Koha e Re :Bardhyl Mahmuti-Interviste
KOHA E RE:
Këtë javë u nda nga jeta diplomati amerikan, Riçard Holdbruk, i cili u shqua për lobimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ju keni qenë përfaqësues diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe keni realizuar disa takime me të. Si e mbani mend zotin Holldbruke?
Bardhyl Mahmuti:
Gjatë muajit qershor të vitit 1998 një varg takimesh me rëndësi të madhe u zhvilluan me diplomatët amerikan dhe përfaqësues të Pentagonit. Këto takime që i kam pasur në cilësinë e përfaqësuesit politik dhe udhëheqësit të Grupit Diplomatik të UÇK-së rezultuan me legjitimimin e luftës së UÇK-së si luftë e drejtë. Takimi im i parë me ambasadorin Holbrook (29 qershor të 1998) duhet të shihet në këtë kontekst historik.
Në dhjetë ditshin e fundit të qershorit kishim tri qëndrime historike për Kosovën:
Zëdhënësi i atëhershëm i Departamentit të Shtetit, z. James Rubin deklaroi qëndrimin zyrtar të SHBA-ve se UÇK-ja nuk është “organizatë terroriste” siç konsiderohej nga disa qarqe ndërkombëtare dhe se bisedimet për statusin politik të Kosovës nuk mund të zhvilloheshin pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UÇK-së;Në përputhje me këtë qëndrim edhe Grupi i Kontaktit për Kosovën ( që përbëhej nga Ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, Irlandës Veriore, Rusisë dhe Sekretares së shtetit të SHBA-ve) doli me deklaratë se në bisedimet për statusin politik të Kosovës duhet të përfshihet edhe UÇK-ja;
Pas takimit që patëm në Crans Montana, ku z. Riçard Holbrok përfaqësonte delegacionin amerikan në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montanas, në Konferencën për shtyp ai e konfirmoi takimin që kishte pasur me mua si përfaqësues politik i UÇK-së dhe deklaroi se “SHBA-të nuk janë kundër pavarësisë së Kosovës, nëse deri te kjo ndarje nga Serbia do të arrihej në mënyrë analogjike siç kishte ndodhur ndarja në mes Çekisë dhe Sllovakisë”.
Ky qëndrim është qëndrimi i parë publik nga një diplomat i përmasave botërore që nuk e shihte ndarjen e Kosovës si burim destabilizimi të Ballkanit. Ky qëndrim irritoi qarqet politike të Beogradit.
Për derisa takimet e mëparshme hapën rrugën e legjitimimit të UÇK-së, takimi me ambasadorin Riçard Holbrok shënon hapin e parë të një dinamike të re të qëndrimeve të personaliteteve dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj statusit politik të Kosovës.
Pavarësia është ndërtuar mbi sakrificat e mëdha të popullit shqiptar, të angazhimeve të Drejtorisë Politike të UÇK-së, të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të çdo ushtari të UÇK-së por edhe një meritë e diplomatëve të kalibrit të z. Holbrook që kishin një vizion shumë më të gjerë për të hapur perspektiva të reja historike.
KOHA E RE:
Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, me ç’rast fituese doli PDK-ja, partia ku ju bënit pjesë dhe jeni ndër themeluesit e saj. Mendoni se fitorja është reale apo ka pasur keqpërdorime dhe mbushje kutish nga ana e partisë së Hashim Thaçit?
Bardhyl Mahmuti:
Fitorja e PDK-së në zgjedhjet e para parlamentare pas shpalljes së pavarësisë është fitore që nuk kontestohet nga askush. Vërejtjet lidhur me parregullsitë në disa vendvotime u bënë nga të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe PDK-në. Është me rëndësi të thuhet se këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të lira dhe më mirë të organizuar në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Në këtë frymë ishin edhe reagimet e institucione Evropiane dhe të SHBA-ve.
Shpresoj se përsëritja e votimit në disa qendra do të rrisë shkallën e legjitimitetit dhe do t’i detyrojë të gjitha forcat politike të pranojnë realitetin e rezultateve zgjedhore. Unë, si bashkëthemelues i asaj partie, ku i kam shokët me të cilët kemi vepruar për dekada të tëra bashkë, jam shumë i gëzuar për fitoren e tyre, sepse kam bindjen e plotë se në gjirin e tyre ka potencial që të ecet drejtë perspektivave të reja për Kosovën.
