Presidenti Topi në intervistën e dhënë mbrëmë emisionin Top Story në TCH u shpreh se do të rikthehet në politikë si misionar. Donin ta largonin nga PD, qoftë edhe me ngritje në detyrë. Kështu e shpjegon zgjedhjen e tij nga mazhoranca. Hapi tjetër do të jetë misioni në politikë, aty ku mund të flasë lirshëm për gjithçka…

Zoti president, sapo jeni kthyer nga vizita në Britani. Kjo është hera e tretë që shkoni atje dhe pas Oksfordit dhatë leksion edhe në Kembrixh, e patët disa takime të ndryshme politike. Si u ndjetë kur dhatë leksion në sallën ku ka dhënë leksion më parë winston Churchill?

Pa dyshim, mbulohesh me një krenari dhe me një emocion të veçantë. Iu riktheva atyre emocioneve kur merresha shumë me jetën akademike. Kur më parë ke qenë në Oksford, duket si një detyrim për t’i frekuentuar të dy këto universitete ndër më të famshmit në botë. U rrethova me shumë interes nga studentët dhe kam kënaqësinë të them që atje kishte edhe mjaft studentë shqiptarë, me vlerësime maksimale.

 

Mos kjo kënaqësi që ndjetë nga rikthimi i përkohshëm në jetën akademike ju ka bindur që pas largimit nga Presidenca të vazhdoni këtë karrierë?

Unë, në jetë kam parimin që nuk i rikthehem gjërave pas një kohe të gjatë, i rikthehem kur ka ende një sens për t’u rikthyer. Më mungon dhe e kam në zemër jetën akademike, me kujtime të papërsëritshme në jetën time, por unë i jam përkushtuar politikës, kam bërë një karrierë në këtë drejtim dhe synoj që të vazhdoj këtë karrierë.

 

Është pikërisht politika ajo që dëshirojmë të flasim sot Zoti President, por përpara se të kalojmë në pyetjet e tjera, qëndrojmë pak tek Britania. A ju duket normale që prej një viti e gjysmë në këtë vend nuk kemi një ambasador?

Që në fillim dua të them se nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë, sepse nëse nuk e dini si funksionon, po e bëj prezent sot. Çdo propozim, sipas ligjit dhe kushtetutës, vjen nga kryeministri dhe pasi kalon në filtrin parlamentar në komisionin e politikës së jashtme, vjen të dekretohet tek Presidenti. Pas dorëheqjes së Zotit Madhi, që përkon një periudhë një vit e gjysmë më parë, nuk ka asnjë propozim në tryezën time, nuk ka iniciativë për këtë. Të lësh pa përfaqësim Londrën është pa dyshim një mungesë përgjegjësie e pafalshme, duke konsideruar rëndësinë e këtij vendi në politikën botërore dhe duke konsideruar se ndërkohë, Britania e zëvendësoi menjëherë ambasadorin, duke i dhënë shumë rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë. Kjo papërgjegjshmëri ka një emër konkret si përgjegjësi, kryeministrin. Pyetni atë si shpjegohet kjo papërgjegjshmëri e pafalshme.

 

I rikthehemi edhe një tjetër vizitës që bëtë ju në Maqedoni, vetëm disa ditë pas vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, që ngjallën shumë tensione në vendin fqinj. Madje, disa nga kritikët tuaj, e konsideruan këtë vizitë si shumë të guximshme për një president që nuk është karakterizuar nga guximi gjatë mandatit të tij.

Vizita ishte e parashikuar. Ishte vizita e dyta zyrtare brenda mandatit tim presidencial, çka dëshmon për marrëdhënien e mirë të dialogut politik midis dy vendeve. Në konferencën për shtyp me Presidentin Ivanov, një gazetar, duke iu referuar vizitave të shpeshta, arriti në përfundimin se sipas tij, nuk ka pasur arritje konkrete për gjendjen e shqiptareve. Pa dyshim, unë e kontestova në mënyrë të moderuar këtë gjykim dhe i thashë që unë kurrsesi s’jam hipokrit, i jap rëndësi marrëdhënieve bilateral përderisa takimi është dypalësh, por së pari shkoj për shqiptarët, për t’i takuar ata personalisht, por edhe faktorët e tyre politikë sepse janë marrëdhënie të kushtëzuara në shumë plane. Me ta, trajtuam tema me rëndësi jetike dhe ajo çka përkonte në moment të keq me vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, ishte një moment për t’i dhënë ngushëllimet familjeve dhe për t’i shkëputur nga konteksti që filloi të diskutohej nga qarqe nacionaliste dhe faktorë politikë në Serbi. Takimi im dhe Ivanov shërbeu pikërisht për të goditur insinuatat që vijnë zakonisht në mënyrë të padrejtë ndaj shqiptarëve.

