ILDKP (1)_1Hetim ndërkombëtar për paratë e korrupsionit, të fshehura nga familja klienteliste dhe biologjike e Sali Berishës, në bankat më misterioze të Evropës, sidomos në Zvicër dhe Qipro, ku ruhet sekreti i transaksioneve prej dy shekujsh. Bëhet fjalë për miliona euro, që kanë dalë në rrugë të ndryshme nga Shqipëria, gjatë tetë viteve të fundit. Paratë e korrupsionit dhe krimit, janë transportuar edhe me avion në oaze të sigurta të Evropës, sidomos para zgjedhjeve të 23 Qershorit, për t’i shpëtuar lakut të drejtësisë. Por, pas përmbysjes së Sali Berishës nga pushteti, nuk do të ketë qetësi për pushtetarët që kanë fshehur paratë e korrupsionit në bankat e huaja. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për herë të parë, do të nisë një aksion ndërkombëtar, për identifikimin, hetimin dhe denoncimin në prokurori, të pushtetarëve shqiptarë, të cilët kanë fshehur paratë e paligjshme në bankat e huaja. Pas thirrjes në ndihmë të FBI dhe DEA amerikane për të hetuar dosjet e korrupsionit, autoritet shqiptare kërkojnë bashkëpunim me autoritetet britanike për hetimin e pasurive të paligjshme jashtë vendit. Dhe konfirmimi ka ardhur. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, do të gjejë mekanizma të reja investiguese për raste të zyrtarëve të cilët kanë fshehur pasuritë e tyre jashtë vendit. Kështu, në një kohë shumë të shpejtë, inspektorët e ILDKP, të asistuar nga partnerët ndërkombëtarë, do të nisin aksionin për evidentimin dhe hetimin e pasurive të fshehura jashtë vendit. Krahas këtyre lëvizjeve, titullari i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, do t’i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë disa ndryshime të domosdoshme ligjore, për t’iu përgjigjur me shpejtësi mekanizmave të reja të fshehjes së pasurive si dhe për të mbyllur çdo hapësirë ligjore, që është përdoruar nga pushtetarët për të fshehur pasuritë e tyre.

Fshehja e pasurive   Sa vjen e bëhet më i sofistikuar dhe më i pazbërthyeshëm mekanizmi i fshehjes së pasurive jashtë vendit, nga ana e ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Gjithashtu, sa vjen e zgjerohet harta gjeografike, pra vendet dhe bankat e huaja, ku ministrat dhe deputetët shqiptarë fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme. Pothuajse gjysma e ministrave të qeverisë Berisha kanë hapur llogari bankare në banka të ndryshme të Evropës, ku fshehin paratë e paligjshme. Ky fakt konfirmohet nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë, nga informacionet e shumta që mbërrijnë në adresë të këtij institucioni. Nëse më parë zyrtarët e lartë shqiptarë i fshihnin paratë në bankat Qipros apo Zvicrës, rrethi i vendeve tashmë është zgjeruar, duke përfshirë Maltën, Maqedoninë, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë etj. Me pak fjalë, Evropa Juglindore është kthyer në një oaz për fshehjen e pasurive të paligjshme të krerëve të organizatave kriminale të trafiqeve, korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë.   DEA dhe FBI    Departamenti Amerikan i Shtetit, Zyra Federative e Hetimit (FBI) dhe Agjencia Federale kundër Trafikut të Drogës (DEA), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të asistojnë autoritetet shqiptare për të hetuar dosjet e korrupsionit të qeverisë së Sali Berishës. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Zv/Sekretari Amerikan i Shtetit z. Ëilliam Broënfield, pas një takimi kokë më kokë për ministrin e Drejtësisë, Nasip Naçon. Pasi kanë dëgjuar raportimin e ministrit të Drejtësisë shqiptare për masat e qeverisë së kundër korrupsionit, autoritetet e larta amerikan kanë garantuar se lufta anti-korrupsion në Shqipëri do të asistohet nga agjencitë më të specializuara dhe të famshme të SHBA. Një nga këta agjenci do të jetë edhe Agjencia Federale kundër Trafikut të Drogës (DEA), e njohur në të gjithë planetin për luftën ndaj trafiqeve. Ndërkaq, nga ana tjetër, qeveria shqiptare i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë së SHBA që ekspertët e FBI të asistojnë prokurorinë shqiptare në hetimin dhe shqyrtimin e dosjeve të korrupsionit të pushtetarëve shqiptarë.