KOHA E RE:
U tërhoqët vetë nga skena politike e Kosovës apo u kanë bindur bashkëpartiakët se një shqiptar nga Maqedonia e ka rëndë të ndërtojë karrierë politike në Kosovë?
Bardhyl Mahmuti:
Kam bindjen se lexuesi i gazetës suaj e din fare mirë se në Kosovë vuajnë shumë më pak nga lokalizmat e kësaj natyre. Shokët me të cilët kam vepruar për dekada rresht kanë vlerësuar gjithmonë kontributin tim. Sigurisht se ju kujtohet që unë isha shqiptari i vetëm jashtë Kosovës që ishte i ftuar të merr pjesë në seancën parlamentare që shpalli pavarësinë e Kosovës. Unë gjithmonë e kam ndier veten të respektuar nga shokët dhe respektin ndaj tyre e kam të përjetshëm. Arsyet pse unë u angazhova në skenën politike të Maqedonisë janë arsye që lidhen me situatën e vështirë të popullit shqiptar në territoret e veta nën Maqedoni. Si tetovar që jam e ndjej për obligim të kontribuojë aq sa më jepet hapësirë dhe mundësi në avancimin e të drejtave tona kombëtare.
KOHA E RE:
Në Maqedoni keni formuar Bashkimin Demokratik Shqiptar (BDSH), por nuk patët sukses të fitoni asnjë deputet. Pse? Mendoni se e harxhuat kredibilitetin tuaj me shkuarjen në PDSH?
Bardhyl Mahmuti:
Periudha që i parapriu fushatës zgjedhore të 1 qershorit 2008 karakterizohej me një mediatizim të skajshëm të pseudo-konfliktit në mes z. Thaçi dhe z. Ahmeti. Ky mediatizim krijoi një bipolaritet të tillë që shqiptarët në Maqedoni duhej të përcaktoheshin për njërin apo për tjetrin opsion për të zgjedhur të keqen më të vogël! Konflikti i shtirur në mes liderëve të dy partive politike në fjalë (PDSH-BDI) kishte pasoja të mëdha në bazën e militantëve të partive politike, të cilët nuk e kuptonin këtë lojë të fëlliqur politike por armiqësoheshin me vëllaun e vet, me të afërmit e vet, me fqinjët e vet …
Unë kam bërë apele të vazhdueshme që të shqiptarët të mos bijnë pre e këtyre sajesave që nxisin urrejtjen dhe vrasjet ndërshqiptare dhe shpresoj të kem ndikuar së paku te anëtarët dhe simpatizantët e BDSH-së që të mos bëhemi pjesë e së keqes.
KOHA E RE:
Ju flisni për sajesa dhe pseudo konflikte. Mendoni se nuk ka konflikt të vërtetë mes Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit?
Bardhyl Mahmuti:
Ju kujtohet se disa muaj rresht para së të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi akuzoheshin reciprokisht për tradhti kombëtare, për kriminalit, për mafioz, për përgatitës atentatesh, për “dorë të zezë” antishqiptare….
Këto akuza vazhduan deri në ditën e zgjedhjeve ku shqiptarët e armiqësuar nga logjika e mbrojtjes së “patriotit të partisë së vete” nga “ tradhtari i partisë tjetër” u vranë, u plagosën, u maltretuan dhe vodhën votat e vullnetit të popullit. Nëse dikush harron se me 1 qershor 2008 pati shqiptarë të vrarë, të plagosur, të maltretuar ne e kemi për obligim që t’u rikujtojmë shqiptarëve këtë realitet të hidhur. Obligimi është edhe më i madh në situatat kur historia rrezikon të përsëriten. Në këtë kontekst ne i tërhoqëm vëzhguesit tonë nga vendvotimet dhe nuk deshëm të jemi pjesë e dhunës ndërshqiptare.
Unë jam shumë i lumtur që “nuk fitova” asnjë deputet në parlamentin e Maqedonisë duke nxitur vëllavrasjen shqiptare.
Ju i keni parë se si Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, pra ata që nxitën gjithë atë dhunë dhe urrejtje ndërshqiptare, pas zgjedhjeve të 1 qershorit 2008, duke u zgërdhi para kamerave televizive, në zyret e Komunës së Tetovës i shtrënguan duart njëri tjetrit dhe mendojnë që shqiptarët harruan se ato duar ishin akuzuar si duar kriminelësh, si duar të zeza, si duar të flliqta…
KOHA E RE:
Mendoni se historia rrezikon të përsëritet?
