image

Sipas partive shqiptare, këto referoma duhej të fillonin me shkarkimin e redaksisë së vjetër dhe të kreut të saj Bllazhe Ristovski. PDSH, madje vlerëson se e vetmja rrugëdalje është hartimi i një Enciklopedie të shqiptarëve

Bekim MURATI

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM) duhet të reformohet dhe pa reforma të thella, çështja shqiptare nuk do të artikulohet në mënyrë të drejtë. Është ky vlerësimi i partive politike shqiptare pas paralajmërimeve se dy anëtarët shqiptarë, Alajdin Abazi dhe Ramiz Abdyli, do të largohen nga Redaksia e re.
Sipas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), këto referoma duhej të fillonin me shkarkimin e redaksisë së vjetër dhe të kreut të saj Bllazhe Ristovski.
“ASHAM-i duhet të reformohet dhe ne duhet të besojmë se reforma ka nisur me shkarkimin e redaksisë së vjetër dhe redaktorit të saj Bllazhe Ristevski. Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në vitin e kaluar në veçanti pas publikimit të Enciklopedisë , kishin për qëllim ndryshimin e qasjes dhe politikës së ASHAM-it në raport me shqiptarët në Maqedoni”, ka thënë zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti. Por, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk shikon ndonjë perspektivë në këtë Akademi, pasi që sipas tyre, “akademikët maqedonas vështirë të mund të reformohen”.

“Edhe sa të jetë numri i akademikëve shqiptarë në këtë Akademi, ndikimi i tyre do të jetë shumë i vogël apo fare nuk do të ekzistojë kur është në pyetje Enciklopedia e cila në mënyrë joreale i paraqiti shqiptarët dhe prejardhjen e tyre. Nuk besoj se ka perspektivë në atë Akademi edhe krahas vendimit të Redaksisë së re, Enciklopedia fyese për shqiptarët edhe më tej gjendet në treg dhe me të madhe po promovohet në shumë shtete sovjetike. Ajo është edhe në internet dhe nuk shohim ndonjë tërheqje nga ato pozicionet e mëparshme kundrejt historiografisë shqiptare”, ka thënë nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi, duke shtuar se e vetmja rrugëdalje është hartimi i një Enciklopedie të shqiptarëve.

“Ne edhe më herët e kemi promovuar që akademikët shqiptarë të mblidhen dhe të hartojnë një Enciklopedi reale për Maqedoninë, në të cilën në mënyrë reale do të paraqitet e kaluara e këtij shteti, ashtu siç edhe ka qenë. Në rast se nuk pajtohemi me diçka, atëherë të gjejmë forma që të hartojmë një enciklopedi të re, në rast se nuk pajtohemi me këtë aktuale, atëherë duhet të ofrojmë një të re, e cila bazohet në fakte dhe argumente shkencore“, ka shtuar më tej nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi.
Ndërkohë, në Demokracinë e Re të Imer Selmanit, mbështesin akademikët shqiptarë dhe vlerësojnë se në atë Akademi nuk mund të artikulohet çështja shqiptare me atë përbërje e cila për momentin mbizotëron në Akademinë e Shkencave.
“Akademiku Bllazhe Ristevski tani me të madhe po punon në promovimin e Enciklopedisë e cila ishte fyese për shqiptarët dhe ndërkombëtarët dhe me të madhe atë tani po e promovon në ish-shtete sovjetike. Kjo dëshmon se procesi ofendimeve vazhdon dhe shqiptarët nuk kanë çfarë të kërkojnë në atë akademi, pasi që edhe përkundër kapaciteteve që i kanë akademikët shqiptarë, ata nuk mund të kontribuojnë në reformimin e këtij institucioni. Bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës me akademikët shqiptarë në Maqedoni, është alternativa e vetme e cila mund të dalë nga kjo situatë”, ka thënë deputetja e DR-së, Flora Kadriu. Edhe në DR janë të mendimit se ASHAM ka nevojë për reforma të thella, ndërsa një ndër parakushtet është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat edhe në këtë institucion.

Enciklopedi reale

“Ne edhe më herët e kemi promovuar që akademikët shqiptarë të mblidhen dhe të hartojnë një Enciklopedi reale për Maqedoninë, në të cilën në mënyrë reale do të paraqitet e kaluara e këtij shteti, ashtu siç edhe ka qenë”, ka thënë Iljaz Halimi nga PDSH.