Një komb, por jo edhe një fat!
Për fatin e mirë të këtij kombi, ende vazhdojmë të paktën ta ndjejmë veten si një tërësi, si një trup me një turp të madh përpara kombeve tjera që çështjen e unifikimit në të gjitha aspektet e kanë bërë që moti, jo me poezi as me drama, besa as me fjalor populist pranë atyre që për komb jepnin gjithçka, por në skajshmëri të penguar prej atyre që i shisnin mend me para të majme, po këtyre të ndershmëve. Në trungun e quajtur Shqipëri, ndodhën aq shumë gjëra të pakuptimta sa që detyrimisht realiteti ndër vite në këto treva na shtyn të dyshojmë edhe në rrënjët e po këtij trungu, që të paktën historikisht dhe teoritikisht pandehim se jemi një dhe vetëm një. Derisa po tentoj t’i hedh këto pak shkronja për sendërtimin dhe shtresimin e ca fjalive rreth këtij fati të dhembshëm të kombit shqiptar, më sillet vërdallë kokës një pemë e shartuar nga një automekanik. Rrënja dhe trupi i kësaj më paraqitet si e arrës, por e njëjta pemë me gjethe të mollës, të dardhës, të kumbullës, të arrës, të qershisë e të pjeshkës, dhe krejt në fund duke e shikuar këtë pemë vetëm si dekor fare pa fryte. Për të mos e hutuar më shumë veten dhe eventualisht ndonjë biolog, do të vazhdoj të shkruajë në prani të kësaj paqartësie, ndoshta me kalimin e kohës shkenca do të na japë ndonjë përgjigje rreth funksionimit të këtij konglomerati.
Shqipëria e shpalli vetën të pavarur në vitin 1912, por peshqit tjerë mishngrënës nuk e njohën në këtë vit. Shqiptarëve që mbetën jashtë kësaj Shqipërie, nuk u mbeti gjë tjetër pos heshtazi nëpër oda të ndejës t’ia urojnë njëri tjetrit këtë ditë të madhe. Shqiptarët e Shqipërisë londineze u mbërthyen prej komunizmit të ashtuquajtur shqiptar, ndërsa shqiptarët e aneksuar prej sllavëve i “përqafoi“ komunizmi jugosllav. Shqiptarët e pushtuar, me ngashërim e vajtuan Titon në kohën kur ai vdiq, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë londineze me psherëtimë e pranuan lajmin për vdekjen e Enverit (pati edhe këndej gardhit prej atyre që u mërzitën për vdekjen e Enverit, por ata ishin të paktë). Shqiptarët e Shqipërisë londineze në vitin 1997 u zhytën në trazira shtetërore, duke përfunduar kështu me një imazh tejet të keq përpara botës dhe, njëkohësisht duke i stopuar shumë procese tjera progresive. Ndërsa shqiptarët këndej gardhit në po të njëjtin vit u ballafaquan me po të njëjtin thelb të problemit, e njohur si “afera TAT“, si dhe po në këtë vit ndodhën ngjarjet dhe trazirat në Gostivar, ngjarje të cilat u shoqëruan me burgosje, plagosje dhe vrasje të shqiptarëve, si zakonisht të pafajshëm. Pas këtij viti filloi lufta në Kosovë, duke i treguar praktikisht botës se, herët apo vonë aspiratat tona absolute janë bashkimi ynë kombëtar, ashtu pra natyrshëm siç na kishte krijuar Perëndia, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë londineze publikisht deklaruan se ne nuk mund të futemi në luftë, por e ndjejmë vetën se jemi në luftë, pra duke e ndarë kështu ndjenjën me fatin fizik të shqiptarëve andej gardhit. Kosova u “çlirua“, por filloi “çlirimi“ i Kosovës Lindore! Pasi u zhyt edhe më tepër në robërim Kosova Lindore, filloi “çlirimi“ prej kthetrave vrastare “maqedonase“ i popullit shqiptar që jeton në këto treva të veta, por jo edhe të udhëhequra nga vetë ai. Shqiptarët këndej gardhit e shpallën të pavarur shtetit e tyre të dytë shqiptar (komb kosovar – tezë idiote e plasuar prej “spiunëve”, siç janë Halili, Nexhmedini, Migjeni etj.), ndërsa të tjerët me mallëngjim uronin këtë ditë të madhe, por me ndjenja të venitura, sepse himni dhe flamuri i këtij shteti të ri e me rrënjë të thella dhe të vjetra, asgjë nuk kishte shqiptare. Shqiptarët e Shqipërisë londineze e festuan hyrjen e tyre në NATO, ndërsa shqiptarëve këndej gardhit nuk u mbeti gjë tjetër pos të merren me disa probleme dhe kontestime të krijuara prej të tjerëve.
Pasi të “mëdhenjtë“ tanë e panë mallëngjimin tonë, tentuan që dhimbjen tonë ta zbusin, duke na premtuar se të bashkuar do të jemi vetëm në Bashkimin Evropian, ata “harruan“ se nëse fantazohen me këso lloj idesh, atëherë shqiptari më nuk do të ndjehet edhe aq shqiptar, por evropian me kryetar dhe kryeministër vendor sllav. Si dhe ideja e gjithë kësaj kronologjie transite më lindi një ditë deri sa po bisedoja përmes linjës elektronike me gazetarin dhe publicistin Sajmir Lleshin nga Tirana, ku unë si qytetar i FYROM-it, pa ndonjë qëllim lëndues i thashë se po shëtis i lirë nëpër Evropë, ndërsa ai shumë shkurt për të ma bërë me dije në mënyrë analogjike se edhe Evropa nuk na bashkoi, mes tjerash, më tha se “ende vëllezërit tuaj nuk e fituan liberalizimin e vizave, ashtu siç edhe ju ende nuk e fituat anëtarësimin në NATO”.
Kështu, pra ishte, është dhe në pamundësi të prishjes së gjumit tonë katër-stinorë, pa dyshim se do ta kemi fatin e ndryshëm, duke kaluar pastaj kjo dukuri në normalizim. Nëse kjo dukuri me të vërtetë kalon në normalizim, atëherë treguesi që do të jetë përcaktues i identitetit tonë, padyshim se do të jetë fati, kurse për laramanin dhe pamëshirën e fatit që moti jemi të informuar. Pra, mos të hidhërohemi!