Institucionet shtetërore janë të qytetarëve – jo të partive
Tash dy ditë nxënësit e dhjetëra shkollave të Prishtinës nuk vijojnë mësimin. Pala që ka marrë këtë vendim – zyrtarët komunalë të Prishtinës këtë problem e quajnë çështje të sigurisë së shëndetit të nxënësve; ndërsa MASHT-i, bashkë me disa subjekte politike e quajnë problem të krijuar artificialisht nga ana e kreut komunal të Prishtinës për të fituar pikë politike. Lëvizja për Bashkim konsideron se në mungesë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore është krijuar një konfuzion i madh ndër qytetarë. Çështja e diferencave dhe rivalitetit midis partive duhet të shprehen në forumet e parapara për këtë, e kurrsesi që kjo të reflektohet në funksionimin e institucioneve shtetërore. Institucionet shtetërore në një shtet funksional duhet të jenë në një vijë lidhur me çështjen e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit. Këto institucione nuk janë partiake. Ftojmë MASHT-in dhe zyrtarët komunalë të Prishtinës të mblidhen urgjentisht në një ekip të përbashkët dhe të arrijnë përfundime të përbashkëta, në mënyrë që të marrë fund loja me qytetarë. Për këtë arsye, komuna dhe MASHT-i duhet sa më parë të tregojnë se me cilët parametra punon Kosova sa i përket përdorimit të naftës për ngrohje. Duhet ta ndërtojnë një ekip të përbashkët, i cili do të dërgonte mostrat për analiza në një laborator të besueshëm dhe të krahasohen me standardin që aplikon Kosova. Pas kësaj, ky ekip do të dilte me qëndrim në emër MASHT-it dhe të të Komunës së Prishtinës. Në të kundërtën, mungesa e gatishmërisë për ta bërë këtë dëshmon qartë se institucionet shtetërore po përdoren si instrumente partiake, ndërsa ata që vuajnë janë qytetarët. Gjithashtu, Lëvizja për Bashkim konsideron se fajtorët për humbjen e orëve të mësimit, pasi të konstatohet gjendja reale, nuk do të duhej të shpëtonin nga dhënia e përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar. Prishtinë, 10.2.2014 Lëvizja për Bashkim