ShkupiEdhe 22 vite pas mëvetësimit të Maqedonisë si shtet i pavarur dhe demokratik, bashkëjetesa mes dy komuniteteve më të mëdha vazhdon të jetë e brishtë. Shqiptarët si bashkësia e dytë dhe më e madhe në vend vazhdojnë të mos i gëzojë të drejtat e tyre dhe të jenë të varur nga politika maqedonase. Kështu shprehet njëri nga deputetët e parë në kuvendin e Maqedonisë, Vebi Xhemaili. Ndërkohë, ish kryetari i kuvendit dhe deputet i përbërjes së parë, Stojan Andov thotë se fajtorë kryesor për mos pajtimin mes dy komuniteteve më të mëdha në vend ka qenë politika nacionaliste maqedonase e frymëzuar nga ish diktatori serb Sllobodan Millosheviq. Andov tha se konflikti i vitit 2001 ka mundur të mos ndodh nëse që nga fillimi shqiptarëve u lejoheshin të drejtat që i gëzojnë edhe pas Marrëveshjes së Ohrit.

“Unë mendoj se pas 22 vitesh që nga formimi i parlamentit të parë, ndryshime janë bë shumë pak në krahasim me palën tjetër – tek pala shqiptare, shkaku se edhe sot e kësaj dite ne jemi shumë të varur nga politika ditore maqedonase, e cila e ka shfrytëzuar mos unitetin tonë dhe ka arrit të mbisundojë mbi elementin shqiptar, politikën shqiptare, dhe më së shumti ajo shikon interesat e veta se sa të shqiptarëve. Shqiptarët ende luajnë atë rolin e lypësit, gjithnjë tu bë kërkesa për të drejtat e veta elementare, arsimore ekonomike politike. Pra krejt këto janë një minus i palës shqiptare e cila nuk arriti të organizohet dhe të jetë komplete në kërkesat e veta për një barazi të plotë politike ekonomike sociale e arsimore në Maqedoni”, tha Vebi Xhemaili, ish deputet.

“Marrëdhëniet e përgjithshme në Jugosllavi ishin të atilla, e në veçanti gjatë regjimit të Millosheviqit u orientuam që të bëjnë propagandë me qëllim satanizimin e shqiptarëve si popull duke bindur qytetarët e tjerë se rrezik i vetëm edhe për Serbinë edhe për Maqedoninë janë shqiptarët dhe kjo nismë zuri vend edhe në rrethet politike në vend tek ne. Qëndrim i imi ishte edhe atëherë që një komunitet aq i madh në numër nuk është e mundur që ta mbash të përkulur me ndihmën e policisë por shteti duhet të jetë i njëjtë edhe për ata, me qëllim që edhe ata ta ndjejnë vendin si të tyrin dhe vetëm atëherë edhe ata do të jenë lojal ndaj shtetit ku jetojnë”, tha Stojan Andov, ish kryetar i parë i parlamentit.

Ish deputeti Vebi Xhemaili gjithashtu thotë se një pjesë e fajit për mos realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është mos unifikimi i faktorit politik shqiptarë në vend. Ndërkohë Andov thotë se Maqedonia që nga fillimi i mëvetësimit si shtet demokratik ka dështuar që të krijojë mundësinë që organet shtetërore, gjegjësisht shtetin ta ndjejnë të gjithë qytetarët njëlloj.

“Unë mendoj se lëshimi i parë apo ana negative e elitës politike është se ajo assesi nuk bashkohet të jetë unike në interesat e veta kombëtare që i takojnë popullit shqiptar si element konstituiv i këtij shteti dhe me të drejta të barabarta në të gjitha sferat e jetës politike shoqërore dhe ekonomike e kësaj Republike”, tha Vebi Xhemaili, ish deputet.

“Ne nuk tentuam, dhe për fat të keq nuk doli ndonjë fuqi politike jashtë partive ekzistuese e cila do të mundej të krijojë një projekt afatgjatë jo vetëm për afrimin dhe pajtimin e komuniteteve të vendit mes vete por që të mundësojë që të gjithë qytetarët mos të ndjejnë dallim se janë maqedonas etnik ose shqiptarë, ajo pjesërisht u arrit me Marrëveshjen e Ohrit edhe atë në aspektin shtetëror dhe tani më nuk mund të ketë dikush më tepër të drejta pasi ato janë për çdo shtetas dhe jo në bazë të përkatësisë etnike”, u shpreh Stojan Andov, ish kryetar i parë i parlamentit.

Kryetari i parë i kuvendit të Maqedonisë së pavarur, Stojan Andov thotë se institucione por edhe të gjitha partitë politike duhet të punojnë edhe më shumë për kultivimin e raporteve të mira ndëretnike dhe ndërfetare pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë perspektiv për zhvillimin komik dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Valmir Kuçi