 

Popullariteti juaj në vizitën në Maqedoni, ku u pritët si një president i të gjithë shqiptarëve ishte i qartë. Por, një javë më parë, i ulur në këtë poltronë, kandidati i vetëshpallur për president konsensual, Fatos Nano, ju kritikoi pikërisht për mos ushtrimin e plotë të kompetencave tuaja në një moment delikat dhe të ndonjë roli konkret në një moment delikat, si ai i 21 janarit.

Kur më thanë ditë më parë për këtë qëndrim, mendova se Zoti Nano e kishte fjalën për 14 shtatorin (1998), por duke e parë e kuptoj që prononcimi i tillë i tij lidhet me një pragmatizëm konkret. Më duhet të them se ndiej një lloj keqardhje sepse ai s’ka bërë gjë tjetër vetëm ka perifrazuar gjuhën e Berishës, duke dashur të jetë tërheqës, për të marrë mbështetjen e maxhorancës për të qenë në krye të shtetit. Do t’i kujtoja që nëse ka qenë në Shqipëri apo nëse ka qenë jashtë, uroj të ketë ndjekur rolin e Presidentit të Republikës në ato ditë, por edhe nëse nuk e ka ndjekur, e ripërsëris në 30 sekonda. Në datë 20 janar, në mbrëmje, unë organizova një pritje të përvitshme në Pallatin e Brigadave me diplomatët si çdo vit të ri dhe duke parë klimën e tensionuar politike, unë kam dalë nga teksti i shkruar dhe bëra një apel të çastit duke i kujtuar forcave politike se në kushtet e një tensioni të lartë politik, duke e thënë përpara ambasadorëve, bëra thirrje për qetësi, maturi e bashkëpunim. Për fat të keq, apeli shkoi në vesh të shurdhër dhe në 21 janar ndodhi ajo që ndodhi. Unë nuk dëshiroj të rikthehem në një temë që besoj se e kam ezauruar, por Presidenti i Republikës, ka zbatuar në mënyrë të përpiktë dhe me ekuilibër të plotë, të gjithë kompetencat e tij për të dalë nga ajo situatë, që u krijua ekskluzivisht nga tensioni midis dy forcave kryesore politike. Ajo ngjarje (21 janari) tregoi se duhet të punojmë më shumë me kokë se sa me këmbë, më shumë racionalë, me më shumë sens dialogu dhe jo sensin e forcës e prepotencës që shpesh vjen nga pushteti dhe nga dëshira për të qenë në pushtet. Presidenti nuk e ka pasur këtë emocion politik, sepse është në karrigen e kreut të shtetit, por ka dhënë apelet e duhura dhe përfaqësuesit e forcave kryesore politike kanë konsumuar orë të tëra në Presidencë, pa pasur asnjë vullnet për t’u marrë vesh. Ajo klimë nuk u formua në një ditë, siç dihet nga të gjithë, u konsumua ditë pas dite për fat të keq për një periudhë të gjatë kohe u fut në një shtrat kronik. Sot është moment që patjetër, çdo njeri që ka një projekt politik, qoftë edhe për të shkuar në zyrën e kreut të shtetit, duhet ta bëjë në mënyrë dinjitoze. Është e drejta e Nanos të konkurrojë, i uroj sukses në ambicien e tij, por për t’iu referuar asaj që tha si politikan i vjetër e me përvojë, i uroj që këtë garë ta përballojë me dinjitet. Por, tërhiqem nga komentet sepse nuk dua të ndërhyj në ambiciet e askujt, pasi më intereson vetëm procesi në të mirën e stabilitetit të Shqipërisë dhe cilido që do të jetë, i jap këshillë nga fryma e kushtetutës, balanca dhe respektimi i fizionomisë së secilit pushtet, por edhe ekuilibrimi i tyre. Përgjegjës për këtë periudhë është çorba e prillit 2008, e ndryshimeve kushtetuese pa u menduar, ndonëse dikush u mendua mirë, e tjetri u tregua amator politik dhe dëshira e maxhorancës për të dominuar çdo pushtet e institucion sot është shndërruar në një vuajtje për çdo shqiptar.  Atëherë presidenti zgjidhej me 84 vota, edhe pse e bënë me 71, nuk e kanë shumë të qartë dhe të lehtë rrugën për ta zgjedhur me aq sot.

 

Ç’është e vërteta, zgjedhja juaj, ndonëse shumë e ndërlikuar, u duk shumë më e lehtë krahasuar me këtë që po ndodh sot.

Është e rëndësishme që zgjedhja e presidentit nuk duhet të bëhet për interesat e një individi apo më gjerë. Ajo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, sepse nga ai institucion varet balanca e pushtetit nga prokuroria, drejtësia, shërbimi sekret dhe shumë elementë të tjerë që sikurse ka ardhur puna, me tendencën për të dominuar çdo pushtet, atëherë natyrisht s’do kemi më peshore të balancuar, por do të kemi një peshore me një drejtim të qartë.

 

Nënkuptoni se një president i zgjedhur nga Partia Demokratike prish balancën e pushtetit?

