Maqedoni, arsimi shqip në gjendje alarmante
Nga Nurije Iseni
Arsimi shqip në Maqedoni po vazhdon të përballet me probleme të natyrave të ndryshme, duke u nisur nga USHT-ja, shkollat e mesme shqipe, por edhe mungesën e hapësirave për nxënësit e shkollave fillore.
Partitë shqiptare në Maqedoni, sidomos ato të opozitës, vlerësojnë se patjetër duhet të përcaktohet një agjendë për zgjidhjen e problemeve tashmë të hapura dhe që po krijojnë pasoja për nxënësit dhe studentët shqiptarë.
Partia Demokratike Shqiptare përmes një konference për shtyp akuzoi qeverisjen aktuale se me veprimet e saja dëmtoi rëndë arsimin shqip në Maqedoni.
“Edhe këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë do të ndeshen me probleme të mëdha, si pasojë e paaftësisë së BDI-së. Tekste shkollore skandaloze ku shqiptarët paraqiten me prejardhje rome, turke e maqedonase, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, ku lartësohen historia dhe figurat kontestuese një nacionale maqedonase, ku tentohet tu imponohet maqedonishtja nga klasa e parë, ku nxënësve shqiptarë u pamundësohet mësimi në gjuhën amtare pasi nuk hapen paralele në shumë vende të banuara me shqiptarë”, deklaroi deputetja e PDSH, Sadije Iljazi.
Të gjitha këto probleme sipas saj, janë rezultat i paaftësisë së BDI-së, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet.
Partia Demokratike Shqiptare thotë se do të vazhdojë që të alarmojë për të gjitha padrejtësitë, nënçmimet dhe diskriminimin që ju bëhet shqiptarëve, në veçanti në sferën e arsimit.
Partia Demokratike Shqiptare kërkoi që urgjentisht të merren të gjitha masat nga organet kompetente që në afat sa më të shkurtë të zgjidhen të gjitha problemet me arsimin shqip, që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, me tekste adekuate shkollore dhe në hapësira adekuate.
Edhe Demokracia e Re thotë arsimi shqip në Maqedoni, ballafaqohet me shumë probleme.
“Për fat të keq, edhe ky vit shkollor fillon me problemet e vjetra dhe sidomos me problemet e reja të ditëve të fundit, të cilat janë bërë si zakon që nga Ministria e Arsimit të shohim vetëm skandale dhe provokime të cilat do të kenë pasoja për brezat e ardhshëm”, deklaroi deputeti i DR-së, Sulejman Rushiti.
Sipas tij, mungesa e hapësirave shkollore, mungesa e librave shkollor, pasiguria e mësimdhënësve të cilët presin nëse do të vazhdohen kontratat e tyre të punës ose jo janë një sërë problemesh të cilat për fat të keq ndikojnë në shëndetin e shoqërisë tonë dhe të ardhmërisë së Republikës së Maqedonisë.
“Ne këmbëngulim që MASH-i, në vend të provokimeve, skandaleve dhe projekteve të cilat nuk janë prioritet i arsimit të rikthehet në binarët e drejtë, në atë që quhet prioritet– kualiteti i arsimit, kualitet i hapësirave shkollore dhe sigurisht në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor”, deklaroi Rushiti.
Ndërkaq, reagime ka pasur edhe nga Partia për Prosperitet Demokratik e cila i vlerësoi si skandaloze librat shkollor me gabime trashanike.
“Nga analiza që ekspertët e PPD-së për cështje arsimore, kulturore dhe identitarë ua kanë bërë të gjitha teksteve, fatkohet se bëhet fjalë për një agresion barbar të etnocentrizmit dhe nacionalizmit gjenocidar maqedonas mbi identitetin etnik dhe kulturor të popullit shqiptar në Maqedoni”, deklaroi kreu i PPD-së, Sefedin Haruni.
Në bazë të këtij konstatimi, PPD-ja u bën apel të qartë “grupeve profesionale” të rekrutuara nga BDI-ja,apo nga zyra e OSBE-së në qeverinë e Maqedonisë, që morën yrysh të paturpshëm të bëhen pjesë e të ashtuquajturit rishikim të teksteve,të tërhiqen.
PPD-ja thotë se do denoncojë publikisht çdo intrigë të tyre dhe të partisë së tyre që eventualisht do të bëhet në shërbim të këtij projekti barbarisht antishqiptar. (INA)