Shkruan Murat Koci

Dje me 4 maj 2024 është mbajtur Kuizi i Diturisë për nxënësit që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në Suedi dhe Diasporë.

Është traditë e gjatë, e mirë, edukuese, mësimdhënëse e mësimnxënëse, e domosdoshme për të afruar, angazhuar, nxitur, frymëzuar e masovizuar mësimin e gjuhës shqipe të gjeneratat e dyta, treta, katërta e kështu me radhë, te komuniteti ynë në rritje. Kjo garë ka për qëllim të bashkoi sa më shumë nxënës, prindër e pedagogë për të ngritur nivelin e dijeve tek nxënësit në një shkallë shumë më të lartë sa ajo e zakonshmja.

Pjesë e garës ishin materialet e përzgjedhura nga lëndët: Gjuhë shqipe, letërsi shqipe, gjeografi, histori e kulturë shqiptare.

Vitin e kaluar garuan 12 komuna nga treva të ndryeshme të Suedisë, tri nga Greqia dhe dy nga Austria me rreth 120 nxënës garues.

Vendin e parë patën zënë nxënësit e Landskornës.

Vendin e dytë nxënësit e Vjenës (Kikirikët).

Vendin e tretë nxënësit e Selanikut (Shoqata ”Nëna Terezë”).

Është rregull që ajo komunë që zënë vendin e parë fiton të drejtën e organizmit të kuizit të radhës.

Shih për këtë, këtë vit Kuizi i Diturisë do të mbahet në Landskrona.

Gara u nda në dy pjesë.

Pjesa e parë:

– Koha: 14.00 – 17.00

– Gara u zhvillua në mënyrë digjitale nëpërmjet platformës Kahoot.

– Gara u zhvillua në Shtëpinë e Popullit në Landskrona (Säbygatan 16, Landskrona)

Pjesa e dytë:

– U Zhvillua në Shtëpinë e Popullit në Landskrona (Landskronas Folkets Hus)

– Koha: 18.00 – 22.00

– Kishte rpezantime artistike të nxënësve nga shkolla, komuna e vende të ndryshme.

– Lotari (shpërblime të ndryshme).

– Darkë modeste.

– Këngë, valle.

EPILOGU

A+

Vlerësimi më i lartë për dije të treguara në shkollat e Suedisë është A. Kjo, domethënë që nxënësit, të cilët vlerësohen me notën A kanë nxënë në tërësi materialet mësimore dhe janë në gjendje ta vënë në zbatim atë dije aty dhe atëherë kur u kërkohet e duhet a u duhet.

Materiali i Kuizit të Diturisë që nxënësit duhet ta përballojnë është voluminoz, gjithëpërfshirës, i kategorizuar nëpër lëndë e me nivele. Nga ky material rrjedhin 200 pyetje. Në pjesën dërrmuese të pyetjeve përgjigjet gjenden drejtpërdrejt në tekstet e materialit. Ambicia jonë është që radhën tjetër të këtë më shumë pyetje që përgjigjet nuk gjenden drejtpërdrejt në tekste, por mes rreshtave e përtej teksteve.

Nxënësit pjesëmarrës në garë treguan përgjegjësi, angazhim të pashoq, bashkëpunim në grup, vullnet të madh, disiplinë të paparë, gëzim të shprehur edhe me lot, kompetencë shoqërore, shqiptarizëm unik e të papërmbajtur, por edhe integrim të plotë në shkollën e shoqërinë suedeze me cilësitë më të mira shqiptare. 97% e përgjigjeve të garuesve ishin të sakta, ndonjë komunë kishte përgjigje të sakta deri në 99.9%. Kjo tregon për punë e madhe që kanë bërë nxënësit, mësuesit e tyre dhe prindërit.

Andaj thërras A +!

