PATRULLIMI GREK I QIELLIT
Zbardhen vendimet që eliminuan aviacionin
A ka probleme të tjera për të cilat “ Air Policing “ mund të krijojë shqetësime që nuk përputhen me synimet e komandës shqiptare dhe të sigurisë së vendit?
Kjo është një pyetje e mirë. Kësaj mund t’i përgjigjen saktësisht ekspertë të tjerë të aviacionit që janë shumë më kompetentë në këtë fushë dhe që e kanë kaluar shumicën e karrierës në ajër. Unë e kam pasur në tokë, këtë karrierë, megjithëse kam qënë kryeinspektor dhe shef i zyrës së gjeneralit të Forcave Ajrore. Në këtë kuptim do t’ju përgjigjem si observues dhe si takticien gjitharmësh, jo si pilotues. Atëherë le të themi 2-3 shqetësime me shpresë se do të plotësohen por dhe korigjohen nga ky komunikim i ardhshëm. Shqetësimi im i parë lidhet me atë që a përbën hapësira jonë ajrore një “sekret shtetëror“?. Ju siguroj se hapsira ajrore e SHBA është sekret shtetëror. Kështu është dhe e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë dhe e mjaft vendeve të tjera. Po këtu tek ne, a është dhe do të jetë “ sekret shtetëror “? Kësaj pyetje nuk di t’i përgjigjem dhe ligji Nr. 8374, datë 15.07.1998 nuk i jep përgjigje taksative ose e jep atë shumë tërthorazi nëpërmjet disa përkufizimeve sqaruese për konceptin “ zonë e ndaluar “, “zonë e kufizuar“, “zonë prove”, “zonë e rrezikshme”, etj. Gjëkundi nuk gjen lidhjen e tyre me sekretin shtetëror, pale atë ushtarak. Kjo të krijon ndjesinë shqetësuese se ne nuk kemi një regjim të lartë vëzhgimi e zbulimi ajror, të paktën për të mos lejuar penetrimin ajror në ato korridore fluturimi nën të cilat “shtrihen“ sekretet. S’ka përcaktime për pjesët e hapësirës ajore “sekret shtetëror”, prandaj avionët e huaj të “Air Policing “ do të jenë të lirë t’i bien Shqipërisë kryq e tërthor. Shqetësimi i dytë, ka të bëjë me çështjen e komandës të misionit patrullues. Kush do ta ketë komandën, jo kur avionët janë në Greqi e Itali prej nga do të vijnë, por kur të hyjnë në hapësirën tonë ajrore? Ka një rregull ushtarak kur shkon tek dikush për bashkëveprim:- troket, i tregon kush të ka dërguar, me ç’qëllim dhe ç’je në gjëndje të kryesh. Pas kësaj komandat i jep i “zoti shtëpisë“ aq më tepër, kur siç duket, do të të paguajë për shërbimin e ofruar. Në të kundërtën ka gjasa që avionët grekë dhe italianë të sillen si në shtëpinë e vet, të ngrihen e të vijnë pa kërkesën e autoriteteve tona të sigurimit, të vërdallisen, të kthehen dhe t’ju raportojnë eprorëve të vet, pa përfillur këtu asnjë. Raportimi duhet t’i bëhet shtetit shqiptar, sepse ky është përgjegjësi për sovranitetin ajror të Shqipërisë. Në të kundërtën ky shtet duhet të deklarojë se këtë sovranitet e ka dhënë me qira dhe se ky sovranitet nuk i përket popullit, por Qeverisë. Pastaj, avionët greke dhe italianë nuk do të jenë aq të interesuar të shmangin rreziqet nga hapësira jonë, por nga hapësirat e tyre. Kjo do të krijojë preçedentë negativë sidomos në rastet kur shënjestrimet e terroristëve nuk do të kenë të bëjnë me objektiva të rëndësishme në territorin tonë por në atë grek ose italian.
Si ta kuptojmë këtë?
