përfundimtare e çështjes së Mitrovicës, e çështjes së veriut të Kosovës dhe e Kosovës Lindore, pra, zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe ka rëndësi të madhe për popullin shqiptar dhe Kosovën. Përkundër rëndësisë së madhe ekonomike, sociale e madje edhe integruese në proceset ndërkombëtare, prapëseprapë rëndësia politike për Kosovën dhe popullin shqiptar mbetet më e madhja. Kosova çlirohet nga Pakoja e Ahtisarit dhe nga Kushtetuta e tashme dhe populli shqiptar e fiton të drejtën e vetëvendosjes dhe sovranitetin mbi territorin ku jeton. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje pushojnë edhe arsyet e ndalesave të tashme nga ana e faktorëve ndërkombëtarë që populli shqiptar i Kosovës ta përfundojë procesin e bashkimit të tij kombëtar. Kështu që Kosova vetëm me një referendum do të mund të bashkohej në një shtet me Republikën e Shqipërisë.

Prandaj institucionet e Kosovës dhe ato të Republikës së Shqipërisë, si dhe të gjitha partitë politike duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe e ta trajtojnë seriozisht këtë problematikë. Të ndërmarrin hapa të shpejtë e të guximshëm në mënyrë që popullit shqiptar t’i hapen perspektiva të reja për zhvillim.

Prishtinë, më 28 gusht 2010