Muret e kaosit ndërshqiptar
Elida ZYLBEARI
Shumë kritika për mosfunksionimin e komunikimit dhe bashkëpunimin kulturor mes shqiptarëve të Maqedonisë, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Analistë dhe publicistë nga të tre vendet fqinje, shprehen se komunikimin ndërkulturor është i mangët, aksidental, i paorientuar dhe pa ndonjë koherencë në afirmimin e përmbajtjeve të mirëqena kulturore. Sipas tyre, kultura shqiptare ende është e copëtuar si në kohën e socializmit, ndërsa gazetat dhe revistat, nuk kanë pengesa kufitare për t’u shitur në të tre vendet, por kjo rrallë realizohet.
”Kam frikë se ne shqiptarëve ka filluar të na pëlqejë të mbetemi të mbyllur në ‘principatat tona kulturore’, se kemi filluar të ndjehemi më mirë mes mureve mentale që i la e kaluara dhe të funksionojmë si një kulturë, por e ndarë në më shumë dikastere.
Andaj, mendoj se kultura shqiptare ende është e copëtuar si në kohën e socializmit, se Prishtina ende vuan nga ndjenja e ‘vetëmjaftueshmërisë’, e Tirana nga bindja se matanë kufijve nuk ka asgjë të vlefshme që atë do ta interesonte. Diku mes këtyre dy qëndrimeve të dëmshme për kulturën mbarëshqiptare, mbetemi ne të Maqedonisë dhe të tjerët që kanë dy piemonte kulturore – Prishtinën e Tiranën, por që vetëkënaqen duke qenë vlera të mëhallës së tyre“, ka thënë shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti.
Për publicistin tjetër nga Shqipëria, Çelo Hoxha, mungon vizioni i përbashkët në nivel politik për të funksionuar si një treg i përbashkët kulturor.
”Komunikimi kulturor i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, mendoj se është fragmentar, i rastësishëm dhe për rrjedhojë i paorientuar dhe jofunksional. Me sa jam i informuar, mungojnë projektet e përbashkëta, sepse mungon vizioni i përbashkët, i cili duhet të ekzistojë në nivel politik. Politikat kulturore mendoj se shqiptarët duhet t’i kenë të njëjta dhe mbi këtë frymë do të jenë dhe projektet. Shqipëria dhe Kosova janë tërësisht shqiptare dhe duhet të kenë rolin parësor. Ne duhet të funksionojmë ashtu siç jemi: një treg i përbashkët kulturor”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se komunikimi kulturor është gjë shumë serioze, i cili nuk mund të lihet vetëm në dorë të organizatave jo qeveritare apo institucioneve kulturore private.
Nga ana tjetër, kulturologu Bardhyl Zaimi, thotë se edhe pas dy dekadave të pluralizmit muret e komunikimit kulturor shqiptar, pamundësojnë vlerat kulturore që produksionet e ndryshme të qarkullojnë lirshëm.
”Nëse gjatë periudhës së komunizmit ky eks-komunikim kulturor ishte i kuptueshëm, në vitet e demokracisë duket paradoksal, i papranueshëm dhe nganjëherë neveritës. Tashmë këto mure nuk janë ideologjike, por duket se janë mure kaosi, mungesë vullneti dhe menaxhimi institucional. Në të shumtën e rasteve këmbimet kulturore mes hapësirave shqiptare, për nga cilësia kanë qenë produksione ‘puberteti’ të trafikuara nga politika dhe nga rrufjanë që kanë përfituar ndonjë pozicion në institucione”, ka thënë Zaimi.
Ai theksoi se ky komunikim nuk e përmbush misionin e afirmimit të kulturës shqiptare, si një tërësi identitare dhe frymë që duhet të institucionalizohet në formën e një dialogu të përhershëm vlerash, të bazuar në një sistem referencial të verifikuar. Ndërkohë, Eqrem Basha, shkrimtar nga Kosova, thotë se për këtë gjendje fajtor janë vetë shqiptarët të cilët më lehtë komunikojnë me të huaj se sa me fqinjët shqiptarë.
