Lauka: Diplomacia shqiptare po punon që rezoluta serbe të mos kalojë
Lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe nga ato shtete që për arsye të ndryshme ende nuk e kanë njohur Kosovën, mbetet prioritet i diplomacisë shqiptare.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, tregon për rolin e diplomacisë shqiptare, veçanërisht në rritjen e numrit të vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë që në OKB pritet të shqyrtohet rezoluta e paraqitur nga Serbia për Kosovën, ambasadori Lauka pohon se “diplomacia shqiptare po bën një punë të madhe që kjo rezolutë të mos kalojë”.
Ai theksoi se “në kuadër të këtij qëlllimi, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në fillim të shtatorit do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Amerikën Qendrore, pasi në këtë rajon ka një grup vendesh që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës”.
Ndërsa lobimi i diplomacisë shqiptare ndaj ligjshmërisë së shtetit të ri kosovar ka nisur që nga shpallja e pavarësisë së saj, Ambasadori Lauka tregon se Shqipëria ka përfaqësues edhe në vende të ndryshme të botës për të parë intensitetin e njohjes së Kosovës.
“Shqipëria ka të dërguar të posaçëm në mënyrë periodike dhe sistematike në rajone të veçanta të botës, si në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine për të parë mundësite e shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës”, nënvizoi ai.