Nordiket, gratë më të lumtura të planetit
Norvergji, Suedi, Finlandë, të gjithë e dinë që këto janë vendet ku jetojnë femrat më të lumtura të planetit. Pjesëmarrja e tyre është e pranishme kudo, nga politika te shërbimet e thjeshta, duke ua bërë jetën një parajsë të vërtetë.Një femër në vendet e Europës Veriore nuk ka asnjë arsye përse të ketë zili një mashkull: ato mund të jenë drejtuese kompanish të fuqishme, të pranishme në jetën politike dhe kulturore të vendit. Sipas një studimi të fundit të bërë në shumë vende europiane, gratë e Europës Veriore tregonin se ishin shumë të lumtura dhe nuk u mungonte asgjë. Mjafton që të kesh dëshirë për të bërë diçka dhe mund t’ia dalësh mbanë. Gratë në Norvegji, përveçse në shumë sfera të jetës janë të barabarta me burrat dhe kanë ditur të fitojnë pozicion dhe influencë në sferën politike. 30 vjet më parë vetëm 15 për qind e përfaqësuesve të Parlamentit norvegjez ishin gra, ndërsa vitet e fundit kjo shifër lëkundet mes 36 dhe 39-s.
Kjo rritje për mundësi të barabarta mes dy sekseve lidhet ngushtë me mundësitë e shumta për shkollim dhe karrierë për gratë. Sot pothuajse të gjitha subjektet politike vendase e mbështesin programin e tyre te forca e femrave. Norvegjia ka qenë ndër vendet e para që ka zgjedhur një ministre femër në vitin 1986, e cila po ashtu formoi një qeveri me një numër rekord ministre gra. Që atëherë asnjë qeveri vendase nuk është formuar me më pak se 40 për qind femra në përbërje të tyre. Gratë vendase kanë mundësi për të bërë karrierë dhe gjetur punë të mira, njëlloj si meshkujt. Ato nuk paragjykohen dhe ndalohen për asgjë, madje shteti social i ndihmon për të kaluar periudha të vështira. Si në ndërmarrjet shtetërore dhe në ato private vihet re një numër i madh grash në postet drejtuese. Aty është e detyruar me ligj që si femrat ashtu edhe meshkujt duhet të jenë pjesë e kompanive të ndryshme qofshin këto private apo shtetërore. Pas nuk ngelen edhe Finlanda dhe Suedia. Sipas të dhënave në sajtet e ministrive për mundësitë e barabarta mbi përfaqësimin e burrave dhe grave në parlamente vendase vendet e Europës Veriore vazhdojnë të mbeten lidere në respektimin e mundësive të barabarta. Numri i lartë i grave në jetën politike varet nga faktorë kulturorë, por edhe nga një polikë që prej kohësh i mbështet gratë në iniciativat që ndërmarrin.
Finlanda
Shembulli më i mirë i mundësive të barabarta mosdiskriminim dhe kujdesit për gratë në karrierën e tyre është ai i Tarja Halonen, presidentes së Finlandës, e cila e mban këtë post që prej vitit 2000. Pas rizgjedhjes në vitin 2006, mandati i saj skadon në 2012. Presidentes i pëlqen shumë historia e artit, teatri dhe noti. Në 26 gusht të vitit 2000 ajo u martua me shokun e saj Pentti Arajarvi, në një ceremoni civile në Mäntyniemi, pas një marrëdhënieje që zgjati më shumë se 15 vjet. Të dy kanë fëmijë nga raportet e mëparshme. Në Finlandë lidhja e tyre nuk ishte sekret, por martesa shërbeu mbi të gjitha për të qartësuar pozicionin e Arajarvi gjatë vizitave të Presidentes jashtë vendit.
