Ish shefi i UDB-së nuk gënjen
Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës ne vitin 1996 solli Rezolutën nr. 1096 me të cilën nga ish shtetet e bllokut komunist kërkohej që të distancohen nga trashëgimia e sistemit totalitar komunist. Dy vjet më vonë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës solli rezolutë nr. 1481 me të cilin kërkohej që ish shtetet komuniste të distancohen nga krimet e komunizmit.
Si rezultat i këtyre rekomandimeve Parlamenti i Maqedonisë, në vitin 2006 në një seancë parlamentare u kërkoi falje viktimave të komunizmit. Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë dhe Parlamenti i Maqedonisë ishin organizatorë dhe realizatorë të një konference ndërkombëtare ku temë ishte dënimi i krimeve të komunizmit. Kjo Konferencë u mbajt në Strugë në muajin maj të vitit 2007. Në këtë Konferencë kontributin e vetë e dhanë ish të përndjekur nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Lituania dhe Maqedonia. Kjo Konferencë miratoi një rezolutë me të cilën u dënuan krimet e komunizmit. Deri këtu çdo aktivitet është ne rregull. Mirëpo, çfarë dobie kanë viktimat e ish sistemit komunist ne rast se një parlament, siç është ky i Maqedonisë vlon nga kriptokomunistë. Çfarë dobie kanë viktimat e ish sistemit në rast se parlamenti i dënoi krimet e ish sistemit komunist. Sot e gjithë ditën, ish të burgosurit dhe të persekutuarit politikë shqiptarë vuajnë bukën e gojës. Kjo kategori është lënë nga shoqëria jonë si peshku në baltë. Shumica e ish të burgosurve dhe e të persekutuarve politikë shqiptarë nuk marrin pensionin e moshës-65 vjeç. Disa të tjerë nuk marrin pension pasi nuk kanë as 15 vitet e nevojshme përvojë pune. Kush do t’i kompensojë shumë jetë të humbura, prona të tretura, familje të shkatërruara, karriera dhe perspektiva të asgjësuara. Kurrgjë nga këto nuk mund të kompensohen me të kërkuarit falje.
Nëpër burgjet e ish Jugosllavisë ne takonim edhe nga ndonjë të burgosur politik maqedonas. Ato ishin te dënuar për VMRO-izëm ose Bullgari të Madhe, ose për Informbironë. Në debatet tona me këto të burgosur ne diskutonim kufijtë e Bullgarisë dhe Shqipërisë. Ne asnjëherë nuk diskutonim për kufijtë e Maqedonisë. Unë këto debate shpesh i kam bërë në burgun e Idrizovës gjatë viteve të 80-ta me themeluesin dhe me njeriun e parë të VMRO-së në Maqedoni, Dr. Dragi Bogdanov. Bogdanov, pas daljes nga burgu në vitin 1990 e formoi partinë e VMRO-së. Mirëpo, kryetar u zgjodh Lubço Georgievski i cili kishte koncept pak më ndryshe se ai i Dragi Bogdanovit, sa u takon kufijve. Cili ishte qëndrimi i Lubço Georgievskit për kufijtë e di opinioni shqiptar për ofertën që ai ia bëri Arbër Xhaferit gjatë konfliktit të vitit 2001. Dr. Dragi Bogdanov, për ndeshje konceptuale u largua në mërgim ku edhe vdiq në vitin 1995. Lubço Georgievski ia drodhi themeluesit te VMRO-së duke shtuar një DPMNE. Njëlloj ia drodhi luftës sikurse Ali Ahmeti me Komunikatën nr. 6 (Pesë komunikatat e UÇK-së ishin luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Komunikata numër gjashtë ftonte shqiptarët në luftë për avancimin e të drejtave të tyre. Temë e këtij shkrimi nuk është gjithë që u tha më lartë. Temë e këtij shkrimi është deklarata e z. Gjorgji Spasov, dhënë në “Utrinski Vesnik” më 7 tetor 2010. Z. Gjorgji Spasov gjatë ish sistemit komunist të Jugosllavisë ka qenë udhëheqës i shërbimeve sekrete në Maqedoni. Ministër i drejtësisë të Maqedonisë ka qenë në fund të viteve të 90-ta. Sot është profesor universitar. Ky njeri nuk i quan kodoshë ato që kanë spiunuar për ruajtjen e ish sistemit komunistë të RSFJ- së, mirëpo ja që doli se ato që kanë rrënuar atë sistem ishin në të drejtë. Kjo është arsye përse kodoshët dhe punëdhënësit e tyre duhet stigmatizuar.