Nuk do ta thoja këtë pasi unë jam zgjedhur vetë nga PD, por unë u zgjodha me një frymë që shkonte përtej votës së maxhorancës, pasi 84 votat supozojnë një frymë konsensuale, në mos absolute, relative. Kjo është fryma e kushtetutës, duhet të ketë më shumë se 2/3 e votave që presidenti të jetë simbol i unitetit kombëtar dhe jo i një preference të caktuar politike. Kjo s’do të thotë që unë s’jam për profilin e një presidenti që vjen nga radhët e politikës, madje jam për këtë model. Pa përjashtuar një akademik, por mënyra se si është luajtur me këtë institucion në këto vite kërkon njeri me përvojë politike për të përballuar presione të jashtëzakonshme dhe një trysnie publike e gjuhe të ashpër publike, e jo vetëm komunikimi institucional.

 

Në thelb, së paku në këtë pikë, keni një qëndrim të ngjashëm si kryeministri Berisha, që flet për president politik.

Ju lutem mos më bëni referenca të tjera, pasi unë nuk jam një faktor politik, por Presidenti i Republikës dhe si i tillë mbi palët. Unë s’mund të bëj referenca politike pasi nuk jam i veshur me emocione të tilla.

 

Ju ndoshta keni të drejtë kur flisni për president politik dhe pas 1997 ju keni qenë presidenti më politik në Shqipëri, por karriera juaj si politikan më parë ishte i një politikani të moderuar, që zbuste klimën edhe kur dukej e ashpër.

Besoj se të moderuarit në Shqipëri nuk kanë mbaruar…

 

Por, edhe ju jeni detyruar të bëni deklarata të ashpra në të shkuarën.

Me analistët është interesante, sepse kur je i butë thonë shumë i butë, kur e forcon tonin të kundërtën. Unë jam marrë me studime në farmakologji e toksikologji. Një dozë farmakologjike është një dozë mjekuese që i bën mirë organizmit, por nga doza toksikologjike lëviz me të mijtat e miligramit, pra kur vjen puna tek ekuilibri. Pa dyshim, mënyra se si cakton tonin, varet nga ajo që përfaqëson dhe je në vetvete. Në Parlament, emocionet dhe ndryshimi i qëllimeve është edhe i kuptueshëm, por këtë nuk mund ta bëj një institucion, ku komunikimi duhet të jetë zyrtar dhe i qartë. Kur je president, je i rrethuar në konturet e kushtetutës, me këshilltarë që edhe nëse do të kontestosh një ligj, po qe me frymë kushtetuese, nuk mund ta bësh.

 

Si President i Republikës, si e pritët ekspertizën e FBI-së dhe faktin tronditës që shefi i gardës i ngarkuar edhe me ruajtjen e Presidencën kishte shtënë vetë mbi viktimat.

Kjo është një çështje në dorën e drejtësisë dhe pavarësisht analizës së kujtdo, për t’iu përgjigjur drejt së drejti asaj që ju thatë, në lidhje me ekspertizën e FBI-së, nëse nuk marr në konsideratë ekspertizën e saj, atëherë çfarë do të marrim në konsideratë pastaj. Përderisa ne i referohemi për nevoja të domosdoshme institucionit tjetër të një vendi partner, një vend demokratik dhe një vend me institucionet më të zhvilluara në botë, duhet të orientohemi dhe ta pranojmë ekspertizën si të tillë. Pastaj, është çështje e drejtësisë shqiptare që të marrë një vendim dhe unë asnjëherë s’kam bërë interpretime të kësaj natyre, sepse kam pasur respekt ndaj këtij institucioni, pavarësisht performancës jo gjithmonë të mirë të drejtësisë sonë.

 

Ku do të ktheheni dhe si?

Pse nuk do më jepni shansin edhe një herë tjetër?

 

Patjetër, por me çfarë stature?

Karriget janë bërë shumë të mërzitshme për mua. Nëse kthehem në politikë, do të kthehem si misionar.

 

Cili do të jetë misioni?

Misioni për të folur hapur për të gjitha gjërat sepse është një mundësi shumë më e madhe kur je në politikë direkt. Unë shkova në Presidencë pasi pata një eksperiencë të gjatë në parlament. Unë ndjehem i realizuar në karrierë. Kjo është arsyeja që unë të merrem me politikë për të bërë ç’është e mundur që në Shqipëri të ketë standarde të larta të funksionimit të ligjit.

 

Në bazë të Statutit të PD-së ju jeni anëtar i përhershëm i Këshillit Kombëtar?

Tashmë është një kapitull i mbyllur .E kanë mbyllur pikërisht ata që donin të më largonin qoftë edhe me ngritjen në detyrë.  Në jetën time private, profesionale, asnjëherë nuk jam sulmuar më shumë se nga ata me të cilët kemi kaluar sfida të jashtëzakonshme. Pjesa më e rëndomtë e këtij komunikimi është kur disa të ardhur nga preferencat e kryetarit, njerëz të emëruar që nuk kanë lidhje me memorien e atij subjekti, janë më agresivë.

 

Pra ju thoni se ka pasur aksion të qëllimshëm?

Këtë e tregon koha.