Janë hapur ofertat e kompanive konkurruese për koncesionim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe fitues është shpallur konzorciumi Limak Aeroport de Lion.

Qeveria e Kosovës i dha kontratën 20 vjeçare me koncesion për operim dhe zgjerim të Aeroportit të Prishtinës konsorciumit Limak Aeroprot de Lyon, i përbërë nga operatori francez të aeroporteve Aerport de Lyon dhe kompanisë ndërtuese turke Limak Construction. Përzgjedhja është bërë e ditur sot gjatë një ceremonie publike të transmetuar në televizion, në të cilën është bërë hapja e propozimeve të dorëzuara nga ofertuesit e parakualifikuar. Limak/Aerport de Lyon i është dhënë kontrata për arsye se i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39.42% % të të hyrave bruto, në këmbim të të drejtave të koncesionit. IC Frapport Havamanli ICTAS, ofertuesi që ka zënë vendin e dytë, ka propozuar një mesatare prej 30.37% të të hyrave bruto. Nga Limak Holding dhe Aeroprot de Lyon do të kërkohet të modernizojë dhe të zgjerojë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturën e re, duke përfshirë këtu ndërtimin e objektit të terminalit të ri. Nga koncesionari i ardhshëm do të kërkohet gjithashtu të operojë me Aeroportin me oferta të zgjeruara të shërbimeve dhe me nivele të rritura të cilësisë. Republika e Kosovës do të ruajë 100% pronësinë mbi asetet e Aeroportit. Kjo është përpjekja e parë e suksesshme e Kosovës, për tërheqjen e investimeve strategjike afatgjata në infrastrukturë dhe shërbime publike, dhe procesi është lajmëruar publikisht, si një arritje e madhe dhe si një votë besimi për qeverinë e vendit dhe për sistemin ligjor. Kryeministri Hashim Thaçi lavdëroi procesin për transparencën e tij, duke theksuar që Qeveria e Kosovës është e palëkundur në përkushtimin e saj për tërheqjen e investimeve private me anë të procedurave të hapura dhe konkurruese. Ndërsa Fatmir Limaj, Ministër i Transportit dhe Komunikacionit dhe kryesues i Komitetit Drejtues Ndërministror të projektit deklaroi se të gjitha vendimet në lidhje me procesin e dhënies së kontratës janë marrë nga një komitet vlerësues i pavarur i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë ligjor, financiar dhe teknik, si dhe nga zyrtarët vendorë nga ministritë e ndryshme. Përveç një komponentë jetike e infrastrukturës së transportit në Kosovë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga aeroportet më të ngarkuara me punë në Ballkan, duke u shërbyer mbi 1.2 milion pasagjerëve vitin e kaluar. Në vitet e fundit, Aeroporti ka shënuar shkallë të rritjes mbi mesataren në trafikun e pasagjerëve, por kapacitetet e Aeroportit nuk po rriten mjaft shpejt për ti përmbushur këto nevoja. Si rezultat, aeroporti nuk është duke ofruar nivel adekuat të shërbimeve apo duke rritur në maksimum fitimet e tij.

* * * * * *

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Ceremoninë e Dhënies së Kontratës për Koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës

Të nderuar të pranishëm,

I nderuari ambasador i SHBA-ve, z.Dell,

I nderuari ambasador i Turqisë,

Përfaqësues i ambasadës franceze, gjermane, përfaqësues të ICO-së, përfaqësues të Komisionit Evropian, të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, USAID-it

Të nderuar ministra dhe gjithë të pranishëm,

Të nderuar qytetarë të Kosovës, sepse kjo ceremoni transmetohet drejtpërdrejt në televizion dhe është një rast unik i një procesi të hapur dhe transparent për institucionet e vendit, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, është një rast model, mund ët them edhe për rajonin.

Është kënaqësi e veçantë të jam këtu sot, në këtë ngjarje shumë të rëndësishme.

