MPB pa detaje të reja rreth vrasjes se pesëfishtë
Ministria e Brendshme po analizon rreth 50 video-incizime të kamerave të sigurisë lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smillokvcë, bëri të ditur sot Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska. Incizimet janë siguruar nga kamerat e pompave të benzinës, dyqaneve, bankave dhe vendeve të tjera përreth të cilat eventualisht mund t’i kenë filmuar aktorët e krimit. Nga MPB thonë se për kontrollimin e të gjitha video materialeve do të nevojiten disa ditë. Jankullovska bëri të ditur se po analizohen gjurmët e gjetura në makinën ‘opel’ ndërsa është zbuluar e gjithë historia e kësaj makine, e cila ishte gjetur në afërsi të vendngjarjes, për të cilën sipas saj tashmë është vërtetuar se ka qënë në vendin ku ka ndodhur vrasja. Dihen të gjitha detajet edhe rreth ‘mercedesit’ nga e cila janë vjedhur tabelat e regjistrimit të cilat më pas janë vendosur në makinën ‘opel’. Gjithashtu policia njofton se makina opel në Maqedoni ka depërtuar para një kohe më të gjatë.
Policia gjithashtu pas rekonstruimit ka zbuluar se vrasja ka ndodhur në një periudhë shumë të shkurtër respektivisht për 5 ose 10 minuta para orës tetë, ndërsa rasti në polici është denoncuar në orën 22 e 15. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska gjithashtu tha se policia nuk nënvlerëson asnjë informacion ndërsa analizohen të gjitha skenaret dhe rrethanat lidhur me incidentin duke mos përjashtuar as mundësinë që të jetë si kundërpërgjigje e aksionit policor ‘detonatori’. Ndërkaq një ditë më parë kryeministri Gruevski në një tribunë partiake u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e një klime që dikush tjetër dëshiron ta krijojë dhe të mos kualifikohen si fajtor të gjithë etnitetet por kriminelët të përgjigjen personalisht.
“Pavarësisht se cilës strukturë etnike i takojnë ato duhet të përgjigjen personalisht dhe jo në mënyrë kolektive. Nëse ata janë maqedonas nuk janë fajtor të gjithë maqedonasit nëse 1, 2 apo 3 monstrumë kanë vendosur të vrasin 5 njerëz. Nëse janë shqiptar gjithashtu nuk janë fajtor të gjithë shqiptarët nëse 3, 4, 5 monstrum kanë vendosur të vrasin njerëz të rinj dhe të shkatërrojnë jetët e tyre. ..Nëse qëllimi i dikujt që përmes kësaj të shkaktojë arsye që mes veti të përleshemi maqedonas me maqedonas apo maqedonas me shqiptar ta dinë se ky shtet është i pjekur se kjo shoqëri është pjekur dhe nuk do ti lejojmë që të na shtyjnë në skenare të tilla”, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski.
Ndërkaq sindikata e policëve maqedonas ka kërkuar nga qytetarët dhe mediat që t’i japin hapësirë policisë të bëjë punënë e vet, pa mos vendosur spekulime të panevojshme dhe supozime të cilat do të ndikonin në hetimet. Në momente të tilla nuk duhet të përhapuim dyshime dhe urrejtje, dhe të bien në situatë që për shkak të interesane politike apo agjendave të huaja ta keqpërdorim gjendjen dhe të nxisim tensione, janë shprehur nga sindikata e policëve.