image

Xhelal NEZIRI-Pra, na del se  lustrimi te shqiptarët nuk ka filluar pas miratimit të Ligjit për verifikimin e fakteve të propozuar nga Stojan Andov, e as pas konsolidimit të Komisionit përkatës me anëtarë të propozuar nga partitë më relevante politike. Lustrimi, duhet ta pranojmë, është ngulitur në mentalitetin tonë kolektiv si sport kombëtar

Politika shqiptare në Maqedoni assesi të dalë nga skemat bajate të dyluftimeve për gjëra që në shoqëri normale do ishin cilësuar si të kota. Që nga viti 1991 e deri më sot, pra për gati njëzet vite me radhë, kemi një dyluftim të vazhdueshëm politik midis protagonistëve të partive shqiptare për gjëra triviale, por që opinionit i janë paketuar si çështje me rëndësi kombëtare. Më konkretisht, kjo luftë politike kishte për qëllim dëshmimin se njëra parti është patriotike kurse tjetra tradhtare. Njëra ka punuar për kauzën e madhe shqiptare, kurse tjetra ka qenë bashkëpunëtore e kauzave të popujve armiq të shqiptarëve.

Kjo politikë shterpe te shqiptarët filloi në vitin 1993, kur me formimin e PPDSH-së së atëhershme u krijua një ambient i pluralizmit demokratik, i konkurrencës së platformave partiake dhe shtimit të ofertave politike për shqiptarët e Maqedonisë. Shkëputja e këtij grupacioni nga PPD-ja shënoi edhe fillimin e “lustrimit” te shqiptarët. Formimi i partisë së re që sot mban emrin PDSH ngjalli reagime të ashpra në PPD-në e atëhershme, të cilët propagandonin se këtë e kanë nxitur shërbimet sekrete serbo-maqedonase për të përçarë shqiptarët e mbledhur tok kryesisht në një subjekt. Pra, nga prizmi i PPD-së së atëhershme PDSH-ja paska qenë tradhtarja, kurse vetë ajo na paska qenë partia e kauzës kombëtare, e goditur nga shërbimet sekrete. Nga këndvështrimi i PDSH-së, ndërkaq, PPD-ja na paska qenë e zënë në kthetrat shërbimeve të Shkupit e Beogradit, andaj paska lindur kjo parti si alternative e organizimit të mirëfilltë kombëtar shqiptar. Luftën midis këtyre dy partive e karakterizon pikërisht tentimi i vulosjes së tjetrit si tradhtar dhe dëshmimit të vetes si patriot. Kjo luftë pati kulminacionin e parë në vitin 2001, kur u publikuan dosjet e para nga partitë politike dhe për qëllime politike. Pas forimit të BDI-së në vitin 2002, kjo parti zëvendësoi PPD-në në luftën e “tradhtarëve” dhe “patriotëve” te shqiptarët. Këshilli koordinues i formuar nga udhëheqësia politike e ish-UÇK-së, e ku bënin pjesë partitë shqiptare, u prish pikërisht nga “lustrimi” i parakohshëm, i papërshtatshëm dhe rrugor i joni. Në zgjedhjet e vitit 2006 sërish kulminoi lufta e “patriotëve” dhe “tradhtarëve” me publikimin e një dosje tjetër për një kandidat për deputet nga radhët e BDI-së. “Integristët”, ndërkaq, shfrytëzuan dhe po shfrytëzojnë një deklaratë të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, i cili thotë se në formimin e PDSH-së një rol kanë luajtur edhe shërbimet sekrete.  

Pra, na del se  lustrimi te shqiptarët nuk ka filluar pas miratimit të Ligjit për verifikimin e fakteve të propozuar nga Stojan Andov, e as pas konsolidimit të Komisionit përkatës me anëtarë të propozuar nga partitë më relevante politike. Lustrimi, duhet ta pranojmë, është ngulitur në mentalitetin tonë kolektiv si sport kombëtar. Lustrimi është bërë dhe vazhdon të bëhet nëpër selitë partiake, oda burrash, kafene e çajtore.

Kjo politikë shterpe e partive shqiptare është rezultat i mungesës së kapaciteteve kadrovike brenda tyre për të realizuar platformat dhe programet e tyre, që ngërthejnë premtimet parazgjedhore. Integrimi në NATO dhe BE, status të barabartë të shqiptarëve në shtet, përmirësimin e standardit jetësor, investime të reja te shqiptarët, hapja e vendeve të reja të punës, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimi i shkollave dhe ambulancave të reja…janë këto disa nga pikat e përbashkëta të platformave zgjedhore të partive shqiptare në dy dekadat e pluralizmit demokratik. Këto pika, ku mund të dëshmohet patriotizmi konkret i një partie që participin në pushtet, nuk kanë qenë arenë dyluftimesh të partive rivale shqiptare. As edhe do të jenë përderisa qytetarët shqiptarë, apo më konkretisht njerëzit që i votojnë, nuk do të ngopen nga telenovelat politike të llojit bardh e zi, ku i kemi patriotët e mirë dhe tradhtarët e këqij, të cilët realisht na varrosin