Ndërron jetë futbollisti italian, Italia e shokuar
Morosini ka rënë në tokë në minutën 31 të lojës Peskara-Livorno, pasi ka pësuar sulm në zemër. Futbollisti 25-vjeçar ka arritur në spital në gjendje kome, ndërsa mjekët, me gjithë përpjekjet, nuk kanë arritur ta shpëtojnë.
“Tragjedi në fushë. Pas pësimit të një arresti kardiak, gjatë ndeshjes mes Livornos dhe Peskaras, Piermario Morosini ka vdekur”, ka konfirmuar Seria B në ueb-faqen e saj.
Italia gjendet në shok, pas vdekjes së futbollisti të Livornos, Piermario Morosini, jatë ndeshjes kundër Pescaras.
Skuadra e Livornos deri në momentet e ndërprerjes ishte në avantazh ndaj Pescaras me rezultatin 2:0. Kur Morosini u rrëzua në fushë, stafi i mjekëve të të dyja ekipeve u munduan t’i jepnin ndihmën e parë para se ta dërgonin me autoambulancë në spitalin lokal.
“Më shikoi në sy para se të futej në autoambulancë. Morosini një herë u rrëzua dhe pastaj u mundua të ngrihej, gjë të cilën e vërejti fizioterapueti i ekipit tonë”, tha i tmerruar drejtori i Pescaras, Danilo Iannascoli.
Morosini para fillimit të këtij edicioni ishte i huazuar te Livorno nga skuadra e Udineses, e cila bën gara në Serie A.
“Lojtarët u larguan nga fusha me lot në sy, sepse përjetuan një gjë tmerruese”, ka thënë presidenti i Pescaras, Daniele Sebastiani. “Jam pa fjalë, ishte një tragjedi e vërtetë, sepse ndërroi jetë një futbollist i ri dhe atë në fushë. Me thanë se Morosini ka pësuar tri sulme të njëpasnjëshme, të cilat edhe shkaktuan vdekjen”.
Menjëherë ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Italisë, e cila ka suspenduar automatikisht ndeshjet e javës së 33-të në Serie A, të parapara për këtë fundjavë. Ndeshjet në Serie A dhe në Serie B javën tjetër do të nisin me një minutë heshtjeje në nderim të Morosinit, i cili në muajin korrik do të festonte ditëlindjen e tij të 26-të.
Vdekja e Morosinit vjen vetëm një muaj pas kolapsimit të mesfushorit të Boltonit, Fabrice Muamba, i cili pësoi sulm kardiak gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit. Ai është ende duke u shëruar.