Që të vinim deri të kjo ditë suksesi për të gjithë ne pa dallim, edhe për ata që u munduan të marrin pjesë por nuk ia dolën, edhe për ata që ishin indiferentë, edhe për ata që e kundërshtuan është dashur punë e madhe në kohë e pakohë dhe në ditë punë e fundjavë. Pa angazhimin e pakundshoq të kryetares së KKKD-së Hava Limani dhe anëtarëve dr Geranda Hoxhaj, Xhevat Isufit, Isuf Bajraktarit edhe Murat Kocit do ishte e pamundur të realizohet diçka e tillë. Faleminderit për përkushtimin e angazhimin!

Pa punën e madhe e vetëmohuese të mësuesve të gjuhës shqipe nëpër komuna të ndryshme Kuizi i Diturisë është inekzistent.

Faleminderit për punën tuaj misionare!

Pa përkrahjen e madhe të prindërve zor se do ia dilnim mbanë.

Faleminderit për bashkëpunimin e edukimin e fëmijëve në frymën shqiptare e europiane!

Pa mbështetjen ekonomike dhe jo vetëm ekonomike të LSHSH “Iliria” në Suedi realizimi i Kuizit të Diturisë do ishte shumë më i vështirë.

Faleminderit LSHSH “Iliria”!

Garuan 10 komuna e 12 ekipe garuese dhe ekipi “Kikirikët” nga Vjena e Austrisë. Gjithsejt 13 ekipe garuese. Katër ekipe (komuna) u tërhoqën nga gara në javën e fundit apo në ditën e garës, pak e çuditshme por e kuptueshme se edhe ndodhin të tilla rrejdha.

Vendi i parë: Kikirikët, Vjenë, Austri.

Vendi i dytë: Landskrona, Suedi.

Vendi i tretë: Hässleholm, Suedi.

Në emër të LSHSH “Iliria” falënderojë mësuesit misionarë: Anila Velaj, Mejreme Gubetini, Qefser Tahiri, Beqë Shala, Qerime Gurguri, Lumnije Kajtazi, Englantina Shehu, Desara Beqari Gjonej, Suela Shala, Edlira Topuzi, Hava Limani, dr Geranda Hoxhaj, Xhavat Isufi dhe Isuf Baraktari.

Falënderojmë në veçanti konsullin e Kosovës në Suedi z Ardian Kolaj që gjithherë gjen kohë të na mbështes e ndihmoj, kryetarin e komunës së Landskrones që ishte pjesëmarrës gjatë gjithë garës së diturisë z Torkild Strandberg, drejtoren e shkollës “Hoxhë Kadriu” në Prishtinë zj Teuta Rushiti Govori dhe zj Ervisa Danin drejtore në Drejtorinë e Arsimit të komunës së Landskronës e cila ishte e pranishme gjatë gjithë garës dhe gjatë gjithë mbrëmjes argëtuese dhe edukuese!

Falënderojmë Entin e gjuhëve amtare në Ängelholm për mbështetjen ekonomike, morale e institucionale për Kuizin e Diturisë!

Është për keqardhje që disa ente të gjuhës amtare nëpër komuna të ndryshme në Suedi jo që nuk përkrahin aktivitete të tilla pedagogjike, didaktike e integruese, por përkundrazi demotivojnë apo edhe kundërshtojnë herë hapur e herë-herë me ndërskamca aktivitete të tilla. Ato komuna punojnë hapur në kundërshtim më ligjin shkollor dhe me Planprogramin 22 për gjuhën amtare.

Është zhgënjyese së si institucionet e shteteve tona qëndruan indiferente ndaj një aktiviteti të tillë që për bazë ka ruajtjen e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar. Aktivitet që angazhon qindra nxënës, qindra familje e dhjetëra e dhjetëra pedagogë.

Është e habitshme së si mjetet e informimit në atdhe informojnë së si një i, e iashtuquajtur “VIP” a “VIPESHË” është kollitur, ndërsa nuk u intereson fare së çfarë e së si mijëra e mijëra familje në mërgatë luftojnë çdo ditë me çdo mjet për ti bërë ballë a frenuar asimilimin.

Mirgarofshim në Kuizin e radhës!

Shpërndaje artikullin në: