image
Këto ditë përsëri janë aktuale ndryshimet në Kodin zgjedhor. Tre vjet më vonë, propozimi vjen nga partia më e madhe maqedonase në opozitë, e cila propozon që Parlamenti të zgjerohet për 10 deputetë të rinj, të cilët do të zgjidhen nga një listë e rezervuar për pjesëtarët e komuniteteve të vogla.  BDI është konsekuente në qëndrimin parimor kundër një ndryshimi të këtillë. Ka disa arsye objektive për këtë kundërshtim

Fillimisht duhet thënë se propozimi për ndryshime në Kodin zgjedhor paraqet tentim për pazarllëk të partive të mëdha maqedonase me komunitetet e vogla në vend. Ky lloj pazari është komprometim për Maqedoninë multietnike sepse, ndërsa flet për “avancimin e pozitës së të vegjëlve”, në esencë ka vetëm interesin e përfitimit të votave të tyre në ditën e zgjedhjeve. Fillimisht, kryetari i VMRO-DPMNE, ndërsa tani edhe kryetari i LSDM, po promovojnë idenë për vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të vogla ku bëjnë pjesë turqit, boshnjakët, romët, serbët, vllahët etj. Me këtë pazar një efekt është më se i sigurt: partitë maqedonase që do të kenë shumicën për të formuar Qeverinë, me lehtësi dhe në fakt, me legjitimitet do të mund t’i shfrytëzojnë votat e tyre gjatë votimit të legjislacionit për të cilin nevojitet vota e dyfishtë, respektivisht Badenteri. Në këtë mënyrë partitë maqedonase dhe jo partitë shqiptare, do të jenë ato që do të vendosin kontrollin ndaj mekanizmit të Badenterit, i cili në fakt, u krijua pikërisht për t’i mbrojtur nga mbivotimi grupet etnike jomaqedonase në vend. Kjo do ta çvlerësonte Komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive në Parlament, dhe në instancë të fundit, plotësisht do të rrënonte frymën dhe parimet e demokracisë multietnike të vendosura me Marrëveshjen e Ohrit. Një zgjidhje e këtillë në mënyrë legjitime parashtron dilemën: vallë, a do të jetë i nevojshëm edhe më tutje Komiteti në Parlament, nëse vendoset një mekanizëm tjetër për të ushtruar presion dhe kontroll mbi votat e komuniteteve të vogla? Garantimi i vendeve për komunitetet e vogla në mënyrë të drejtpërdrejtë e prish balancën etnike shqiptaro-maqedonase, të cilën në mënyrë institucionale e garantojnë zgjidhjet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Prishja e kësaj balance do ta bëjë të paevitueshme pyetjen: çfarë do të ndodhë me Komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive?  Duke qenë se një zgjidhje e këtillë, pa dyshim, do ta komprometojë rolin dhe funksionet e Komitetit, atëherë do të duhet që ky organ parlamentar të shpërbëhet dhe të pushojë së funksionuari si i tillë. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, atëherë shumica parlamentare do të duhet që patjetër t’i zgjerojë kompetencat e tij. Në Komitet me këtë rast do të duhej vendosur një parim i ri votimi – votimi me Badenter, dhe në këtë mënyrë do të mund të ruhej roli dhe funksionet e tij në raport me vendimmarrjen lidhur me çështjet që tangojnë bashkësitë etnike ne Maqedoni. Njëkohësisht, kompetencat e Komitetit do të duhej zgjeruar në mënyrë që ky organ të mos ketë më funksion të shqyrtimit apo vendosjes vetëm për një numër të kufizuar të çështjeve, por ky organ të vendosë lidhur me të gjitha problemet që kanë të bëjnë me sigurimin e kohezionit etnik në vend. Ideja për vende të garantuara është në kundërshtim me tezat e intelektualëve dhe politikanëve maqedonas, të cilët në vazhdimësi, që nga koha e arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, kanë alarmuar se Maqedonia po ndërtohet si një shtet binacional dhe gradualisht po lëviz drejt një federate joterritoriale. Fakti se mund të vijmë në situatë të kemi një set zgjidhjesh për çështjet shqiptaro-maqedonase dhe një set tjetër për çështjet e komuniteteve tjera dhe maqedonasve, në fakt, vetvetiu dëshmon se modeli që do të vendosej me vendet e garantuara është binacional. Në këtë situatë, dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit do të duhej rezervuar vetëm për shqiptarët, ndërsa bashkësitë tjera do të duhej angazhuar për të drejtat e tyre përmes garës institucionale të mundësuar me vendet e garantuar. Për më shumë, në një situatë të atillë do të ishte krejtësisht e natyrshme që Komiteti për marrëdhënie ndërmjet bashkësive të avancohet në dhomë të dytë të Parlamentit, dhe mbase në këtë mënyrë do të mund të ruante balancën etnike, e cila në vitet e fundit është rrënuar shumë. Propozimi për vende të rezervuara në Parlament për pjesëtarët e bashkësive më të vogla në shkëmbim për votat e tyre gjatë votimit të dyfishtë, është i rrezikshëm sepse në esencë është shprehje e një politike të mohimit, përkatësisht të relativizimit të të drejtave të shqiptarëve, të arritura në vitin 2001. Politika e këtillë e margjinalizimit, e relativizimit të rëndësisë së akomodimit të kërkesave të shqiptarëve, është në kundërshtim të plotë me frymën dhe parimet e Maqedonisë multietnike. Për sa kohë që është legjitime të thuhet se “Mekanizmi i Badenterit nuk është e drejtë ekskluzive vetëm e shqiptarëve”, shumica maqedonase nuk guxon të harrojë se ky mekanizëm u krijua ekskluzivisht si kërkesë e shqiptarëve! Qëndrimi i këtillë i BDI-së nuk ka për qëllim përjashtimin e komuniteteve më të vogla. Përkundrazi, BDI ka qenë dhe mbetet konsekuent në përcaktimet për mbrojtjen e shqiptarëve dhe të gjithë jomaqedonasve nga majorizimi dhe kjo arrihet më së miri përmes mbrojtjes së mekanizmave institucionale që e garantojnë këtë. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar me ndryshimin e pozicionit, siç është rasti me disa parti e fraksione partish shqiptare, të cilat kur ishin në pushtet fizikisht sulmuan deputetët e BDI që kundërshtonin vendet e garantuara. Njëkohësisht, BDI ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë dialogun institucional dhe jo vetëm lidhur me të gjitha çështjet që tangojnë komunitetet e margjinalizuara. Prandaj, një ndër ligjet e para që votuam në vitin 2008 ishte pikërisht Ligji për të drejtat e bashkësive etnike më të vogla se 20 për qind dhe themelimin e Ministrisë për këto bashkësi. Oferta jonë për dialog është dëshmuar edhe në rastet kur në mënyrë të hapur dhe pa ngarkesa politike kemi bërë thirrje për bashkëpunim zgjedhor, pavarësisht se opozita shqiptare na ka fyer për këtë politikë. E megjithatë, ne nuk duam të besojmë se bashkësitë e vogla, për interesa të partive të mëdha maqedonase, janë të gatshme t’i rrënojnë mekanizmat e Marrëveshjes së Ohrit. Sepse, nëse edhe formalisht ndodh një rrënim i këtillë, atëherë pavarësisht se kush do të jetë shkaktar apo iniciator, ne patjetër duhet të pyesim: vallë, jemi të gatshëm që si shtet dhe si shoqëri të kalojmë drejt një faze të re të veprimit politik dhe t’i revidojmë dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit?