memetiTë dhëna shqetësuese nga Avokati i Popullit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në organet shtetërore. Në vitin 2013 numri i shqiptarëve u rrit vetëm me 0.3 %, duke arritur në 18,1%. Kjo rritje është më e ulëta e shënuar deri tani, ngjashëm si ajo e vitit 2011. Kjo ngecje duket se ka filluar pikërisht nga viti 2011, prej kur është shënuar rritje prej vetëm 1,2% për 3 vite, ose

mesatarisht me 0,4% në vit. Dallimi është i theksuar, krahasuar me vitet 2007-2011, kur numri i shqiptarëve nëpër institucione rritej për rreth 2% në vit. Avokati i Popullit, që prezantoi sot të dhënat e reja rreth përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, tha se përveç zvarritjes në përgjithësi, ka edhe institucione të cilat nuk e zbatojnë aspak këtë parim.

“Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat edhe më tej realizohet me vështirësi, ndërsa ka institucione të cilat fare nuk e realizojnë”, deklaroi Ixhet Mehmeti, Avokat i Popullit.

Përqindja e shqiptarëve në institucionet shtetërore mund të jetë madje edhe më e ulët, duke marrë parasysh se dhjetëra institucione shtetërore vazhdojnë të mos ofrojnë të dhëna për përqindjen e shqiptarëve të punësuar. Avokati i Popullit kritikoi publikisht Ministrinë e Financave, Shëndetësisë, Punëve të Brendshme dhe disa institucione të tjera, për pengimin e punës së Avokatit.

“Paraqita edhe kritika publike ndaj organeve të cilat penguan punën e Avokatit të Popullit, kjo do të thotë se nuk komunikuan në mënyrë të mirëfilltë me te, me çka ndihmuan në cenimin e të drejtave të qytetarëve, me çka nuk ndihmuan qytetarët, nuk i ndihmojnë institucionit Avokat i Popullit që punën ta kryejë konform Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Memeti.

Shikuar në numra, viti 2013 mban një tjetër rekord negativ. Gjatë këtij viti, numri i shqiptarëve të punësuar është rritur për vetëm 414 persona, ndërsa viteve të mëparshme rritja e të punësuarve për një vit është lakuar në kufijtë mes 1500 deri 4000 të punësuarve më tepër. Nëse vazhdon tendenca e ngecjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat sikurse në 3 vitet e fundit, me vetëm 0,4% rritje në vit, kuota prej 25% punësime shqiptarësh në administratë do të arrihet vetëm pas 17 vitesh. Benjamin Arifi