Kush luan me popull mbaron si Duçe
Pas rënies të monarkive anembanë botës filloi pluralizmi politik, i përfaqësuar nëpërmjet partive politike. Fjala parti politike sipas fjalorëve enciklopedikë përfshin një grupim njerëzish të organizuar politikisht, të cilët duke deponuar kapitalin e vetë intelektual, profesional dhe material tentojnë përfaqësimin e vet në pushtet me të vetmin qëllim për të kthyer investimin e bërë. Në Maqedoni sot ka mbi 50 parti politike. Unë do të përqendrohem në oborrin tonë. Ne shqiptarët i kemi ngatërruar termat, Parti Politike dhe Lëvizje Kombëtare. Ne kemi parti nga të cilat kërkojmë realizimin e aspiratave kombëtare dhe harrojmë që partitë janë grupime interesash…Sot në botë ka disa qindra grupime politike-parti. Ata ndahen kryesisht në tri grupime më të mëdha siç janë: parti me orientim të majtë, me orientim të djathtë dhe parti të qendrës. Të gjithë këto grupime kanë nga disa dhjetëra nëngrupime. Termi të majtë dhe të djathtë hyri në jetën politike pas Revolucionit Francez në vitin -1789. Të majtë quheshin ato që rrinin në anën e majtë të shefit të shtetit dhe të djathtë quheshin ato që rrinin në anën e djathtë. Partitë e djathta në qeverinë post revolucionare të Francës përmbanin kultivimin e vlerave të traditës, hierarkinë, kishën, pushtet të fortë, aristokracinë dhe rojalizmin. Të djathtët quheshin partia e Rendit dhe Rregullit. Partitë e djathta përbëheshin nga aristokracia dhe kapitalistët. Karakteristika të tjera të partive , sot edhe dy shekuj janë ruajtja e traditës me çdo kusht, ku në qendër do të jenë aristokracia dhe të pasurit. Të djathtët janë për udhëheqës të fortë, janë pro traditës. Janë për ruajtjen e familjes, edhe në të kaluarën edhe në ditët e sotme partitë e djathta përparësi u japin meshkujve. Janë për pushtet të fortë dhe për kapitalistët e mëdhenj. Stimulojnë eksportin dhe pengojnë e importin. Dobësia e dollarit të sotëm është rezultat i një politike të këtillë. Dollari i dobët mundëson eksport më të madh të mallrave amerikane, dhe pengon të tjerët ti shesin mall Amerikës. A ka vallë ndonjë parti politike qoftë edhe një karakteristikë të partisë të lartpërmendur, përgjigjja është jo!
Politikologu gjerman Kllaus Von Beyne ndan partitë politike në nëntë grupime. Dy nga këto nëntë grupime janë të djathta kurse shtatë janë të majta. Nga e majta në këto grupime hynë- Komunistët Evropianë, Socialistët, Të Gjelbërit, Liberalët, Kristian-demokratët (VMRO-DPMNE deklarohet si parti kristian-demokrate), Partitë konservative dhe Partitë Elitiste.
Partitë e majta në thelb rrënjët i kanë në platformën e deputetëve Jakobin, të cilët, gjatë dhe pas Revolucionit Francez të vitit 1789 rinin në anën e majtë të shefit të shtetit. Partitë e majta parimisht luftojnë për demokraci sociale dhe mirëqenie të shtresave më të ulëta. Shumë parti të majta në Evropë janë të afërta me Labour Party të Britanisë së Madhe (parti e punës). Të gjitha partitë e majta në Evropë bashkëpunojnë me sindikatat e ndryshme të punëtoreve. Partitë e majta gjithmonë shfrytëzojnë pakënaqësitë e ndryshme popullore për përfitimet të veta programore. Mos harrojmë se në bazë të luftës anti-kapitaliste të shtresave të ulëta, kemi lindjen e dy diktaturave, atë të Pinoçetit në Kili dhe atë të Francisko Frankos në Spanjë. Të majtët-me bazë socialiste nuk mbështeten shumë në vlerat tradicionale dhe kishën. Me programet e tyre ato ofrojnë siguri dhe mbrojte sociale për të gjithë. Ndihma sociale, ulje të taksave për shkollim, pushime më të gjata të lehonisë, ndërtime të qendrave sociale…
Në përgjithësi në Evropë partitë e majta, me bazë socialiste janë antiglobaliste. Janë kundër grupimeve të mëdha sikurse që janë: NATO, Fondi Monetar Ndërkombëtar,Banka Botërore dhe shumë nismave në nivel të globalizimit.
Ky ishte një sqarim modest për karakteristikat e partive të majta dhe të djathta. Partitë e qendrës si ajo liberal-demokrate kanë karakteristika të dy partive të lartpërmendura.
Qëllimi i këtij shkrimi është të them disa fjalë për partitë populiste. Ne jetojmë në një shtet ku populizmi sundon në të gjitha fushat e jetës. Populizmi është një kombinim i etnocentrizmit (në qendër është kombi), me retorikë populiste antielitiste dhe me kritika radikale mbi institucionet ekzistuese. Shembull i përsosur i këtij lloji është populizmi i Gruevskit, i cili është i njohur për konfliktin e tij me Gjyqin Kushtetues, për të vetmen arsye se ky gjyq i anuloi shumë ligje me karakter populist.
Populistët gjithnjë janë në konflikt edhe me teknokratët e vetë, të cilët i burgosin në mënyrë spektakolare që pastaj ti lirojnë nëpërmjet vrimave të ligjeve ekzistues. Sipas Margaret Canovan populisti është një lider karizmatik, i cili përdor popullin-populizmin për të mposhtur idetë e elitës politike-intelektuale. Populisti gjithnjë prek segmentin reaksionar të popullatës. Të gjithë e dimë se me çfarë parullash VMRO-DPMNE disa here e fiton pushtetin (e kam fjalën për parullat antishqiptare). Është i njohur rasti i Xhamisë në Prilep, Nata e Kristaltë e shqiptarëve të Manastirit. Kulmi i retorikës politike të populistëve është referendumi. Referendumin e kanë pushkë të shkurtër, kur ngecin në realizimin e premtimeve programore. Për momentin Gruevski ka ngecur me emrin e shtetit dhe kombit që përfaqëson dhe gojën e ka plotë referendum. Populizmi në vete përfshin majtistë, djathtistë, centristë dhe çmos tjetër me të vetmin qëllim për të ardhur dhe për të ruajtur pushtetin. Çfarë është pushteti i sotëm në Maqedoni, duke përfshirë këtu edhe partitë politike shqiptare. Ai nuk është as i majtë as i djathtë dhe as i qendrës. Ne sot kemi “gjurullti parti”. Njëfarëlloj “turli tavë” nga e cila të gjithëve neve na dhemb koka. Populistët gjithmonë ndërsejnë popullin kundër elitës. Demokracia populiste-Grueviste nëpërmjet kushtrimit për referendum kërkon realizimin e të gjitha reformave sociale dhe politike të cilat i kanë dështuar. Përveç referendumit, fjala më e përmendur nga populistët është fjala Reforma. Përse edhe populistët tanë Ahmeti dhe Thaçi nuk e përdorin të njëjtën letër të populizmit-referendumin, dhe në këtë mënyrë ta pyesim popullin se në çfarë drejtim dëshiron të shkojë. Në rast se ndodh një referendum maqedonas, duhet të ndodh edhe një referendum shqiptar. Partitë tona politike nuk janë as të majta as të djathta e as populiste. Nuk janë as të qendrës, dhe as që janë lëvizje. Gruevski me populizmin e vetë po na fut në ujëra të turbullt politik. Shqiptarët janë aq të pjekur politikisht saqë të mos e hanë karremin. Sipas teoricienëve të ngjyrimeve politike, populizmi mund të shërbejë edhe si shtrat i ngrohtë për lindjen e lëvizjeve fashiste. Kemi shumë shembuj fashizoid në Maqedoni ku shqiptarët janë viktima. Janë me qindra shembuj të populizmit në botë. Edhe Hitleri ishte populist-nacionalsocialist, Benito Musolini po ashtu, edhe Millosheviqi ishte populist. Është i njohur për thënien e tij në Grykën e Savës në vitin 1989-“Ndodhi populli”. Mbi bazë të politikës populiste fashizoide antishqiptare u paraqitën shumë politikanë të rinj në skenën politike të Maqedonisë. Përfaqësues tipik është Filip Petroski, i cili i udhëhiqte protestat antishqiptare të vitit 1997, duke vendosur tenda para qeverisë dhe duke na premtuar dhoma gazi dhe biletë në një drejtim për në Shqipëri. Edhe shqiptarët e Manastirit i dogji politika populiste. Të mos flasim për masakrën e Lubotenit dhe dhjetëra të tjera këtu në Maqedoni. Populizmi gjithnjë qëllimet e veta për pushtet i fsheh prapa parullave për zgjidhjen e halleve të vegjëlisë dhe fshatarësisë. Populizmi është ngushtë i lidhur me etnocentrizmin dhe ekstremizmin. Sot kemi në Evropë disa parti të fuqishme populiste, por jo me forcë determinuese.
Gruevski e deklaron partinë e vet si parti të djathtë demokristiane. Të djathtët demokristianë në Evropë në bosht e kanë kapitalin dhe vlerat religjioze. Pushteti i sotëm është kundër kapitalistëve dhe pro bujqve dhe fshatarësisë të dëshpëruar maqedonase. Çfarë kanë të përbashkët Hitleri, Musolini, Millosheviqi dhe Gruevski. Populizmi i Hitlerit mbështetej në rimëkëmbjen e Rajhut III. Musolini popullit italian i premtonte rimëkëmbjen e Perandorisë Romake. Millosheviqi serbëve u premtonte Serbi nga Gjevgjelia deri në Malet Trigllav të Sllovenisë. Edhe VMRO-DPMNE përcaktim të vetin programor e ka Maqedoninë e Madhe, ose Maqedoninë e bashkuar , ku përfshihen: Pogradeci, Korça, e gjithë Greqia Veriore me Selanikun kryeqytet, Bullgarinë perëndimore, Kaçanikun dhe një pjesë të Serbisë jugore. Këtë hartë mund ta shohim në të gjitha zyrat edhe të pushtetarëve maqedonas. Kjo është faza e pare e Maqedonisë të Madhe.
Faza e dytë do të jetë pushtimi i të gjithë tokave që i pushtoi Leka i Madh. Natyrisht rrugën Gruevskit do t’ia tregojnë Hunzët, populli vëlla nga malet e Pakistanit. Të gjithë populistët që i njeh historia kanë mbaruar keq. Hitleri dogji veten me dy fuçi benzinë. Duçen e varën për këmbësh. Gjermania pas shkatërrimit që i solli pushteti nazist stagnoi njëzet vjet. Edhe dështimi i populizmit në Maqedoni do ta kushtojë Maqedoninë njëzet vjet dekadencë. Sa më shpejtë që politikanët e këtij vendi ta heqin trullosjen populiste nga kokat e tyre aq më shpejtë dy popujt e këtij shteti do të fillojnë të ecin për së mbari.
