Prishtinë, 17 shtator – Lëvizja për Bashkim ka finalizuar një platformë që bën thirrje për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe. Ajo i jep të drejtë veriut të Kosovës të populluar me serbë, por pa Mitrovicën, që të shkëputet nga Kosova, sikurse edhe Luginës së Preshevës të populluar me shqiptarë, që të shkëputet nga Serbia. Po kështu bën thirrje për aplikim të masave të reciprocitetit nga të dyja shtetet për këto rajone, deri në momentin kur ato të realizojnë të drejtën e vetëvendosjes. Dhe, pas zgjidhjes së këtyre çështjeve, në programin e Lëvizjes për Bashkim është që Kosova si tërësi të deklarohet nëse do t’i bashkohet Shqipërisë, apo të mbetet shtet më vete.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, kryetari i kësaj lëvizjeje, Avni Klinaku, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që sa më parë të marrin iniciativën për zgjidhjen e asaj që e quan, çështje shqiptaro-serbe. Kjo, ngaqë konsideron se situata aktuale më së tepërmi është duke dëmtuar shqiptarët.

Klinaku ka pohuar se Lëvizja për Bashkim ka dalë me një platformë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe, vetëm pak ditë pasi Asambleja e Përgjithshme u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për dialog. Konsiderojmë se kapitujt që kanë mbetur të zgjidhen në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tanimë të vegjël. Nuk janë siç kanë qenë. Ka qenë krejt Kosova, e tani janë pjesa veriore e Kosovës, qyteti i Mitrovicës dhe Kosova Lindore, është shprehur ai.

Sipas tij, marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë reduktuar në tre kapituj: kapitulli i parë është veriu i Kosovës; i dyti është qyteti i Mitrovicës; dhe i treti Kosova Lindore. Me veriun e Kosovës ne nënkuptojmë Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin, tri komuna që janë të banuara historikisht me shumicë serbe dhe kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë. Ndërsa kapitullin e dytë e konsiderojmë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe shtatë fshatra shqiptare që aktualisht kanë mbetur nën ato tri komunat e pjesës veriore. Çështja e tretë është Kosova Lindore, Presheva, Bujanoci e Medvegja, të banuara me shumicë shqiptare, dhe me vazhdimësi territoriale me Kosovën.

Vetvetiu edhe nga i numëron, edhe nga i sqaron, edhe nga e sheh aktualitetin, sheh një dallim të madh në mes të çështjes veriore të Kosovës dhe qytetit të Mitrovicës. Këto nuk kanë ngjashmëri njëra me tjetrën. Qyteti i Mitrovicës është i banuar me shumicë shqiptare, së paku me prona. Pjesa e veriut të qytetit është spastruar etnikisht. Shqiptarët jetojnë në pjesën jugore, por pronën, të drejtën e votës, dhe jetën e vetë e kanë në veriun e Mitrovicës.

Edhe në aspektin e së drejtës, edhe në aspektin e paqes, kur populli vendos vetë është më së miri. Shkëmbimi i territorit e ka një të keqe në vetvete, si parim, dhe nuk merr parasysh vullnetin e popullit. Ai merr parasysh territorin dhe pasuritë dhe bëhet për shkaqe strategjike, kurse vullneti i popullsisë mungon. Në shumë raste të shkëmbimit të territoreve ka ardhur deri te deportimi i popullsisë, që është e njohur si johumane. Prandaj, ne mendojmë se, duke i parë karakteristikat e kombit të të dy popujve që jetojnë në këto pjesë, në veri të Kosovës pa Mitrovicën dhe në Kosovën Lindore, e drejta e vetëvendosjes në këtë moment na ndihmon më së tepërmi në zgjidhje. Mirëpo, kjo zgjidhje është mjaft e vështirë në rrethanat aktuale, edhe për shkak të Qeverisë serbe që akoma vuan nga ultranacionalizmi, është e vështirë edhe për shkak të implikimit të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, por edhe për shkak të institucioneve tona. Prandaj, ne në qendër të platformës kemi reciprocitetin në zbatimin në të drejta, që e ndihmon këtë çështje për të shkuar drejt vetëvendosjes. Dhe, kjo është në interes edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar, dhe gërshetohet me ruajtjen e përkohshme të këtyre kufijve që dikur duhet të ndërrohen.

