Kush do t’iu ndihmojë tatarëve të Krimesë?
Përderisa Krimea po përgatit një referendum për të ardhmen e vendit, popullsia vendëse po përgatitet për më të keqen.Në fillim ishte e vështirë për Rustem Kadyrovin, qytetar nga Krimea, të përballej me situatën që po mbretëronte në vendin e tij. Veprimi që e vëri atë nën tension ishte vendosja e shenjës “X” pranë shtëpisë së tij në qytetin Bakhchysarai të Krimesë. Shenja “X” përmbante një kuptim të veçantë për Kadyrovin, ajo i ngjallte kujtime që ai i ndante bashkë me turqit e tjerë tatarë të Krimesë.
Kjo gjë që po ndodhte në vendin e tij, për 31-vjeçarin Kadyrov nuk ishte aspak e rastësishme, sepse për ndodhi të tilla ai kishte dëgjuar që kur ishte fëmijë.
Në muajin maj të vitit 1944, lideri i Bashkimit Sovjetik, Joseph Stalin, i kishte urdhëruar forcat policore që shtëpitë e tatarëve të Krimesë (myslimanëve) të etiketoheshin me shenja të tilla. Brenda pak ditësh rreth 200 mijë njerëz, të cilët ishin pronarë dhe banorë të këtyre shtëpive ishin dëbuar me tren në Azinë Qendrore, me pretekstin se komuniteti kishte bashkëpunuar me okupatorin nazist të Krimesë.
Gjyshja e Kadyrovit, Sedeka Memetova, e cila ishte në atë kohë ishte 8-vjeçare, ishte njëra nga tatarët e dëbuar. “Ushtarët na ofruan vetëm 5 minuta t’i mblidhnim plaçkat. Gjithçka që patëm e lëmë mbrapa”, më tha ajo të enjten kur e vizitova familjen. Memetovës ende i shfaqen kujtimet në një mënyrë mjaft të qartë nga udhëtimi i saj dëbues, kutërbimi në vagonët e mbushur plot e përplot, vaji i një shtatzëne që ishte ulur pranë saj dhe fytyrat e rënda të njerëzve që kishin ulur trupat e fëmijëve të tyre jashtë trenit në lëvizje, mënyra e vetme për t’i shpëtuar nga vdekja, tha ajo.
Katër nga vëllezërit dhe motrat e saj ndër mijëra tatarë të Krimesë nuk ia dolën mbanë deri në destinacionin e fundit, në Uzbekistan.
Me fillimin e viteve të ’60-ta, Bashkimi Sovjetik nisi ta lejojë kthimin e të mbijetuarve nga dëbimi. Memetova dhe familja e saj u kthyen në Gadishullin e Krimesë në vitin 1987, përafërsisht tri dekada më parë. Këtë fundjavë, të shtunën rreth orës 3 pasdite, vajza 44-vjeçare e Memetovës, Ava, vëzhgoi jashtë nga dritarja dhe pa katër të rinj të panjohur duke ecur në lagjen e saj të armatosur me shkopinj. Ava më tha se ata njerëz bartnin me vete edhe disa copa letre, për të cilat ajo mendon se ishin listat e shtëpive që iu përkisnin tatarëve të Krimesë. Shtëpia e saj ishte etiketuar përsëri shtatëdhjetë vite pas dëbimit të Memetovës. “Ashtu siç edhe menduam më në fund ne kishim një të ardhme. Si ka mundësi që kjo gjë të ndodhë në shekullin XXI?”, tha ajo.
Derisa po ecja rrugës “Chiisty Istochniki” nga shtëpia e Memetovës, pashë shenja të ngjashme edhe në katër shtëpi të tjera, që të gjitha ishin vendbanime të tatarëve myslimanë të Krimesë, tha Kadyrov.
Megjithatë, shtëpitë e fqinjëve të tyre rus nuk ishin prekur. Shenja të ngjashme ishin raportuar edhe nga pjesë tjera të Bakhchysarait dhe në disa hapësira të kryeqytetit regjional, Simferopol. Kadyrov më tha se ai kishte lajmëruar policinë për ta pare shenjën në portën e shtëpisë së tij. Ai nuk ishte befasuar fare. “Forcat policore nuk do të na ndihmojnë. Ata më thane se tatarët e Krimesë nuk janë prioritet për ta. Natyrisht se jo, ata po na dënojnë sepse ne nuk e duam Putinin këtu”, tha Rustem Kadyrovi.
Fqinjët rus të Kadyrovit i kishin vërejtur etiketimet në shtëpitë e tatarëve, por ata i kishin larguar brengat e tij. “Kushdo që e ka bërë këtë veprim ka dashur të tallet. Ne kalojmë mirë me fqinjët tanë, por do të kishte qenë mirë sikur tatarët e Krimesë të ndalonin mbështetjen ndaj Kievit”, më tha një grua.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se shteti i tij ka për obligim t’i mbrojë pjesët e Gadishullit të Krimesë ku jeton një shumicë e popullit rus, dhe ngjarjet që po ndodhnin në Krime, ai i quajti si “shfrenim të nacionalistëve, ekstremistëve dhe të racistëve” të trembur rrugëve të Kievit.
“Çfarë nënkupton kjo për ne? Kush do të na ndihmojë?”, pyeti Kadyrov.
