image

 Asambleja Parlamentare e Këshillllit të Evropës ka miratuar raportin e paraqitur nga Dick Marty-t, duke i dhënë atij fuqinë e një rezolute.

Ai u miratua me 191 vota pro dhe me vetëm 8 vota kundër.

Shumica e amendamenteve të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë, u hodhën poshtë.

Raporti ka pasur disa ndryshime te vogla, ndër të cilat më i rëndësishmi është ai në titullin e tij, ku në vend të ‘hetimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të organeve’, thuhet hetime për dyshime.

Vetë Dick Marty, tha se raporti i tij ishte keqinterpretuar nga liderët në Prishtinë dhe Tiranë.

Në prag të diskutimit të këtij raporti në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Thaçi ka ritheksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe ka shprehur gatishmërinë e autoriteteve kosovare për të ndihmuar në hetimin e akuzave serioze të ngritura nga zoti Marty.

“Unë i kam dërguar letër Këshillit të Evropës me një mbështetje të plotë që gjërat e shpifura të prezantuara në raportin e Dick Martyt të hetohen deri në fund. I kemi dhënë mbështetje të plotë autoriteteve të EULEX-it, Kosova është shtet ligjor, ne nuk kemi asgjë për të fshehur, prandaj i besojmë drejtësisë”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Për të ndjekur nga afër diskutimet për raportin e Marty-t, në Strasburg udhëtoi edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës.

Një anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Ibrahim Gashi që ndodhet në Strasburg, para udhëtimit e ka vlerësuar tendencioz përmbajtjen e raportit të senatorit zvicran Dick Marty.

“Raporti dhe raportuesi mund të akuzohen me shumë të drejtë se raporti ka një frymë shumë paragjykuese ndaj shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Janë paragrafët 3, 25, 53, 57 dhe 172 në të cilat akuzohet shoqëria shqiptare si shoqëri klanore dhe e bazuar në kodin e nderit dhe ligjet e Kanunit”.

“Në frymë të njëjtë janë edhe paragrafët e tjerë të cilët ne do të provojmë t’i kontestojmë për të ashtuquajturën mafia e frikshme shqiptare”, tha zoti Gashi.

Analistët thonë se rezoluta e Këshillit të Evropës, megjithëse nuk ka karakter obligativ, do të prodhojë efekte negative në imazhin e Kosovës.

Pretendimet për trafikim të organeve të civilëve serbë nga ana e ish UÇK-së në zonën kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës fillimisht u ngritën nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008.

Pas kësaj një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që autoritetet në Prishtinë, por edhe ato në Tiranë, kundërshtuan fuqishëm pohimet, duke kërkuar hetime të paanshme.

Zyrtarët në Prishtinë thanë se misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Tribunali i Hagës kishin hetuar këto dyshime më parë, por nuk kishin gjetur prova që vërtetonin kryerjen e krimeve të pretenduara.

Raporti i zotit Marty pati jehonë të madhe në mediat botërore.

Së fundi disa prej tyre, duke iu referuar raporteve të shërbimeve sekrete të KFOR-it, kanë akuzuar njërin nga njerëzit e afërt të kryeministrit Thaçi, zotin Xhavit Haliti, për përfshirje në një numër veprash kriminale, ndërsa kryeministrin Thaçi, siç thuhet, si “peshkun e madh” të krimit të organizuar në Kosovë.

Zoti Haliti i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se të njëjtat i kishte dëgjuar nga shërbimet sekrete serbe, ndërsa KFOR-i ka thënë se po heton burimin e dokumentit të fshehtë të përmendur në media dhe se, tani për tani, nuk mund ta komentojë atë. /BBC