Para pak ditësh, ne të gjithë, institucionet e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë e pranuam dorëzimin e ofertave nga tri konsorciume, për të drejtën e operimit dhe zgjerimit të Aeroportit të Prishtinës.

Unë sot dëshiroj t’i falënderoj të gjithë përfaqësuesit e konsorciumeve për pjesëmarrjen e tyre në këtë proces – ju falënderoj për ofertat dhe interesimin tuaj.

Unë jam i bindur që procesi ka qene i përgjegjshëm, por edhe jo i lehtë.

Por, uroj dhe shpreh bindjen time për punën e mirë që fituesi do të bëjë në partneritet me institucionet e Republikën e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Unë besoj që të gjithë pajtohemi që Kosova është një storie e një suksesi të plotë.

Për të siguruar vazhdimin dhe thellimin e suksesit të shtetit të Kosovës, Qeveria e Republikës se Kosovës është e përkushtuar për një Kosovë institucionalisht, politikisht dhe ekonomikisht të qëndrueshme.

Sot, ne po e kremtojmë një vendim për një Kosovë edhe më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme ekonomikisht .

Ne nuk mund ta kemi një qëndrueshmëri ekonomike dhe zhvillim ekonomik pa një bazë të shëndoshë të infrastrukturës publike.

Investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është shumë i rëndësishëm për një bazë të shëndoshë të infrastrukturës publike në Republikën e Kosovës.

Konsorciumi fitues do të investojë në aeroport ndërsa qytetarët e Kosovës, dhe pasagjeret do të përfitojnë nga një terminal i ri – një hapësirë të zgjeruar të aeroportit tonë.

Aeroporti i zgjeruar do të mirëpret më shumë udhëtarë dhe këta udhëtarë do të kenë edhe shërbime më të mira dhe shumë më cilësore të standardeve ndërkombëtare.

Të nderuar të pranishëm,

Me autostradën Morinë-Merdarë, ne kemi hapur dhe po hapim, po zgjerojmë linjat rrugore për vendin dhe rajonin; me koncesionimin e aeroportit, ne po i hapim dhe zgjerojmë linjat ajrore.

Koncesionimi është në interes të të gjithëve, konsorciumi fitues, do të punojë për zgjerimin, për të krijuar shërbime më të mira dhe shërbime shtesë për buxhetin e Kosovës.

Vendi ynë, shteti ynë do të jetë përfitues i vërtete.

Të nderuar të pranishëm,

Me lejoni që t’i shpreh falënderimet e mia për të gjithë ata qe kane kontribuuar në këtë projekt, ministri Limaj dhe grupi ndërministror, bashkë me partnerët ndërkombëtarë.

Besoj që ceremonia e sotme është mirënjohje për punën e secilit.

Ndjehem shumë i kënaqur që ky projekt ka qenë i hapur, i drejtë, transparent dhe në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare.

Si Kryeministër, shpreh përkushtimin tim për ofrimin e kushteve sa më të mira dhe sa më të drejta për investitorët e jashtëm.

Kosova, si shtet i ri, është vend i mundësive të mëdha ekonomike dhe të gjithë investitorët e jashtëm janë të mirëpritur dhe do ta kenë partneritetin e institucioneve të vendit.

Në Kosovë është krijuar një atmosferë dhe një klimë për biznes, një atmosferë e sigurt për investitorët ndërkombëtar.

E theksova edhe më herët, kemi filluar me autostradën Vërmicë-Merdare, atje kanë filluar punimet.

Sot shpallet fituesi i koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Jemi në një proces shumë të rëndësishëm dhe angazhimeve tjera të cilat i kemi në agjendën tonë prioritare, por edhe të projektit për termocentralin “Kosova e Re”, por në të njëjtën kohë edhe të procesit të privatizimit të PTK-së.

Ne do të punojmë që sa më shumë ta lehtësojmë investimin e jashtëm në Kosovë.

Ju faleminderit për vëmendje!