Bardhyl Mahmuti:
Shihni analogjinë e mobilizimeve nxitëse rreth aferës së “Kodoshëve” dhe “Dosjeve”. Qe disa muaj rresht opinioni dominohet nga këto afera dhe anëtarët e thjeshtë të partive në terren janë duke thyer dhëmbët se cila deklaratë është më e saktë: Deklarata e Trajanovit që “zbulon “ lidhjet e Arbër Xheferit dhe Menduh Thaçit me UDB-në apo deklarata aluzive të Spasiqit Ali Ahmetin, Fazli Veliun, Musa Xhaferin…si bashkëpunëtorët të UDB-së.
Me një fjalë, akuzat se “a është Ali Ahmeti më spiun se Menduh Thaçi?” , “a është Ali Ahmeti më tradhtar se Menduh Thaçi?” “a është Ali Ahmeti më kriminel se Menduh Thaçi?” janë duke polarizuar faktorin politik shqiptar në mënyrë të ngjashme si para zgjedhjeve të 2008.
Unë e ndjej për obligim si shqiptar t’ju them se kjo është reprizë e tragjedisë së viti 2008! Unë nuk mund të ndal askënd që për hesape të tjera të vritet me shqiptarë, të shahet me shqiptarë, të maltretohet me shqiptarë… Por, ata nuk duhet të harrojnë se në këtë reprizë, aktorët kryesor të kësaj tragjedie, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi prapë do të zgërdhihen para kamerave dhe do të shtrëngojnë duart e akuzuara reciprokisht si duar kriminelësh.
KOHA E RE:
Meqenëse përmendeni në dosje se ju kanë spiunuar shokët tuaj, a u besoni deklaratave të Trajanovit dhe Spasiqit? Lexuesit i intereson të dijë se a ka pasur “kodoshë” në mesin tuaj?
Bardhyl Mahmuti:
“Afera e Dosjeve” ka ngulfatur hapësirën publike dhe deri në një masë edhe atë private të shqiptarëve të Maqedonisë. Unë nuk hyj në kurthet e gatuara nga kuzhinat e huja dhe të përqendrohem në natyrën e informacioneve të dhëna, vërtetësinë e këtyre informacioneve përkundër faktit se disa nga miqtë e mi ma kanë kërkuar vazhdimisht.
Mua më intereson të sjell për lexuesin tuaj disa fakte që dihen.
Më duket e rëndësishme të sqaroj diçka. Fjala “kodosh” që aq shumë është përdorur në lidhje me “dosjet” më duket fjalë adekuate për të sqaruar këtë situatë dhe qëndrimin tim lidhur me to.
Fjala “kodosh” do të thotë ndërmjetësues në punë të pandershme, ndërmjetësues në punë të këqija…” (Shih fjalorin e fjalëve të huaja)
Dihet se sigurimet sekrete kanë një qëllim: të sigurojnë shtetin dhe sistemin politik.
Përkundër dëmeve dhe vuajtjeve të mëdha që shkaktuan te njerëzit UDB-ja, si sigurim i brendshëm jugosllav, nuk mundi të sigurojë as shtetin e Jugosllavisë e as regjimin komunist. “Kodoshët” që ndërmjetësuan në këto punë të këqija kundër popullit të vet kanë vendin e vet të merituar.
Populli shqiptar ka vuajtur shumë nga “kodoshët” e vet. Por, fatkeqësisht të gjitha dosjet e kodoshllëqeve të kaluara janë në duart e regjimeve dhe shërbimeve antishqiptare. Ata synojnë të na çorientojnë sipas interesave të tyre.
Ajo që më duket e rëndësishme lidhe me zhvendosjen e vëmendjes në një periudhë kohore të cilën nuk jemi në gjendje ta sqarojmë ne si shqiptarë.
Por atë që mund ta sqarojmë pa asnjë dilemë lidhet me periudhën dy dekadëshe të vuajtjeve dhe diskriminimit të shqiptarëve nën Maqedoni.
Partia politike është një strukturë ndërmjetësues në mes popullit dhe institucioneve shtetërore. Në këtë kuptim, partitë politike shqiptare në Maqedoni janë struktura ndërmjetësuese në mes popullit shqiptar dhe shtetit maqedonas.