Klinaku ka përmendur mekanizmin e reciprocitetit, po ashtu, si një zgjidhje. Pse të mos i thuhet Qeverisë serbe : ne jemi të gatshëm që serbëve në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan të gjitha të drejtat t’ua njohim reciprokisht me ato që ju ua njihni shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

I pyetur se çka duhet bërë për të realizuar atë që ka në programin politik Lëvizja për Bashkim – bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Klinaku është përgjigjur:

Kjo do të vinte pasi të zgjidhej çështja e Mitrovicës, kthehen shqiptarët në pronat e tyre dhe ajo i bashkohet Kosovës. Pastaj Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku në njërën anë dhe Presheva, Medvegja e Bujanoci, në anën tjetër, do të gëzonin statuse të njëjta. Ato le të jenë që nga format e ndryshme të autonomive kulturore, edhe territoriale, qoftë edhe si modeli i Tirolit, madje edhe republika, por edhe deri në shkëputje le të shkojnë. Mirëpo, le të shkojnë njësoj.

Ai ka thënë se krejt sondazhet që janë bërë, përfshirë edhe ato të huajat, tregojnë se mbi 76 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë për bashkim me Shqipërinë. Por, është mësuar qytetari ynë që, edhe sot në rrugë ta pyesësh a je për bashkim kombëtar, ai thotë se ky nuk është i mundshëm. Për mundësinë do të bisedojmë një herë tjetër, por për dëshirën. Qytetari ynë flet për mundësinë dhe pamundësinë, dhe jo për dëshirën.

I pyetur për konceptet rreth krijimit të një identiteti të ri të shqiptarëve të Kosovës,. Klinaku rikujtoi historitë e krijimit të dy kombeve nga i njëjti brumë. Por shtoi se populli shqiptar i Kosovës atë rrezik e ka tejkaluar, sepse 100 vjet ka qenë i pushtuar nga Serbia, e cila është munduar e me të gjitha mjetet ta ndërrojë këtë identitet dhe nuk ka arritur.

Tash, me përpjekjet për të krijuar një Kosovë multietnike, ka dalë në sipërfaqe një kosovarizëm që është përcjellë me ndërrim flamuri, ndërrim himni, ndërrim festash, por rezultatet janë të mira për popullin shqiptar, sepse nuk ka pasur ndonjë lidhje emocionale me këto simbole, me këto data. Populli shpirtërisht ndihet një. Ka ndonjë zë tjetër, por janë të pakët këta zëra. Dhe, është mirë që janë pak.

Në këtë favor ai ka rikujtuar se me zhvillimet politike nuk mund t’i parashohësh me data. Ato kanë 100 faktorë të gërshetuar në mes vete që ndikojnë në njëra-tjetrën. Vetëm merreni shembullin e Gjermanisë. Dy-tri ditë para bashkimit, gjermanët patën deklaruar se ai ishte i pamundshëm dhe nuk do të ndodhte kurrë. Por, rrethanat ishin zhvilluar shpejt dhe Gjermania ishte bashkuar.

Për idenë e bashkimit Klinaku ka thënë se jemi duke i përcjellë zhvillimet në Vetëvendosje! me një interesim të shtuar, për shkak se është një risi deklarimi i tyre për përdorimin e mjeteve institucionale për organizimin e qëllimeve të tyre dhe po presim me padurim programin politik të kësaj lëvizjeje.

Nëse do të jetë test kjo ose jo, së pari ju them se ne si objektiv vetes që ia kemi qitur është se do të jetë test së pari për ne, për objektivin tonë që në Kuvendin e Kosovës të krijojmë grupin e parë parlamentar për bashkim kombëtar. Këtë besoj se do ta arrijmë dhe kjo do të ndihmojë në kapërcimin e situatës me sukses.