Ju kujtohet rasti i rrëmbimit të avionit të linjës ajrore turke, më duket aty nga qershori 2006. Edhe rrëmbyesi ishte turk. Çfarë ndodhi? Ky avion, pasi hyri në hapësirën jugore të vendit tonë, duke bërë një kthesë diku mbi Sarandë u fut në hapësirën ajrore greke. Pas ngritjes së avionëve të rojes ajrore greke të bazës së Larisës dhe Athinës dhe nën presionin e tyre avioni i rrëmbyer u shty në perëndim dhe u ul në një aerodrom, në Bari të Italisë. U shmang nga territori i tyre. Ky është një rast relativisht i lehtë, por imagjinoni sikur një shtyrje e tillë e një avioni në një rast të pastër terrorizmi të ndodhë nga hapësira greke ose italiane, në hapësirën shqiptare, dhe të detyrohet të bëjë harakiri ose të goditet mbi objektiva të superpopulluara në Shqipëri. Madje raketat që mund të përdorë avioni në situata të ndryshme kundër terroristëve dhe piratëve ajrorë që kontrabandojnë ose trafikojnë në pika të caktuara të territorit tonë, s’dihet ku përfundojnë. “ Eurofighiter-at “ italianë dhe F-16 grek kanë shumë të tilla. Për shembull, avioni F-16 ka shtatë raketa ajër-ajër ose ajër-sipërfaqe (sipërfaqe e tokës, detit-gaz.) dhe nëqoftëse do të bëjë rolin e gjuajtësbombarduesit armatoset më 3 174 kg bomba të zakonshme ose të drejtuara. Nuk di përse mund t’i përdorë aparaturat e zbulimit ajror të tipit elektro-optik, me rreze infra të kuqe e lazer si dhe shtatë aparate fotografimi e mjetet e luftës elektronike? Sidoqoftë, për syrin dhe logjikën operacionale të një ushtaraku, kjo jep një ndjesi të pakëndshme për një shtet që natyrisht ka sekretet e veta ushtarake dhe shtetrore. Kemi ne të tilla, jemi fare “ lakuriq “ apo ja u japim vetë nga brenda të gjitha pa qënë nevoja të na i marrin (qesh)?!! Ja,- ka shqetësime sa të duash!!. Prandaj, pa mbikqyrjen e autoriteteve shqiptare, në aeroportet tona nuk na siguron kush për aktivitetet që aparaturat e sofistikuara të këtyre avionëve mund t’i bëjnë dhe për “llogari private”!?
Me sa duket parlamenti ka shumë arsye për investigimin e marëveshjes për “Air Policing” dhe jo vetëm kaq por dhe për të identifikuar bazueshmërinë ligjore të vendimeve, urdhërave e akteve të hartuar për reduktimin drastik të armës së aviacionit, si dhe më kryesorja për të zgjidhur enigmën në ç’hendek korrupsioni kanë përfunduar avionët luftarakë?
Shumë saktë e formuluat tërësinë e problemeve që kemi diskutuar. Në këtë tërësi përfshihen tre dimensione, që them se e ezaurojnë problematikën dhe nevojën e investigimit parlamentar. Parlamenti dhe veçanërisht opozita duhet të këmbëngulin që t’u jepet përgjigje e besueshme pyetjeve përse u krye ky akt, ku e me çfarë çmimi u katandis aviacioni ushtarak, përse të gjithë urdhërat e udhëzimet nuk u konsultuan me efektivin pilotues dhe drejtuesit e tij, sa i kushton sigurimit tonë ajror “Air Policing”, pse qeveria provokon konflikt me firmosjen e marrëveshjeve ajrore herë me turqit e herë me grekët, pse flota jonë e helikopterëve pajiset me helikopterë italianë të viteve 60-të; cili është fati i helikopterëve Mi-4 që dispononte ushtria jonë, kush e ideoi mbylljen e shkollës së aviacionit dhe a vjen ky akt në pajtim me nevojat e ardhshme të strukturës së regjimentit të helikopterëve, përse ushtria jonë është inferiore në mjetet ajrore në raport me shtetet e tjera të Ballkanit dhe kryesorja a fshehin këto dukuri elementë të një strategjie që qëllimisht praktikon dobësimin tonë ushtarak ajror në raport me fqinjët.?? Po nuk morëm përgjigje, atëhere të jeni të sigurtë se, të dy krahët politikë janë në “tavë” ose më shqip janë gëlltitës të “lugës së çorbës së prishur”. Vjellja e saj do të ndodhë një ditë.
Pyetjet janë të shumta por dëshiroj të ndalem në dy prej tyre:
1- a keni informacion çfarë urdhërash e aktesh kanë dalë pas VKM Nr.617, datë 4 dhjetor 2002 ”Për heqjen nga armatimi dhe përdorimi të 32 avionëve…“ dhe 2-a kini fakte që provojnë inferioritetin tonë ajror në raport me fqinjët?