Suedia
Eba von Sydow, 25 vjeçe, është femra më e njohur në Suedi. Ajo është imazhi i fushatës kundër duhanit dhe kryeredaktorja e revistës më të madhe në vend për femrat, “Vecko Revyn”. “Çdo vajzë në Suedi kërkon të jetë si Eba. Ajo i ka të gjitha, sukses, pushtet, zgjuarsi dhe bukuri”, thotë një vajzë 28-vjeçare në Stokholm. Me pak fjalë, Eba është shembulli i përkryer i asaj që kërkimet e fundit kanë treguar: Suedia është vendi ku gratë “lulëzojnë”. Në vitin 2009, një raport nga Forumi Ekonomik Botëror tregoi se vendi skandinav është më i përparuari në botë për gratë, me një barazi të madhe me meshkujt, pushtet dhe politika sociale mbi shëndetin. Eba shpjegon se kultura e përgjithshme pro fermave që ekziston në vend e ka ndihmuar të realizojë ëndrrat e saj. “Bëj një jetë fantastike dhe kam një punë që e dua. Gratë këtu gjykohen në bazë të talentit dhe jo të gjinisë.
Nëse je i zoti në atë që bën, shumë shpejt këtu mund të arrish në majë”, thotë ajo. Suedia, me një popullsi prej 9 milionë banorësh, ka një histori të gjatë për politikat miqësore ndaj meshkujve. Qeveria u ka dhënë femrave të drejta të barabarta që nga viti 1845. Në vitin 1901, ishte i pari vend në botë që futi programin për lejen e lindjes. Në 1958-n, kisha luteriane suedeze ndryshoi doktrinën e saj për t‘i lejuar femrat të bëheshin priftëresha. Sot, femrat politikane zënë gjysmën e Parlamentit në vend.
Qëllimi për barazinë mes meshkujve dhe femrave nis shumë herët: “Trajnimet antiseksiste” fillojnë që në kopsht, ku meshkujt inkurajohen të luajnë me kukulla, ndërsa femrat me makina. Në shkolla, lëndët për gatim, rrobaqepësi, punim metalesh dhe zdrukthuari janë të detyrueshme për të dyja sekset. Të gjitha vitet e edukimit, përfshi edhe kolegjin, janë falas dhe vajzat prej kohësh dalin më mirë se djemtë. Në vitin 2005, femrat përbënin më shumë se 60 për qind të studentëve në Suedi. Ndoshta ky fleksibilitet rolesh në jetën e përditshme e kishte bërë një faqe interneti vendase të shkruante: “Në vendin tonë, gratë drejtojnë autobusin, ndërsa burrat kujdesen për fëmijët”. Për Eban, liria nga rolet tradicionale do të thotë se asaj nuk i është dashur kurrë të zgjedhë mes punës dhe një jete të lumtur në shtëpi. “Shumë pak meshkuj preferojnë që gratë e tyre të qëndrojnë në shtëpi”, thotë ajo.
“I dashuri im e ka pranuar faktin që puna ime përfshin mbledhje të vazhdueshme dhe udhëtime dhe është i lumtur për faktin se mua më pëlqen. Eba jeton me të dashurin, i cili, edhe pse punon nga ora 9:00 me 17:00 në një kompani lëkure, bën edhe punët e shtëpisë. Sipas një studimi, meshkujt suedezë bëjnë më shumë punë shtëpie se ata në të gjitha vendet e botës, me një mesatare prej 24 orësh në javë. Ndërsa i dashuri i saj pastron shtëpinë, ajo përpiqet të shndërrohet në një model për 250 mijë lexueset e revistës së saj. Eba përpiqet të bëjë bashkë këshillat mbi stilin e bukurinë dhe refuzon të botojë artikuj për dietat apo modën që ndoshta mund të dëmtojnë shëndetin e grave. “Përpiqem të përçoj mesazhin se bukuria qëndron te respekti ndaj vetes, jo tek idealet e pamundura”, shprehet Eba. Megjithatë, ajo mendon se femrat suedeze nuk duhet të heqin dorë nga feminiliteti i tyre. “Kam provuar se mund të jesh e zgjuar dhe njëkohësisht të kesh shumë feminilitet. Marr me qindra letra në ditë nga vajza që thonë se shërbej si një model frymëzimi për to”. Në fakt, shumë femra në vend e kanë të lehtë të ndërthurin feminilitetin dhe idealet femërore.
