image

 Sulmi i policisë ndaj tifozëve “Shvercerat” pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit ndërmjet Lirisë dhe MZT Skopjes, ka revoltuar tej mase këtë grup të tifozëve të cilët kërkojnë arsyen, pse ndodhi një gjë e tillë. Në anën tjetër nga sektori i punëve të brendshme të Shkupit, theksojnë se është duke u punuar në zbardhjen e rastit.“ Nga sektori i punëve të brendshme “Shkup” janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura për zbardhjen e këtij rasti. Është duke u shqyrtuar video materiali, punohet në identifikimin e personave të cilët kanë qenë iniciues për prishjen e rendit, pas së cilave do të pasojnë edhe fletëkallzime. Nëse ndonjë person mendon se ka pasur tejkalim të autorizimeve nga ana e zyrtarëve të policisë, mund të paraqesë fletëparaqitje deri te kontrolli i brendshëm i MPB” tha Liza Bendevska, zëdhënëse e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup.“Në fund të ndeshjes u përshëndetëm me basketbollistët tanë…. Duke u përshëndetur ne me ta, disa prej policëve na sulmuan, jo të gjithë mirëpo disa prej tyre. Nuk e dinim arsyen se pse na sulmuan ndërsa pas këtij incidenti na thanë se na sulmuan sepse kemi ofenduar në bazë nacionale. Nuk e di se çfarë ofendimesh kishte në bazë nacionale. Nëse ajo ishte ofendim në bazë nacionale, përse nuk reaguan ashtu edhe kur u dogj flamuri në ndeshjen mes Rabotniçkit dhe Lirisë” tha Omer Bunjaku, udhëheqës i Grupit të tifozëve “Shvercerat”.  Ndërsa, incidenti i një muaji më parë kur u dogj flamuri shqiptar nga ana e tifozëve të Rabotniçkit, nuk është zbardhur ende. Nga sektori i punëve të brendshme Shkup thonë se në adresë të tyre nuk ka arritur asnjë video-material që do ta dëshmonte rastin

 Partitë shqiptare reagojnë ndaj rrahjes së tifozëve shqiptar

Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re kanë reaguar ashpër ndaj rrahjes së tifozëve shqiptarë nga ana e policisë së Maqedonisë, në ndeshjen sportive të basketbollit mes klubeve “Liria” dhe “MZT Skopje” në Saraj.

Bekim Fazliu, këshilltar i PDSH-së në Qytetin e Shkupit deklaroi se, ngjarja e mbrëmshme e ndeshjes së basketbollit në Saraj ishte shqetësuese, sepse siç tha ai, huliganët maqedonas të ndihmuar nga policia brutalisht kanë rrahur dhe maltretuar shqiptarë ndër të cilët të shumtë kanë qenë fëmijë.

Ai tha se, “ky është vazhdim i incidenteve që ndodhën më parë në sheshin e Shkupit ku u plagos një fëmijë shqiptar, në Nerez ku shqiptarët u maltretuan në shtëpitë e tyre pa pik faji dhe në Shkup ku digjet flamuri ynë kombëtar”. 

Ndërkohë, ka reaguar edhe Demokracia e Re. Zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arjanit Hoxha tha se, policia e Maqedonisë rrahu tifozët shqiptarë në këtë ndeshje sportive, raporton agjencia e lajmeve INA.

“Që tragjedia të jetë edhe më e madhe, në vend se të zbatojë rolin e saj, e kjo nënkupton ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë, policia dje ngriti “pendrekat” mbi tifozët shqiptarë duke provokuar incident edhe më të madh në palestrën sportive, i cili për fat të mirë nuk ndodhi.Na mbetet të pyesim policinë, deri kur do të mbrojë veprat e atyre që thejnë ligjin duke shkaktuar incidente në baza etnike? Nga ana tjetër, deri kur do të hesht partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, ndaj këtyre incidenteve që dëmtojnë shqiptarët?”, shtoi Hoxha. 

DR thotë se, nëse zëvendësministri i policisë, z. Buçi nuk arrin të zbardh këto dy raste, atë të grisjes së flamurit dhe rrahjen e tifozëve shqiptarë në ndeshjen e mbrëmshme, atëherë le të dorëhiqet nga ky post dhe mos të merr në qafë fatin e zi të atyre të rinjve shqiptarë.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se incidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30, por nuk ka njoftime për viktima kur tifozët u përleshën me policinë pas ndeshjes.

Sipas MPB-së, disa tifozë u përpoqën të sulmonin lojtarët e MZT-së. Ndërhyrja e policisë ka ndaluar qëllimin e tifozëve para sallës në Saraj, se cila ka qenë e mbushur me mbi një mijë spektatorë.