-Do t’ju kërkoj të veçoni një fakt interesant që ka të bëjë me datën e shpalljes së këtij vendimi. Shpallja e fillimit të shpartallimit të aviacionit ushtarak është bërë më 4 dhjetor 2002. Kjo datë përkon me ditën e krijimit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare më 4 dhjetor 1912 nga Qeveria e Vlorës, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pra vendimi antiushtarak i Qeverisë dhe i ish-kryeministrit merret në jubileun e 90-vjetorit që shënon ngjarjen më historike për Forcat e Armatosura, por dhe për shtetin. Pyetja e parë që lind është, përse në gëzimin e një feste formulohet vendimi për ceremoninë mortore të aviacionit? Nuk duket aq një përkim rastësor, sepse kur është çertifikuar ky vendim aty ka qënë i biri i pilotit, ish-ministri Majko. Aty ka qënë dhe Shefi i Shtatmadhorisë. Këta mund t’i kujtonin ish-kryeministrit se nuk duhej zgjedhur një datë e tillë për atë vendim, për motivin e vetëm, se dita e lindjes së një ushtrie nuk kremtohet me eleminim armësh, por me demostrim të forcës së saj. U bë e kundërta dhe kjo ishte një fyerje për ushtrinë. Ishte fyerje dhe për aktin e ndërmarrë më 1912-ën. Data e krijimit të Ushtrisë nuk duhet të jetë kurrsesi ditë çmontimi e shkatërrimi. Në këtë ditë mund të ishte zhvilluar ndonjë ceremoni modernizimi, gradimi, dekorimi apo diçka tjetër e gëzueshme, por kurrsesi drama e aviacionit. Këto lloj zakonesh kryeministrore, të kthimit të festës apo dasmës në mort dhe e kundërta, unë nuk i kuptoj…. Pse them edhe e kundërta? Them, sepse po i njëjti kryministër dramën apo tragjedinë e Otrantos e ktheu në festë për vete, në buzuqet e Selanikut. Këto janë zakone antishqiptare dhe pikë.
Ju kërkoni a ka urdhëra të tjerë për likuidimin e aviacionit? Ka sa të duash. Shumica e tyre i përkasin periudhës nga tetori 2005 e në vijim. Nëse i doni mbani shënim: 1. Urdhër Nr. 531, datë 25 tetor 2005 i MM “Plani i heqjes së avionëve Mig” 2. Urdhëri Nr. 561, datë 21 nëntor 2005 “ Për ngritjen e grupit të punës të përgatitjes së proçedurave në zbatim të planit të heqjes së avionave Mig” i SHSHP. 3. Urdhër Nr.2883/2 datë 25 nëntor 2005 “Në zbatim të planit të heqjes së avionëve Mig” i Komandës së Forcës Ajrore. 4. Po në këtë kohë është formuluar prejektvendimi i KM “Për një shtesë në VKM Nr. 617, datë 4 dhjetor 2002, të cilit nuk ia mbaj mend numrin dhe datën. 5. Është gjithashtu një urdhër sekret i Shefit të Shtatmadhorisë me Nr.22, datë 12 janar 2004, i cili nuk dihet ku ndodhet por dihet se bën fjalë për “asgjesimin” e aviacionit. Urdhërat e vitit 2005 kanë bashkëngjitur disa dokumenta të emërtuara me gërmat a, b, c. Dokumenti “c” kërkon ndjekjen e praktikës “Konsulta me grupin e punës të Foracve Ajrore, me përfaqësues të Drejtorisë Logjistike, Juridike, ndërmarrjen “MEICO”, Komandën e Mbështetjes Logjistike (KML) dhe më e çuditshmja me përfaqësues të kompanisë “ARMO”. Janë bërë a s’janë bërë këto konsulta nuk e di, por kam siguri në faktin se komandat dhe shtabet e regjimenteve ajrore si dhe ata të skuadriljeve të aviacionit nuk u pyetën asnjëherë. Ndryshe le të nxjerrin dokumentet që vërtetojnë prononcimin e tyre. Jam i bindur se s’ka të tillë. Nga ana tjetër, profesionistët, pilotët, inxhinierët e teknikët kanë qënë totalisht kundër masakrës së aviacionit. Këtë masakër e shkaktoi vetëm një pushtet dhe ky është pushteti ilegal. Po, po pushteti ilegal qeveritar. Duhet të zbulohet fati i çdo avioni që të zbulohet ky pushtet. Ka pasur 196 avionë dhe helikopterë parku i aviacionit ushtarak të Republikës së Shqipërisë. Ndiqni ku kanë përfunduar dhe do të kini në dorë listën e ilegalëve.
Të vazhdojmë tani me pjesën e dytë të pyetjes së mësipërme?