Vrasjet e shqiptarëve që nga “Rasti i Bit Pazarit” e deri te “Rasti i Radushës” janë bërë edhe me ndërmjetësimin e partive politike shqiptare. Këtë kodoshllëk (ndërmjetësim) të partive politike shqiptare në punë të këqija dhe të pandershme antishqiptare nuk ka nevojë të më tregojë as Trajanovi e as Spasiqi;
Burgosjet e mijëra shqiptarë në procese të montuara politike janë bërë edhe me ndërmjetësimin e partive politike shqiptare;
Imponimi i mësimit të maqedonishtes nga klasa e parë e arsimit fillor, Projekti “Skopje 2014” , dhënia e vendimeve të punës vetëm për punëtorët e përkatësisë maqedonase janë bërë edhe me ndërmjetësimin e partive politike shqiptare;
Mosdhënia e nënshtetësisë dhjetëra mijëra shqiptarëve Miratimi i Ligjit për Regjistrim, që përjashton nga regjistrimi qindra mijëra shqiptarë është bërë edhe me ndërmjetësimin e partive politike shqiptare. Për këtë kodoshllëk (ndërmjetësim) të partive politike shqiptare në punë të këqija dhe të pandershme antishqiptare nuk ka nevojë të më tregojë as Trajanovi e as Spasiqi;
KOHA E RE:
Si e vlerësoni participimin e BDI-së së Ali Ahmetit në qeverinë e Nikolla Gruevskit?
Bardhyl Mahmuti:
Edhe pse Ali Ahmeti dhe funksionarë të tij vetëm para disa ditëve, trumbetuan se janë partner të koalicionit dhe se roli i BDI-së nuk është inferior në qeveri, një gjë e tillë, tani më është shumë e qartë që nuk është e vërtetë. Duke filluar nga themelimi i kësaj qeverie me 2008 dhe deri ditët e sotme, në mes të BDI-së dhe VMRO-së nuk ka asnjë lloj partneriteti sa i takon bashkëqeverisjes. Partneritet i vetëm në mes këtyre partive qëndron vetëm në pjesën se kush nga këto dy parti do të diskriminojë më tepër shqiptarët. Në njërën anë kemi VMRO-në, për të cilën nuk na habit fakti se ka për qëllim të diskriminojë popullin shqiptar, dhe në anën tjetër kemi BDI-në e cila në pamundësi për të realizuar interesat e grupeve kriminele dhe klaneve të ndryshme është e detyruar që të jetë partner diskriminimi dhe e dëgjueshme ndaj VMRO-së. Në aspektet tjera të bashkëqeverisjes, BDI është totalisht e pafuqishme dhe e anashkaluar. Këtë gjë e vërtetojnë një sërë ligjesh antishqiptare dhe që u sollën me votat edhe të BDI-së. Botimi i Enciklopedisë fyese, ligji fashizoid i natalitetit, bllokimi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, zbehja e rolit të Komitetit për marrëdhënie ndëretnike, ligji për përdorim gjysmak të gjuhës shqipe, kodi zgjedhor, ligji i regjistrimit, maqedonishtja prej klasës së parë, Shkupi 2014, nuk u soll ligji për UÇK-në, rasti i Radushës.
Është e papranueshme që një lider i një partie shqiptare mund të deklarojë se roli i partisë së tij në qeveri nuk është inferior duke u bazuar në hapjen e një muzeu të lirisë, ngritjen e tre busteve në projektin “Skopje 2014”, me sheshin Skënderbeu që ende nuk ka filluar të ndërtohet dhe me imtësia të këtilla, kur dihet që para disa ditëve VMRO furnizoi 700 maqedonas me vendime pune kundrejt 10 shqiptarëve, kur dihet qe 200 milion euro para edhe te qytetareve shqiptar harxhohen për Shkupin 2014, kur dihen investimet e qeverise ne rajonet e banuara me maqedonas dhe ato ne rajonet e banuara me shqiptar, kur dihet qe vetëm enterieri i muzeut te VMRO-se kushton 9 milion Euro,…etj.
Me një fjalë, participimin e BDI-së së Ali Ahmetit në qeverinë e Nikolla Gruevskit e vlerësoj si “kodoshllëk”, në kuptimin e ndërmjetësimit në punët e këqija dhe të pandershme antishqiptare
