kerry-lavrovSekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka deklaruar se një takim me presidentin rus Vladimir Putin nuk do të ndodhë derisa Moska të marrë në konsideratë propozimet e SHBA për të frenuar krizën në Ukrainë. Zoti Kerry i tha homologut të tij rus Sergei Lavrov se ndërhyrja ushtarake e Moskës në Krime i ka bërë jashtëzakonisht të vështira negociatat. Autoritetet amerikane deklarojnë se nuk do të ketë shumë hapësirë për bisedime nëse referendumi në Krime zhvillohet.

Referendumi është parashikuar të mbahet të dielën dhe Ukraina me Perëndimin deklarojnë se ai është ilegal dhe se nuk do ta njohin.

Në një fjalim televiziv bashkë  me presidentin Putin ditën e hënë, ministri i Jashtëm, Lavrov deklaroi se propozimet e bëra nga zoti Kerry për zgjidhjen e situatës nuk janë të favorshme.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki deklaroi se Uashingtoni dëshiron të shohë prova konkrete se Rusia është e përgatitur që të angazhohet me propozime diplomatike për të zgjidhur krizën ukrainase.

Trupat pro-ruse kanë bllokuar ato ukrainase në Krime. Rusia ka mohuar që ato të jenë trupat e saj, duke i cilësuar njësitë paraushtarake në gadishull si forca vetëmbrojtjeje.

Marrëdhëniet mes zotit Kerry dhe zotit Lavrov janë vështirësuar së tepërmi së fundmi pikërisht për shkak të krizës ukrainase.

Rusia deklaroi të hënën se po përgatit një draft me kundër-propozime ndaj planit të Shteteve të Bashkuara për një zgjidhje të negociuar të krizës