Karin Gablad, 49 vjeçe, është shefja e policisë së Stokholmit, me detyrën që të luftojë krimin në kryeqytet dhe ka në dispozicion rreth 4600 oficerë. “Mënyra ime ndryshon nga ajo e meshkujve. Në shumë raste, përdor psikologjinë dhe negociatat, por nuk kam frikë të përdor edhe forcën fizike”, thotë policja e gjatë bionde. Shefja Gablad ndodhet në këtë pozicion falë një fakti të thjeshtë, rezultateve të mira. Nën drejtimin e saj, kriminaliteti ka rënë me 9 për qind. Pasi mori detyrën në vitin 2003, ajo mori famë, pasi kapi disa nga kriminelët më të rrezikshëm. “Femrat mund të jenë police të shkëlqyera, sepse janë më pak egoiste dhe më kundërshtuese se meshkujt”, rrëfen ajo.
Afërsisht, një në tre oficerë policie në Stokholm është grua, madje në disa akademi policie, femrat janë më shumë në numër se meshkujt. Por a është Suedia parajsa e vërtetë për femrat? Për shkak të të ardhurave të larta nga taksat, gratë fitojnë rreth 22 mijë dollarë në vit, nga 29 mijë që fiton një amerikane, ndërsa çmimet janë rreth katër herë më të larta në vendin nordik.
Një buzëkuq kushton rreth 15 dollarë, ndërsa një palë xhinse të thjeshta, jo firmato, rreth 130 dollarë. Për të rinjtë që kërkojnë të argëtohen, një mbrëmje jashtë nuk kushton më pak se 150 dollarë. Në vend, meshkujt rrallë lejohen të paguajnë kur janë në një restorant, ndërsa sipas studimeve të shumta, zakonisht janë fermat ato që marrin iniciativën të parat. Aty një grua mund të dalë njëkohësisht me tre apo katër meshkuj, pa u shqetësuar për paragjykimet shoqërore. Edhe kur vjen puna te liria seksuale, është e vështirë të imagjinosh një shtet me rregulla strikte. Për shembull, filmi “Sex and the city”, aty transmetohet në televizor zakonisht në orën gjashtë pasdite, ndërsa femrat nuk gjykohen ose pyeten kurrë për lidhjet apo partnerët e tyre të mëparshëm.
Edhe fjetja vetëm për një natë me dikë aplikohet në vend, pa asnjë lloj paragjykimi. Edhe pse pjesa më e madhe e grave suedeze janë të punësuara, vendi renditet në krye të klasifikimit për sa i përket numrit të lindjeve në Europë, kjo falë ligjeve për lejen e lindjes. Çiftet suedeze, si burrat ashtu dhe gratë, marrin 13 muaj leje lindjeje të paguar dhe tre muaj të tjerë me një tarifë fikse. Nga këto, 60 ditë duhet të merren nga nëna dhe 60 nga babai, ndërsa pjesa tjetër ndahet sipas zgjedhjes së tyre.
Ndarja e barabartë e përgjegjësive është e detyruar me ligj. Barazia mes femrave dhe meshkujve shtrihet në shumë zona të tjera në Suedi. Sportet për femra jepen po aq sa ato të meshkujve në televizion. Po ashtu, në qendrat tregtare, tualetet janë të njëjta si për femrat dhe meshkujt. Në vitin 2004, gjiganti suedez i prodhimit të makinave, “Volvo”, krijoi makinën e parë krejtësisht për femra, ku sediljet ishin me formën trupore të grave dhe mundësinë për t‘i dhënë makinës me taka të larta. Pavarësisht kësaj, ka edhe gjëra për të cilat vendi është bërë pre e kritikave.
Një shenjë e pabarazisë është rroga, ku femrat marrin rreth 83 për qind të asaj të meshkujve. Suedia është kritikuar nga “Amnesty International” se nuk ka bërë aq sa duhet për të shmangur dhunën dhe diskriminim ndaj minoriteteve etnike. Por a është ajo parajsa e femrave? Verdikti varet nga këndvështrimi: gratë japoneze jetojnë më gjatë, ato amerikane fitojnë më shumë, greket preken më pak nga kanceri i gjirit. Megjithatë, suedezet duken të lumtura në pjesën e tyre: “Kam shkuar në shumë vende të botës, por jeta në Suedi është e veçantë për femrat. Nuk ka asnjë vend tjetër ku do të doja të jetoja”, përfundon Eba. (gazeta shqip)