Takimi me ambasadorin britanik    Inspektori i Përgjithshëm, z. Shkëlqim Ganaj ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Shkëlqesinë e Tij z. Nicholas Cannon. Z. ambasador në fjalën e tij, inkurajoi Ganajn për të çuar në prokurori zyrtarët që kanë fshehur pasuritë. “Tashmë jemi njohur me disa nga kallëzimet që Inspektorati i Lartë ka dërguar pranë organit të akuzës për zyrtarë të niveleve të larta, dhe Ju inkurajojmë ta çoni më tej këtë mision. Vendi juaj është para një faze të rëndësishme të tij, atë të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Një ndër kushtet që duhet të plotësojë vendi juaj është lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Institucione të tilla, siç është Inspektorati i Lartë, kanë një rol thelbësor në përmbushjen e këtij prioriteti. Në çdo rast duhet inkurajuar ndëshkimi i fenomenit të korrupsionit, pasurimit të paligjshëm, krijimit të interesave private të pajustifikuara, sidomos në radhët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të çdo niveli”, ka deklaruar ai.

Ganaj paralajmëron hetime intensive    Nga ana e tij, Inspektori i Përgjithshëm, e siguroi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar se konstatimi i rasteve të fshehjes së pasurive të përfituara në mënyrë abuzive, identifikimi i rasteve të konfliktit të interesave gjatë ushtrimit të funksioneve publike, kryerja e një hetimi të gjithanshëm, të plotë dhe tërësor, do të jetë prioritet i punës se tij. “Dërgimi i këtyre rasteve pranë organit të akuzës, dhe ndjekja e tyre në dinamikë, është sfida ime në përmbushjen e prioriteteve të misionit tim institucional. Inspektorati i Lartë ka të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat investigues, burimet njerëzore të mirëtrajnuara, por mbi të gjitha ka vullnetin për të punuar dhe për të goditur fenomenin e korrupsionit në radhët e administratës publike, sidomos në sistemin e drejtësisë.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që korrupsioni në këtë sistem është një nga plagët e shoqërisë tonë, korrupsion i cili duhet të përballet me një vullnet të fortë institucional”, tha ai.    1.3 miliardë dollarë u nxorën nga Shqipëria   Vetëm në pesë viteve të fundit, sipas organizatës botërore me qendër në SHBA, “Global Financianal Integrity” Shqipëria ka nxjerrë jashtë vendit 1.3 miliardë dollarë në mënyrë të paligjshme. Por, shumat e pazbuluara mendohet të jenë qindra herë më të mëdha se shifra e publikuar nga “Global Financianal Integrity”.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se paratë e korrupsionit po largohen nga Shqipëri në fund të mandatit. “Paratë e korrupsionit po largohen jashtë çdo javë. Ministrat po i nxjerrin me thasë dhe avionë. Jashtë vendin janë hapur disa shoqëri ku po shkojnë paratë. Para korrupsioni janë mbyllur edhe në Qipro”, ka deklaruar Balla. Ndërkaq, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë kanë deklaruar se paratë zyrtarëve shqiptarë janë të rrezikuara nga situata në Qipro.   Konventat për zbardhjen e parave   Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit, nëpërmjet të cilës institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit (ndër të cilët edhe ILDKP), bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë të dhëna për njëri-tjetrin, me qëllim evidentimin dhe zbulimin e pasurive të fshehura nga zyrtarët e vendeve të ndryshme në shtete të tjera. Ligjërisht, ekziston e gjithë hapësira ligjore për të kryer hetime. Ndërsa teknikisht, ka vështirësi, kryesisht përsa i përket informacionit. Për të lehtësuar dhe ndihmua në procedurat e hetimit jashtë vendit, nga muaji Maj 2011, ILDKP ka bashkëpunuar me misionin policor Europian, PAMECA, ekspertë të të cilit janë atashuar pranë institucionit.

Adriatik Doçi