godeliKampioni i Botës, Daniel Godelli i solli Shqipërisë suksesin më të madh të të gjitha kohërave jo vetëm në peshëngritje, por në mbarë gamën e sporteve. Në gjithë historinë e sportit shqiptar nuk gjen një sukses të tillë e në peshëngritje nuk gjen një kampion bote në dygarësh megjithëse disiplina e shtangës mbetet pa asnjë dyshim elita e gjithë sporteve në Shqipëri. Historia fillon në fakt me një rast tjetër unik në llojin e tij.

Ai është Ymer Pampuri, i pari shqiptar kampion bote në peshëngritje, i pari dhe i vetmi rekordmen olimpik shqiptar. Në Olimpiadën Mynih 1972 Pampuri përfaqësonte Shqipërinë. Në vitin e Lojërave Olimpike asokohe nuk zhvillohej kampionati botëror pasi merreshin bazë për të rezultatet e olimpiadës. Në atë kohë në peshëngritje garohej në tre stile, shtytje shkëputje dhe stilin e forcës. Pikërisht në stilin e forcës Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127.5 kg duke thyer rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë. Një vit më parë stili i forcës u hoq nga kompeticioni dhe fati deshi që Ymer Pampuri të mbetej rekordmeni i përjetshëm i tij.

Suksesi i Sulit – Në vitin 2002, në kampionatin botëror të peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë, Ilir Suli, një nga peshëngritësit më të talentuar të historisë së shtangës shqiptare shpallej nënkampion i Botës, duke fituar medaljen e argjendtë me ngritjen e 175 kilogramëve në stilin e shkëputjes. Ilir Suli gjithashtu mban dhe vendin e 5-të në dygarësh në Olimpiadën e Sidney 2000 që mbetet edhe sot renditja më e mirë përfundimtare e një shqiptari në Lojërat Olimpike.