Ky ish UDB-ash, pastaj ministër i drejtësisë sot e gjithë ditën edukon breza të rinj. Në bazë të Ligjit për Lustrim në Gjermani janë larguar mbi 170 000 punonjës në fushën e arsimit. Ky zotëri në gazetën e lartpërmendur ndër shumë suksese të Maqedonisë “demokratike” përmend edhe Ligjin për zhdëmtimin e ish të burgosurve politik. Ky shkrim është për këtë çështje. Kur u soll ligji, si u soll ligji dhe kush u zhdëmtua? Ky ligj ka patur vlerë vetëm për maqedonasit. Ato janë zhdëmtuar materialisht dhe prandaj ato heshtin. Ja procedura se si maqedonasit e kanë zgjidhur çështjen. Kanë bërë marrëveshje pushteti dhe ish të burgosurit maqedonas. Çdo ish i burgosur duhej të padiste shtetin për zhdëmtim. Padia ka arritur në Prokurori. Në seancën gjyqësore të organizuar për çështjen e lartpërmendur, prokuroria ka heqë dorë nga mbrojtja e shtetit. Paditësi-ish i burgosuri politik maqedonas e ka zgjidhur kontestin në dobi të vetë. dëmshpërblimi është bërë sipas marrëveshjes. Këtë procedurë ne si shoqatë na e ka propozuar ish kryetari i Parlamentit të Maqedonisë z. Lubisha Georgievski. Me këtë metodologji pune një ish i burgosur politik maqedonas, Metodij Andonov-Çento është zhdëmtuar nga shteti me 700 000 marka gjermane. Ish të burgosurit politik maqedonas nuk luftojnë për zhdëmtimin e tyre material pasi këtë punë ato e kanë zgjidhur. Këtë e deklaron ish ministri i drejtësisë i fundit të viteve të 90-ta z.Gjorgji Spasov. Ish të burgosurit politikë maqedonas luftojnë për rehabilitim, pasi shumica janë dënuar ose ekzekutuar si bashkëpunëtore të forcave bullgare në territorin e Maqedonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore(kemi rastin e disa dhjetëra të pushkatuarve në Veles, Kumanovë dhe disa vise të tjera). Ish të burgosurit politik maqedonas kërkojnë rehabilitim nga shoqëria maqedonase për veprat e bëra gjatë Luftës së II Botërore dhe gjatë sistemit komunist
Ne ish të burgosurit dhe të persekutuarit politik shqiptar nuk na intereson aspak rehabilitimi për shkak se ne nuk jemi penduar për atë që e kemi bërë. Rehabilitim do të thotë pendim për veprën e bërë dhe falje nga ana e pushtetit për shkak të pendimit. Ne nuk jemi penduar aspak. Ne luftonim për idealet tona kombëtare për liri. Ishim me anën e botës të civilizuar sa u takon standardeve edhe lirive të njeriut. Ne kërkojmë që shteti i sotëm, trashëgimtar i të mirave materiale të ish sistemit komunist të na zhdëmtoje për zullumin që në është bërë për arsye se: Shteti na kërkoi falje. I dënoi krimet e sistemit komunist. Ka disa rezoluta të OKB-së dhe Këshillit të Evropës të cilat janë në favorin tonë. Kërkesat tona ne i kemi parashtruar para gjashtë vitesh pranë partive politike shqiptare. Ne atyre u kemi dorëzuar një propozim ligj për zgjidhjen e këtij problemi. Propozim-ligji ynë myket diku në sirtarët e zyrave të parlamentarëve tanë.
Zgjidhja e problemit të ish të burgosurve politikë maqedonas është realizuar falë pjekurisë politike të përfaqësuesve të tyre ne gjyqësi, parlament dhe qeveri. Edhe çështja e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politik shqiptar do të zgjidhet një ditë, kur klasa jonë politike do të dalë nga puberteti i saj. Ne si kategori nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari të drejtat tona për zhdëmtim. Ish të burgosurit dhe të persekutuarit politik shqiptar i habit fakti se si është e mundur që në Pyetësorin që Bashkimi Evropian ia parashtroi Maqedonisë, pyetësor i cili kishte mbi 3000 pyetje, asnjë pyetje nuk kishte të bënte me ish të burgosurit dhe të persekutuarit shqiptarë. Ne nuk besojmë që bashkësia ndërkombëtare ka bëre një gabim te këtillë. Ndoshta pushteti maqedonas u ka deklaruar se ne u kërkuam falje viktimave, i dënuam krimet komunizmit dhe sollëm ligj për zhdëmtimin e ish të burgosurve politikë. Sido që të jetë, ne edhe institucionet relevante në vend i kemi informuar për Propozim Ligjin për zhdëmtim të ish të burgosurve dhe të persekutuarve politik shqiptarë. Gjithashtu i kemi informuar edhe faktorët relevant ndërkombëtar për aktivitetet e Shoqatës tonë. Shpresojmë se nuk do te zgjasë shumë reflektimi i faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen e këtij problemi.