Jo, e mbaj mend shumë mirë dhe do t’ju përgjigjem por më përpara dëshiroj që ju ta nënvizoni atë faktin e mëparshëm për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanisë “ARMO” në konsultat për heqjen e aviacionit nga përdorimi. E dini pse? Dua t’ju ngulitet në kokë lexuesve tuaj ky preçedent i çuditshëm. Kam qënë i interesuar të di kujt i ka vajtur mendja që të thërrasë përfaqësuesit e një kompanie nafte në një konsultë ku do të jepeshin mendime për të ardhmen e aviacionit por nuk ka qënë e mundur të marr informacion. Megjithatë, në një farë mënyre mund të biem në gjurmët e tij. Në fund të fundit një kompani nafte në kohën që s’bëhet fjalë për ta furnizuar aviacionin ushtarak me vajguri por për ta eliminuar atë përfundimisht, përse mund të shërbejë në një konsultë ministrore? Për asgjë tjetër përveçse; “për t’i bërë atij naftën”. Fakti që aviacionit ushtarak “ju bë nafta” do të thotë se kjo kompani ka luajtur rol kryesor. Në këtë rol me siguri ka luajtur dhe ish-ministri Mediu. Ky ka qënë inxhinier nafte dhe e ka ditur mirë se si “bëhet nafta”. Bashkëpunimin në këtë rol e fakton dhe dhurata për “naftëbërjen” që ky ka bërë për ARMO-n . I ka dhënë kësaj kompanie gjysmën e godinës së Ndërmarrjes së Prodhimit të Veshjeve për Ushtrinë, në Tiranë, ta përdorë për zyra. Siç e shihni në mungesë të “gjurmëve” ka gjysmagjurma që flasin shumë, por mungon investigimi. Ky pushtet bën çmos që investigimit të mos i hapet asnjë shteg. Prokuroria s’ka gjasa t’i futet këtij problemi megjithëse luhet me një pasuri kolosale të shqiptarëve.
Tani po ju përgjigjem për çështjen e inferioritetit ajror në raport me fqinjët. Ka një shpjegim të gjërë doktrinar për “ekuilibrin e fuqisë ushtarake” ndërmjet shteteve si kusht kryesor për mirëbesimin reciprok, por nuk po i futemi kësaj ane të çështjes, sepse do të duhej një intervistë po aq e gjatë sa kjo. Po i futemi një raporti numerik thjesht për të parë sa poshtë qëndrojmë si shtet ushtarakisht. Nuk jemi në gjendje të konkurojmë dhe as të barazohemi të paktën me vendet e kartës “Adriatik-3“ me të cilat parashikohej të futeshim së toku në NATO, siç dhe u futëm. Po marr Maqedoninë, e cila pavarësisht se nuk u pranua në NATO, supozohet se është pranuar ushtarakisht “ de fakto “. Pranimi i saj “ de jure “ nuk është bërë, për arsye të vetos greke, por analiza e kësaj arsyeje është jashtë kontekstit ushtarak. E pra, ky shtet dyfish më i vogël se ne, ka qënë dhe është disa herë më i fuqishëm se ne në mjetet ajrore.
Gazeta: Në ç’lloj mjetesh ajrore?
Përgjigje: Në të gjitha. Nxirreni vetë raportin: ajo ka katër gjujtës- bombardues ne asnjë; ajo ka 11 helikopterë luftarakë Mi-8, M-17 dhe M-24 ne asnjë; ajo mund ta kryejë vetë “Air Policing” ne nuk e kryejmë. Tipi ynë i avionit Mig-17 shpejtësinë e ka afro 50 përqind më të madhe se avioni SU-25 maqedonas, por çështja përse maqedonasit mbajnë një tip me parametra taktiko-teknikë më të ulët pa kërkuar mbikqyrjen ajrore nga të tjerët, tregon se ata janë më dinjitozë si shtet dhe se nuk impresionohen kollaj nga ofertat, shpesh, pa reciprocitet të shteteve më të fuqishme.
Të mbulon ndjenja e turpit kur detyrohesh të pranosh se në strukturën e rojes ajrore ne konkurohemi edhe nga minishtete , si Malta. Ky shtet, ka plot 9 avionë ushtarakë për patrullim, të cilët po t’i tregoj ( 5 copë “O-1E”, 2 copë “NH-500” dhe 2 copë “BN-2B”-shën.i gaz.) Përsëri, ju siguroj se tipat maltezë të avionëve nuk janë më të mirë se tanët. Po përse atëhere ndodh që ne i kemi hequr nga përdorimi? Përse rojes tonë ajrore ju ndaluan fluturimet interceptuese shumë kohë para se të lejohej patrullimi i grekëve dhe i Eurofighterit të NATO-s të bazuar në aerodromet italiane? Përgjigja që do t’ju jap është ajo e një ish-komandanti të njërës prej bazave tona ajrore me të cilën pajtohen shumë aviatorë: “ i hoqëm avionët tanë për të marrë taksën e tranzitimeve ilegale që do të kryheshin në koridorin ajror lindje-perëndim dhe anasjelltas”. Kush e ka marrë këtë taksë, përveç atyre, që ndikuan në marrjen e vendimeve qeveritare, që i hapën rrugën ajrore tranzitimit ilegal ose që i firmosën ato?
Le ta lëmë këtu listën e konkurentëve tanë ajrorë. Brenda NATO-s, çdo shtet është absolut në raport me ne. Por dhe jashtë Aleancës lista e shteteve konkurente është mjaft e gjatë. Në një gjë mund të konkurojmë. Në atë që për të pranuar ofertat e të tjerëve “fluturojmë” me shpejtësi relative megjithëse nuk kemi aviacion reaktiv!?