Vendosmërisht Krimea tani për tani është nën kontroll të një qeverie të re ruse e cila nuk e njeh autoritetin e administrimit të ri në Kiev. Ashtu siç SHBA-të dhe Bashkimi Europian kishin shkaktuar tension në Moskë duke njoftuar miratim dhe frenim të azilkërkuesëve kundër individëve të përfshirë, parlamenti rajonal në Krime votoi njëzëri deklarimin e pjesës ruse. Referendumi i planifikuar më parë për më shumë vetëqeverisje për Krimenë brenda Ukrainës, ishte shtyrë për periudhën mes 16 dhe 30 marsit. Kjo çështje vëri në pikëpyetje bashkimin e Krimesë me Rusinë.
Në tokën e Krimesë ka rreth 300 tatarë të cilët edhe pse përbëjnë vetëm 15% të popullsisë së tyre, ata kanë rëndësi të madhe politike. Nëse ata nuk e mbështesin referendumin e ardhshëm, për qeverinë ruse në Gadishullin e Krimesë do të jetë shumë më e vështirë ta legjitimojë pushtimin e asaj pjese. Kjo është pikërisht ajo që po ngjall tension në kthimin e tyre në Kiev, më thanë tatarët e Krimesë.
Gjatë javës së kaluar, Moska ka organizuar një varg delegacionesh për t’u takuar me liderët e komunitetit të tatarëve të Krimesë. Presidenti i këtyre të fundit, një vetëqeverisës mysliman u takua të mërkurën me anëtarët përfaqësues të tatarëve të Krimesë, grupi i të cilëve njihet si “Mejlis”. Ilshat Aminov ishte një tjetër anëtar i këtij delegacioni dhe njëherësh qëndronte edhe në krye të televizionit shtetëror të tatarëve, të njëjtën ditë ai vizitoi gazetarët në kanalin televiziv të tatarëve “ATR”, i cili haptas kishte mbështetur qeverinë e re në Kiev.
Unë rastisa të isha në këtë television kur Aminov arriti. Qeshja e tij jehoi nëpër dhomën e lajmeve derisa ecte përreth, duke lavdëruar teknikën moderne të televizionit dhe duke shmangur ndonjë diskutim rreth lajmeve. Kur e pyeta Aminovin rreth arsyes së vizitës së tij, ai u përgjigj me thjeshtësi, “Prania ime këtu tregon se unë mbështes vëllezërit e mi kur ata hasin në vështirësi”. Linur Yunusov, një gazetar i ATR-së më tha se përderisa asnjë zyrtar rus nuk ishte munduar t’i vizitojë më parë tatarët e Krimesë, Moska tani po dërgon një delegacion pas tjetrit. “Kjo dashuri e papritur vëllazërore është tronditëse”, u tall ai.
Për një çast, një gazetar brenda dhomës së lajmeve na tha t’i kushtojmë pak vëmendje asaj që po shfaqej në ekranin e televizorit, në të cilin ne mund të shihnim hyrjen e bllokuar të një baze ushtarake në Simferopol nga ushtarët rus. “Kjo që jemi duke parë është duke mbretëruar drejtpërdrejt në kryeqytetin e vendit tonë, është një pamje e përkryer e okupatorit rus”, tha gazetari.
Delegatët rus që po vizitonin vendin u premtuan shumë tatarëve të Krimesë që të bëjnë thirrje për mbështetje politike, siç mund të përmenden: vende të reja në qeverinë e re, ndihmë financiare, të drejta zyrtare të gjuhës dhe programe zhvillimi për vendet rurale.
“Ne jemi në prag të humbjes së kulturës, gjuhës dhe identitetit tonë. Neve na duhen ligjet europiane që t’i mbrojmë vlerat tona”, më tha Yunusov, një gazetar tjetër.
“Shenjat që jemi duke i parë kanë të bëjnë me frikësim ndaj nesh, ndarjes sonë dhe çrregullimeve në vend. Populli i Ukrainës është gjithashtu i prekshëm, por së paku ata kanë Ukrainën dhe atje mund të shkojnë. Ku do të shkojmë? Krimea është konaku ynë”, tha Eskandar Baiibov, deputet i tatarëve të Krimesë.
Pasi që parlamenti rajonal të enjten votoi për bashkimin e Krimesë me Rusinë, kryetari i grupit politik të tatarëve të Krimesë, “Mejlis”, Refat Chubarov dha një deklaratë për shtyp duke kërkuar që Kombet e Bashkuara ta marrin menjëherë për konsideratë këtë çështje dhe të dërgojnë një kontingjent të paqeruajtësve në Gadishullin e Krimesë në mënyrë që ta qetësonin situatën serioze që po mbretëronte në vend, e cila mund të shpie vendin në trazira edhe më të mëdha fatkeqësie për banorët.
Përderisa Krimea po përgatit një referendum për të ardhmen e vendit, popullsia vendëse po përgatitet për më të keqen. Bashkëshorti i Avës ka mbledhur shkopinj prej hekuri dhe i ka vënë ata përreth shtëpisë së tij në Bakhchysarai, në mënyrë që familjarët e tij t’i përdorin për ndonjë përleshje të mundshme. Meshkujt që janë banorë të rrugës “Chiisty Istochniki” kanë organizuar rend patrullimi gjatë mbrëmjes në lagjen e tyre dhe Rustem Kadyrovi ka aplikuar për dokumente të udhëtimit për fëmijët e tij.
“Shumë prej nesh duam që t’i largojmë bashkëshortet dhe fëmijët tanë prej këtu drejt një vendi më të sigurt. Meshkujt do të qëndrojnë këtu”, më tha Kadyrov.
Në fotografijanë shfaqur tatarët e Krimesëtëmbledhur afër ndërtesës sëparlamentit në kryeqytetin e Krimesë, Simferopol. Fotografuar nga Baz Ratner – REUTERS
Marrë nga: http://www.newyorker.com/ Përktheu: Fitore Gjata