“Paradoksi është aq i thellë sa ndonjëherë të duket se më mirë komunikojnë të tjerët me ne dhe ne me të tjerët, se sa ne midis nesh. Dikur e kishim një arsyetim se ishin regjime totalitare dhe shoviniste që na pengonin (sidomos në rastin Kosovë – Shqipëri), por tash që pengesa të tilla nuk ka, apo ka më pak, kush është fajtor? Duket se jemi ne vetë. Duket se kemi probleme me vetveten, me sedra dhe botëkuptime absurde, me shkurtpamësi dhe mendjemadhësi të kota. Të gjithë shkojnë nga zgjerimi i horizonteve, i bashkëpunimeve, i koordinimeve të aksioneve dhe projekteve kulturore, kurse ne shkojmë nga ngushtimi nga provincializimi. Më lehtë e kemi të thërrasim një teatër nga Ukraina, apo nga Finlanda, se sa nga Prishtina në Shkup, nga Shkupi në Tiranë“, ka thënë Basha.
Sipas të dhënave, gazetat dhe revistat nuk kanë ndonjë pengesë kufitare për t’u shitur në të tre vendet, por kjo rrallë realizohet.
”Me sa e di, në Shkup nuk mund të gjesh asnjë gazetë që botohet në Prishtinë apo në Tiranë, e këtu i ke të gjitha që vijnë nga Sofja apo Beogradi. Kjo flet për copëtimin e hapësirës informative shqiptare që është e njëjtë me ‘copëzat’ kulturore të popullit tonë”, shprehet Kim Mehmeti. Ndërkaq, Basha ka nënvizuar se gazetat janë tepër lokale për të qenë interesante.
“Një gazetë të Shkupit, apo të Tiranës, të Prishtinës, që merret vetëm me problemet efemere, lokale, partiake, të mëhallës, afër mendsh se nuk do ta blejnë të tjerët, nëse nuk ka interesa të përgjithshme të përbashkëta”, ka thënë Mehmeti.
Për Zaimin gazetat e Maqedonisë nuk pretendojnë një treg të tillë mbarëshqiptar.
”Shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë kanë shfaqur interesim për zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë, sepse edhe në aspektin socio-kulturor kjo është e kuptueshme. Por, ky pejzash nuk do të thotë se nuk mund të plotësohet edhe me praninë e gazetave dhe revistave të këtushme në Shqipëri dhe Kosovë. Ngecja me duket se qëndron te ndenja inferiore e jona, ndaj produksioneve të atjeshme, që nuk mund të konsiderohet e vërtetë. Ka edhe në Maqedoni vlera që denjësisht mund të prezantohen edhe atje”, ka shtuar Zaimi. Ndërkohë, Çelo Hoxha vlerëson se libri dhe shtypi duhet të qarkullojnë lirshëm në të tre vendet, ndërsa Kosovën dhe Shqipërinë si shtete të pavarura, nuk i ndalon kush që ta liberalizojnë doganën mes tyre. “Kosova dhe Shqipëria kanë mundësi të ndikojnë që dhe Maqedonia të tregohet më liberale ndaj disa artikujve. Ose, të paktën, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë pse të krijojnë barriera për librat dhe shtypin shqiptar që mund të vijë nga shqiptarët e Maqedonisë”, ka thënë Hoxha.
Copëtimi i hapësirë informative shqiptare
”Me sa e di, në Shkup nuk mund të gjesh asnjë gazetë që botohet në Prishtinë apo në Tiranë, e këtu i ke të gjitha që vijnë nga Sofja apo Beogradi. Kjo flet për copëtimin e hapësirës informative shqiptare që është e njëjtë me ‘copëzat’ kulturore të popullit tonë”, shprehet Kim Mehmeti.
Ngushtimi nga provincializmi
“Të gjithë shkojnë nga zgjerimi i horizonteve, i bashkëpunimeve, i koordinimeve të aksioneve dhe projekteve kulturore, kurse ne shkojmë nga ngushtimi nga provincializimi. Më lehtë e kemi të thërrasim një teatër nga Ukraina, apo nga Finlanda, se sa nga Prishtina në Shkup, nga Shkupi në Tiranë“, ka thënë Eqrem Basha.
Komunikimi fragmentar
“Komunikimi kulturor i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, mendoj se është fragmentar, i rastësishëm dhe për rrjedhojë i paorientuar dhe jofunksional. Me sa jam i informuar, mungojnë projektet e përbashkëta, sepse mungon vizioni i përbashkët, i cili duhet të ekzistojë në nivel politik”, ka thënë Çelo Hoxha