Betimi i ushtarit të UCK-së: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!”

 Çudi! Kësaj here edhe Nëna natyrë i dha të drejtë KFOR-it (NATO-s)! Ngrirja e marrëdhënieve me FSK-në mori edhe miratimin e plotë të saj! Një borë dhe ftoft i pazakont për këtë kohë mbuloi Kosovën! Shqiptarët e Kosovës, pothuajse pa përjashtim, do të donin që FSK-ja, meqë nuk u bë TMK-ja, të bëhet ushtri. Ata janë pajtuar dhe këmbëngulin që Kosova të jetë shtet më vete me “flamur” dhe “himn” të vetin! Madje kanë filluar të flasin e të shkruajnë pa u skuqur fare se UÇK-ja dhe dëshmorët e saj luftuan dhe derdhën gjak për ta bërë Kosovën shtet! Me kaq u përmbush qindë për qindë amaneti i dëshmorëve, thonë shumë prej tyre! Nëse mund t’u besohet politikanëve, mediave të shkruara dhe atyre elektronike, shumica absolute e shqiptarëve të Kosovës dhe e atyre në Ballkan kanë dëshirë dhe “këmbëngulin” që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, të pranohet nga kjo organizatë botërore si shtet më vete! Për këtë punë është pajtuar plotësisht dhe po përpiqet edhe shteti shqiptar i drejtuar nga Berisha dhe Topi! Mirëpo, KFOR-i (NATO) nuk po pajtohet që Kosova të ketë ushtri të veten. Ata këmbëngulin, njësoj si për TMK-në, që FSK-ja të mbetet një forcë civile e sigurisë. Ata nuk pajtohen që FSK-ja të parakalojë për nder të Epopesë së UCK-së dhe të nderojë Komandantin Legjendar të UCK-së, Kryetrimin e ditëve tona, të Kombit shqiptar dhe Shqipërisë, Adem Jasharin. Sipas meje, KFOR-i dhe NATO kanë plotësisht të drejtë. Gabim jemi ne. Politikanët tanë nuk po arrinë t’i lexojnë drejt porositë e tyre të rëndësishme dhe të mira për kombin shqiptar. Kjo klasë politike dhe institucionale e kombit tonë nuk arritën ose nuk deshën ta kuptojnë as porosinë dhe kërkesën e hapur të Kryetarit amerikan, Gjergj Bush, në Tiranë. Gjatë vizitës së tij, Ai tha: “Shqiptarë të Kosovës, ktheni sytë nga Tirana! Këtu e keni Kryetarin, këtu e keni Qeverinë”. Kurse, atij Berishës i tha: “Kosova është e jotja. Urdhëro merru me të. Ftoji politikanët e Prishtinës dhe mirruni vesh”! Më qartë dhe më hapur se kaq nuk mund të flitet dhe të thuhet. KFOR-i, NATO, SHBA-ja dhe miqtë tanë në Evropë nuk do të donin që një komb t’i ketë dy shtete, që një komb t’i ketë dy flamuj, që një komb t’i ketë dy ushtri, si puna e dy koreve, e dy gjermanive, e dy jemeneve, etj. Përvojat e këtyre kombeve kanë dëshmuar se këto zgjidhje nuk janë të mira dhe as funksionale. Madje, hapin telashe dhe krijojnë situata të dëmshme dhe shpeshherë me rreziqe për sigurinë dhe paqen e rajoneve ku janë. Gjermanët tashmë e kanë përmirësuar këtë padrejtësi të bërë nga fuqitë që fituan Luftën e Dytë Botërore. Kjo është edhe arsyeja pse edhe unë jam kundër pranimit të Kosovës në OKB! Nuk do të dëshiroja të kemi dy Shqipëri. Me këtë akt kombi shqiptar do të humbiste shumë. Ndarja e kombit dhe e Shqipërisë do të thellohej…

