Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili në krye të një delegacioni të vendit tonë po qëndron në Kuvajt është pritur nga princi i këtij shteti, Shejh Es-Sabah, nga kryeministri, Nasir Es-Sabah dhe kryetari i Kuvendit Kombëtar Xhasim El-Harrafi. Kryetari Krasniqi i njoftoi autoritetet e larta të këtij vendi lidhur me çështjen e Kosovës, njohjen e shpejtë ndërkombëtare të pavarësisë, zhvillimet aktuale dhe synimet në perspektivë të shtetit. Krasniqi i kërkoi Kuvajtit njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, për ta bërë të mundur hyrjen e saj në familjen e madhe të OKB-së dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Udhëheqësit kuvajtianë shprehën mirëkuptim për vizitën dhe për të arriturat e Kosovës si dhe për njohjen e saj ndërkombëtare, duke premtuar se edhe Kuvajti së shpejti do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në shumë plane, Emiri i Kuvajtit, Shejh Es-Sabah, kërkoi takim të menjëhershëm të delegacionit me kryetarin e Fondit kuvajtian për Zhvillim.

Digjen objektet e doganës së Kosovës në Bërnjak, afër Zubin Potokut

Në orët e hershme të ditës së sotme, një zjarr ka përfshirë objektin e shoqatave të sigurimeve të Kosovës dhe të një kontejneri për shërbime të shpedicionit, në pikën kufitare të portës 31, në Bërnjak, të Zubin Potokut. Në bazë të raporteve të para të policisë bëhet e ditur se zjarri ka shkaktuar dëme materiale në objektet shoqatës së sigurimeve të Kosovës, ndërsa një punonjëse e kësaj shoqate ka pësuar lëndime të lehta trupore. Hetuesit policorë dhe teknikët e kriminalistikës nga drejtoria rajonale e Policisë në Mitrovicë, së bashku me hetuesit policorë të Zubin Potokut dhe me asistimin e zyrtarëve të komponentës policore të EULEX-it, kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa shkaktari i zjarrit ende nuk dihet.

Rohan: Zgjedhjet lokale serbe në Mitrovicën e veriut janë të paligjshme dhe rezultati i tyre nuk do të njihet ndërkombëtarisht

Në një bisedë me BBC-në, ish- zëvendës-negociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, është cituar të ketë deklaruar se zgjedhjet vendore serbe në Mitrovicën e veriut janë të paligjshme dhe rezultati i tyre nuk do të njihet ndërkombëtarisht. Rohan konsideron se është e vështirë që të parandalohet mbajtja e tyre për shkak të mundësisë së shpërthimit të dhunës. Duke folur për mundësinë e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, ai ka saktësuar se bisedimet nuk duhet të shihen si një lëvizje e madhe zyrtare , por vetë si diskutime praktike për çështje plotësisht pragmatike. Rohan, i cili së bashku me Marti Ahtisarin kanë hartuar planin famëkeq për statusin invalid të Kosovës, u rikujtoi zyrtarëve të vendit tonë se misioni i EULEX-it ka fuqi ekzekutive në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ka të drejtën e ndërhyrjes edhe në institucionet e vendit