Komisioneri Fyle, letër Berishës para 21 janarit: Rifilloni dialogunKomisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian i është drejtuar me një letër kryeministrit Sali Berisha përpara 21 janarit, ku i kërkonte rifillimin e dialogut politik. Lajmi është konfirmuar nga vetë zëdhënësja e komisionerit Fyle, Natasha Butler. Letra i është dërguar kryeministrit Berisha në datën 18 janar, pak ditë para mbajtjes së demonstratës ku humbën jetën 3 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Mësohet se nëpërmjet kësaj letre Fyle i ka kërkuar kryeministrit Berisha rifillimin e dialogut mes partive politike, si nevojë e menjëhershme për funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike.

***

Vdekja e tre protestuesve në demonstratën e 21 janarit ka nxitur Bashkimin Europian të bëjë thirrje për qetësi. Në një deklaratë të përbashkët të shefes së politikës së jashtme të BE-së Catherinë Ashton dhe komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle, kërkohet në mënyrë urgjente gjetja e kompromisit mes palëve.

“Ne i bëjmë thirrje për qetësi, urgjentisht, të dyja forcave politikë të cilat duhet të shmangin provokimet”- thuhet në deklaratë

Më tej ne deklaraten e perbashket shkruhet se “Në mënyrë që Shqipëria të përparojë në rrugën e saj evropiane, ne përsëri i bëjmë thirrje politikanëve shqiptarë për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv politik, për zgjidhjen pa vonesa të mëtejshme të ngërçit politik, dhe kërkojmë të mobilizohen energjitë e vendit drejt këtij qëllimi”.

***

Nuk i takon Bashkimit Evropian të thotë se kush është përgjegjës për ngjarjet e ndodhura më 21 janar. Kështu u shpreh Natasha Butler, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, në një deklaratë për shtyp. Reagimi i saj vjen menjëherë pasi kryeministri Berisha deklaroi paraditen e sotme se do të kërkonte hetues ndërkombëtarë për ngjarjet e ndodhura ditën e premte gjatë protestës së opozitës, ku tre vetë u vranë me armë zjarri nga Garda e Republikës.

“Mbështesim principet e një hetimi, në mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha Butler, teksa vijoi se mënyra për të dalë nga kriza duhet të gjendet nga vetë forcat politike të vendit. Ajo tha se situata në vend po ndiqej me kujdes nga ndërkombëtarët, teksa u bëri thirrje liderëve që të evitonin përsëritjen e dhunës dhe të fokusoheshin tek zgjidhjet. “U takon liderëve të tregojnë maturi dhe s’i takon BE-së të thotë se kush është përgjegjës për ngjarjet e 21 janarit”.

Butler theksoi se nga ana e Bashkimit Evropian liderëve u ishin bërë të ditura kriteret që duhet të përmbushnin, prej të cilave rëndësi të madhe ka bashkëpunimi në parlament, si dhe funksionimi i demokracisë. “U takon atyre të përmbushin kërkesat”, tha Butler, ndërkohë që u shpreh se i takonte drejtësisë shqiptare që të hetonte për përgjegjësinë e 21 janarit.

Paraditen e sotme kryeministri Berisha teksa akuzoi Ramën për protestën e së premtes duke e kërcënuar atë në një mos ripërsëritje të situatës, tha se do të kërkonte hetues ndërkombëtarë për çështjen.