Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ushtria e Venezuelës që ta përkrahë udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, dhe e ka bërë kërcënimin më të qartë deri tash nëse ushtria vazhdon ta mbajë anën e Nicolas Maduros.

“Nuk do të gjeni asnjë liman të sigurt, asnjë dalje të lehtë dhe asnjë zgjidhje. Do t’i humbni të gjitha. Ne kërkojmë tranzicion paqësor të pushtetit, por të gjitha opcionet janë të hapura”, tha Trump gjatë një fjalimi në Unversitetin Ndërkombëtar të Floridas në Miami, ku ishin vendosur dy flamuj të mëdhënj amerikan dhe venezuelas.

Në anën tjetër, përmes një paraqitjeje në televizionin shtetëror, Maduro e ka akuzuar Trumpin për gjuhën e përdorur. Sipas tij, gjuha e presidentit amerikan është pothuajse e njëjtë me gjuhën e nazistëve dhe se ai po mendon që mund ta urdhërojë ushtrinë e Venezuelës. “Kush është komandat i forcave të armatosura? Donald Trumpi nga Miami”, tha Maduro, duke shtuar se amerikanët po mendojnë se ata janë pronarë të Venezuelës.

Gjatë fjalimit në Universitetin e Floridas, presidenti amerikan tha se e vlerëson vendosmërinë e miliona banorëve të Venezuelës, patriotizmin e kuvendit kombëtar dhe guximin e jashtëzakonshëm të presidentit të përkohshëm, Juan Guaido. Sipas tij, populli i Venezuelës është ngritur për të kërkuar liri dhe demokraci dhe se Amerika është në anën e tyre, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në