Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka vlerësuar të ngutshëm ratifikimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet.

Pas disa tentativave, sot kjo marrëveshje u miratua në Kuvendin e Kosovës.

QKRMT-ja ka treguar arsyet që e konsideron si të ngutshëm ratifikimin e kësaj marrëveshjeje për mungesë të debatit publik lidhur me marrëveshjen, përkatësisht zbatimin e saj dhe efektet në praktikë.

“Përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut. I vetmi diskutim për këtë marrëveshje është organizuar nga QKRMT-ja në vitin 2022, ku në prezantimet e tyre ekspertët ndërkombëtarë i patën paraqitur sfidat eventuale në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në reagim.

QKRMT-ja thekson se aktualisht në Burgun e Gjilanit gjenden rreth 200 të burgosur, të cilët me rastin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje duhet të zhvendosen në burgjet e tjera.

“Sistemi Korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, qendrat e paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira.

Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve”, thekson QKRMT-ja.

Së fundmi, Komiteti i OKB-së kundër Torturës ka shprehur shqetësim e saj në raport me këtë Marrëveshje duke vënë në spikamë rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, nëse të burgosurit transferohen për të vuajtur dënimin nga Danimarka në Kosovë.

“QKRMT konsideron se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë punuar shumë për të përmirësuar kushtet e burgjeve dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye duhet me kujdes të veçantë të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshje”, thuhet tutje në reagim.

QKRMT-ja i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që fillimisht të bëjë zgjidhjen e duhur për vendosjen e të burgosurve që aktualisht gjenden në Burgun e Gjilanit, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Po ashtu QKRMT-ja bën thirrje që të ruhen standardet e krijuara dhe mos të lejohet që të krijohen standarde të dyfishte të kushteve të të burgosurve brenda Republikës së Kosovës.

QKRMT-ja gjithashtu kërkon nga institucionet që organizatave të shoqërisë civile t’u mundësohet monitorimi i të drejtave të njeriut në Burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka, me qëllim garantimin e aplikimit të standardeve dhe rregullave ndërkombëtare për personat e privuar nga liria. /Zëri

Shpërndaje artikullin në: