Kush e solli Doruntinën
Legjenda për besën e Konstandinit dhe të motrës Doruntinën edhe sot e kësaj dite është e gjallë dhe kultivon besën, fjalën e dhënë, dhe më së tepërmi kualitetin pozitiv të jetës shqiptare në regjion, mirëpo më së shumti kohën e luftërave të pandërprera të shqiptarëve për të ruajtur vatanin. Kjo legjendë gjeti vendin e vet edhe tek shkrimtari i jonë, i madhi Kadare, i cili, sikur deshi me jetën e vetë, ta metamorfozojë legjendën me sintagmën, kush nuk e sjell Kadarenë në Shqipëri, i cili, sikur deshi të identifikohet me fatin e Doruntinës, u largua nga vendlindja për të shpëtuar mendjen, veten, demokracinë dhe mbi gjitha lirinë e cila nuk ekziston në vendin tonë, por diku larg, në Evropën Perëndimore, aty ku ne synojmë por me shumë frikë, se nuk do të na pranojnë, se nuk e mbajtëm besën. Mirëpo, Kadarenë s’ka kush e sjell në Shqipëri. Nuk e mësuam leksionin demokratik, deshëm nga Perëndimi vetëm të përfitojmë, një psikologji e mbrapshtë, që më tepër u ngjanë sllavëve se ata kanë lidhje natyrore mes veti dhe Perëndimi paraqitet si formalitet i domosdoshëm për mbijetesë. Mbijetesa e shqiptarëve dekada të tëra është e lidhur me Perëndimin. Migrimet e përkohshme ekonomike u bënë burim ekzistence për ne, pa pyetur pse vetëm ne në numër të madh duhet të largohemi. Kësaj situate shteti socialist i ndihmoi shumë me diferencimet pas demonstratave të vitit 1981 që paraqet fushatën më të egër dhe çnjerëzore në tërë taborin e shteteve socialiste. Kështu u fitua edhe kategoria e emigrantëve politik, që në Perëndim u njohtë me titullin azilantë. Çuditërisht, pikërisht këta të fundit e morën barrën që mos të integrohen me vlerat perëndimore por të kultivojnë nostalgjinë dhe vlerat autoktone. Kështu shumë shpejtë u formuan shkollat bile edhe xhamitë, për të ruajtur kujtesën dhe origjinën. Dhe kjo do të ishte krejt normale po qe se nuk ndodhte lufta. Kësaj radhe do të flasim për luftën në Maqedoni. Shumica, sot preferojnë të flasin për konflikt, situatë krize, duke dashur ta zbusin atë që me të vërtetë ndodhi. Fitohet përshtypja e fajësisë, se dikush ka faj për luftën, dhe sot duhet të kërkojë falje. Nuk u bënë analizat e vërteta të shkakut dhe pasojës. Shkaqet e luftës filluan të kërkohen tek pasojat dhe u harrua arsyeja. Shkaqet e luftës ishin: pozita e Shqiptarëve në shtet dekada me radhë e rënduar, vullneti që të rruhet unitarizmi në shtet në një rrafsh multietnik, dhe kokëfortësia e politikës maqedonase të trajtojë realisht kërkesat shqiptare. Bartës të luftës ishin pikërisht kategoria e emigrantëve politik (azilantëve) të cilët kërkonin me çdo kusht të kthehen në vendlindje. Veprimtaria e tyre ilegale gjatë kohës së monizmit u ruajt edhe në Perëndim dhe u krijoi status të zaptit mbi vlerat kombëtare dhe patriotizmit. Kjo situatë monopoli mbi patriotizmin u përcoll edhe pas luftës, ku zapti i Patriotizmit u përcoll në partitë politike. Dhe me një lehtësi të padurueshme u bashkuan diferencuesit dhe të diferencuarit e kohës së monizmit, me qëllim riciklimi të një totalitarizmi të rri. Integristët që nuk u integruan vetë në Perëndim, tani dëshirojnë ta integrojnë shtetin, por ama harruan se: duhet të integrohen bashkë me Maqedonasit dhe puna rëndohet, duhet të aplikohen standarde të reja, duhet të rimëkëmbet ekonomia dhe shumë procese të rreja. Pra shfrytëzimi i fondeve të Kryqit të kuq nuk mundë të quhet integrim, se kështu u mësuan të jetojnë këta zotërinjtë në ekzil.
Njëri nga standardet më të preferurara demokratikë janë zgjedhjet. Na kujtohen të gjitha zgjedhjet në vend. Na kujtohen rezultatet 98% , 99 % deri më 100% të daljeve në zgjedhje. Natyrisht nuk flasim për shokun Tito, as shokun Enver por për shokët tjerë të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Na kujtohen mbushjet e kutive, thyerjet e kutive, rrahjet deri tek vrasjet gjatë zgjedhjeve. Na kujtohen zgjedhjet me kallashnikov. Nëse integristët kështu do t`i përgatisin zgjedhjet e ardhshme dhe regjistrimin e popullsisë, vendi do të kthehet në izolim të perëndimorëve dhe integrimi i Maqedonisë do të jetë një ankth për politikanët, e më së tepërmi për popullin. Në situatë të këtillë edhe migrimet do ta ndërrojnë kahjen, në vend të Perëndimit do të orientohen në lindje. Ky proces zaten filloi me firmat Gjermane duke përcjellë Shqiptarë në kurbet të rri, në Irak dhe Afganistan. Tragjeditë e Afganistanit kohë pas kohe na shtangin të gjithëve, por asnjë Ministër i Ekonomisë, i Financave nuk mendon të kërkojë zgjidhje për punësime të rreja dhe investime në vend, por merren me kontingjente dhe çështje personale dhe grupore vetanake. Natyrisht problemi nuk mundë të redukohet në punë të një ministri, por mundë të analizohet si punë e një partie në pushtet që kooperojnë në të gjitha nivelet e interesit, vetëm në ato parësoret nuk munden.
Kush e solli Doruntinën në vendlindje, gjithsesi, kësaj radhe jo besa e Konstantinit, jo besa për të parë vatanin, por lakmia për të qenë në pushtet dhe ruajtur zaptin mbi patriotizmin e treshit. Dhe pikërisht tani lindën nostalgjia ndaj Perëndimit, kah synojmë, por jo me kute të njëjta. Jo me kute të azilantit.
