image
 Po, është i pakuptimtë mendimi dhe pozicionimi anakronik i BDI-së për të qëndruar në Qeveri edhe pas gjithë atyre vektorëve “kundër” konceptit parësor ideologjik të kësaj partie

Duke mos gjetur motiv për të shkruar përskaj gjendjes kaq të rëndë në të cilën ndodhet ky shtet, ndonjëherë kërkoj që të “by-pass” këtë sezon dhe të mundohem të paktën të shoh se si mund të hapet një rrugë anësore në këtë autostradë të së keqes që i prin shtetit.
Tanimë dimensioni i së keqes është real. Procesi i evrointegrimve është tretësor, duke qenë vazhdimisht i zëvendësuar nga etnonacionalizmi i kësaj Qeverie. Procesi i ndëretnointegrimit brenda në shtet është po ashtu tretësor, duke u vënë si i zëvendësuar nga platforma për promovim të trashëgimisë antike të maqedonasve antikë, siç thonë maqedonasit e sotëm. Procesi i multikulturalizmit është i bllokuar totalisht duke qenë i zëvendësuar përsëri nga promovimi i etnoidentitetit të maqedonasve të këtij territori përsëri. 
Po, është e pakuptimtë të ndërtohet identitet nacional/kulturor në shekullin XXI, aq më tepër kur dhe teknologjitë e kërkimit të rrënjëve të këtij nacioni (kombi) dalin të jenë manipulative fund-e-krye. Këtë nuk e thotë vetëm një gojë, këtë e dëshmojnë shumë gojë të botës së akademisë dhe historisë. Po, është i pakuptimtë mendimi dhe pozicionimi anakronik i BDI-së për të qëndruar në Qeveri edhe pas gjithë atyre vektorëve “kundër” konceptit parësor ideologjik të kësaj partie. Ishte integrimi-kodi bazik i ideologjisë së BDI-së të mos harrojmë, e jo afirmimi i identitetit kulturor të shqiptarëve në Maqedoni. Le t’i pranojmë edhe rezultatet e rejtingjeve partiake të cilat dolën jo më larg se dje, BDI-ja megjithatë udhëheq, ashtu siç megjithatë udhëheq VMRO-DPMNE. Rejtingmatësit janë “Pavel Shatel”, fakt ky që më flet se janë përsëri të porositur nga “spin-doctor’s’’ të partisë maqedonase në pushtet. Situatë e habitshme gjithsesi, pasi vektorë ekstremisht kontradiktorë dalin nga ky koalicion. Ai në parim është inekzistent, por i mjaftueshëm për të tentuar të më bindin se shqiptarët po shkëputeshkan nga kombëtarizma ndërsa maqedonasit po lidheshkan pas një nacionalizme – autentike në manipulim të historisë e trashëgimisë. Këtë lloj ekuacioni një logjikë e shëndoshë nuk do mund ta arsyetonte si normale, është thjesht barazim anakronik. Si të ndërtohet rrugëza anësore në këtë autostradë monotone, përplot anakronizma? Nëse do të prisnim që të harxhoheshin kapacitetet e këtyre lloj vektorëve, do të zgjidhnim rrugën më të gabuar të mundshme. Duke pritur, kjo ideologji manipulative e këtij koalicioni do të na i tjetërsonte thellësisht pritjet nga cikli i zgjedhjeve të reja parlamentare. Shqiptarët më do të dukeshin QESHARAKË sikur të përmendnin implementimin e MO në platformat zgjedhore. MO mund të përmendet në pjesën: HISTORIKU i marrëdhënieve ndëretnike. Ky do ishte fer pozicionim e realist madje. Në vend të saj (MO), pritja jonë do ishte diçka e re, të themi një mbistrukturë koncepti (press. konferenca mes FUERE- M. Thaçi, maj 2010). Por, këtë mbistrukturë koncepti, edhe pse e nisën së promovuari lidershipi i PDSH-së,  nuk e shoh ende të shtrirë në platformë vigjilente që të mund të BINDË e të PËRFITOJË masën, votuesin! E dyta, nuk shoh arsyen më të vogël që opozita shqiptare të jetë kaq në inercion. Nëse inercionin e luajnë si rezultat i frikës së tyre se askush nuk do iu besojë më argumenteve që do të shpalosnin (për shkak të hireve të së kaluarës), atëherë më mirë do ishte të tërhiqeshin nga gara politike. Jam e mendimit se opozita shqiptare në Maqedoni nevojitet të kthjellet, duke mos e harruar dhe rreshtimin e deputetëve të pavarur këtu. Kthjellja i nevojit edhe ish-kryeministrit britanik G. Brown kur pa se është vështirë të ecësh më tej para një energjie masive që ofronte stafi Cameroon në zgjedhjet e fundit atje. Mos harrojmë, Cameroon asnjëherë nuk do të arrijë të jetë një M. Thatcher për Britaninë në kohën kur atë e kish kapluar kriza e madhe politike e ekonomike (ishin rrethana tjera që prodhonin lidership Thatcherian), por ai mund të ofrojë diçka shumë më të shëndoshë se Thatcheri vetë, e kjo njihet si ofertë kontinuitetui ideologjik për të mbindërtuar Britaninë me ide, kapacitete dhe rrugë të rreja…, e në kërkim aleatësh e miqsh të rinj.
Kësisoj në Maqedoni edhe anakronizmat do të mund shthureshin ngadalë, bile në këtë moment kur dhe pozicionimit torollak të partisë shqiptare në pushtet, po i  kanoset një lloj “fraksionizmi” ndërpartiak të cilin krah e udhëheq një intelektuale e fuqishme gjithsesi; ajo e cila dikur afirmonte zëshëm  mbi rëndësinë e ndërtimit të identitetit politik të shqiptarëve në Maqedoni, sot në skenë shihet si lidere e idesë se ky koalicion është …torrollak , i rrezikshëm , i nderë. Është koha për ndryshim, këtë gjykoj unë. Kthjellu!