Në rastin e Kosovës ka edhe diçka tjetër që nuk shkonë. Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftëtarit të saj ishte shqipja dykrenore, që daton dhe përdoret në vazhdimësi nga populli ynë qysh nga shekulli VI para erës sonë (pellazgë-ilirë-arbër-shqiptarë). Kurse Flamuri që printe dhe valvitej në betejat e UÇK-së ishte Flamuri shqiptar, kuqë e zi. A mund të kujtohet dhe nderohet Epopeja e UÇK-së me një flamur si ky që iu imponua Kosovës? A mund të kujtohet dhe nderohet Kryetrimi Adem Jashari dhe Familja e tij me këtë “flamur”? A mund të bëhen këto nderime nga uniforma që mbanë si emblemë këtë “flamur”? Mundet, por nuk do të duhej të ndodhtte, nuk do të duhej të bëhej, sepse kjo fyen Luftën e lavdishme të UÇK-së, fyen Kryetrimin dhe dëshmorët e kombit. Prandaj, unë them se KFOR-i dhe NATO kanë të drejtë! Kombi shqiptar e ka një Ushtri. Pse t’i bëjë dy? Shteti shqiptar sot është anëtar i NATO-s dhe Ushtria shqiptare mund dhe do të duhej të përbënte forcën kryesore në Kosovë. Vendet tjera të NATO-s (ato që kanë njohur dhe respektojnë LIRINË e Kosovës) mund ta ndihmojnë Ushtrinë shqiptare në ruajtjen dhe garantimin e paqesë dhe të sigurisë në hapësirat shqiptare dhe në rajon. Kush ka më shumë të drejtë të garantojë mbrojtjen dhe sigurinë e kësaj krahine shqiptare? Në këtë Ushtri do të rekrutoheshin edhe djemtë e Kosovës pa dallim. Kujtimi dhe nderimet për Epopenë e UÇK-së, për Komandantin Legjendar dhe për të gjitha përpjekjet, luftërat dhe dëshmorët e kombit do të bëheshin me emblemën dhe Flamurin shqiptar, që është më i vjetri flamur në Evropë, sepse dëshmorët tanë vetëm këtë flamur kanë njohur dhe nderuar. Vetëm atij i përkuleshin dhe për te dhanë edhe jetën. Kjo do të hapte rrugë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan. Kështu do të ishin të kënaqur edhe KFOR-i, edhe NATO, SHBA-ja dhe miqtë tanë evropianë. Siguria, stabiliteti dhe paqja në Ballkan do të ishin të garantuara. Serbia do të “pajtohejë” me këtë realitet dhe ekuilibrim të forcave në rajon. Jam i sigurtë se do të kishim marrëdhënie shumë normale, madje edhe miqësore me këtë shtet të pa bërë rehat. Nga kjo zgjidhje do të përfitonte shumë edhe populli serb dhe popujt tjerë fqinjë që mbajnë të pushtuara tokat shqiptare. Nga kjo zgjidhje mund të “humbiste” “Vetëvendosja” e Albin Kurtit dhe ndonjë organizatë tjetër me program të ngjashëm. Për ta nuk do të kishte më punë, do të “falimentonin”… Nga kjo zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme do të përfitonin shumë edhe misionet e imponuara në Kosovë. Njerëzit e këtyre misioneve do t’u ktheheshin familjeve dhe vendeve të tyre të dashur, që po kanë mallë me i pa.

Ne të gjithë, edhe ata që nuk e pranojnë, e dimë që çështja shqiptare në Ballkan nuk është zgjidhur. Ajo vazhdon të jetë e hapur. Këtë të vërtetë e dinë edhe NATO, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe mbarë bota. Populli dhe qytetërimi më i lashtë i Evropës dhe më gjerë, populli dhe civilizimi Amë i Evropës vazhdon të nëpërkëmbet dhe të përpëlitet për të drejtat e tij themelore kombëtare, demokratike, politike e qytetare. Kishte dhe ka bijë plangprishës edhe të këtij populli (klemxhinjë), si Cufajt, surrojtë, spahinjtë, ndonjë parti politike “opozitare”, etj., që me një kënaqësi të veçantë shpallin dhe trumbetojnë “dështimet” e popullit shqiptar dhe “prishjen” e tij me NATO-n, KFOR-in dhe miqtë tanë, që kombin shqiptar e shohin të bashkuar në një shtet dhe me një flamur, Flamurin kuqë e zi. Prandaj, unë mendoj se KFOR-i (NATO) ka të drejtë. Ndoshta është koha më e mirë që shqiptarët ta kuptojnë dhe lexojnë drejt çastin historik dhe porosinë e miqëve tanë. Klasa politike dhe institucionale mbarëshqiptare si dhe inteligjencia jonë të “ulen” të merren vesh dhe pastaj, bashkë me miqtë tanë ndërkombëtar, ta shtrojnë për diskutim këtë çështje edhe me fqinjtë tanë. Të bisedohet hapur, qetë, pa koplekse dhe pa paragjykime, t’u shpjegohet fqinjve tanë se zgjidhja e përherëshme e çështjes shqiptare është sine que non për paqenë, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. Kjo zgjidhje është interes jetik edhe i fqinjëve tanë. Ata duhet ta ftohin mendjen dhe gjakun dhe ta kuptojnë këtë interes të tyre dhe domosdoshmëri të kohës. Kështu, për herë të parë popujt e Ballkanit nga kundërshtarë e armiqë do të bëheshin miqë të mirë dhe do të jetonin në fqinjësi të mirë, e cila është kusht edhe për integrimet evropiane. Prandaj, unë, edhe njëherë dhe saherë, them se KFOR-i, NATO dhe miqtë tanë kanë të drejtë. Jo vetëm kaq. Ne, shqiptarët, kemi detyrim të trefishtë: Ta ndihmojmë veten tone, zgjidhjen e çështjes shqiptare, t’i ndihmojmë popujt e Ballkanit që të “çlirohen” nga shqiptarët dhe t’i ndihmojmë miqtë tanë për vendosjen e përherëshme të paqesë dhe sigurisë në Ballkan e më gjerë.

Xhevat Bislimi