Ibra – cadabra i magjishëm
Paris Saint Germain i dha një sinjal të rëndësishëm rivalëve europianë teksa shkatërroi 5-0 Anderlechtin me pokerin e Ibrahimovic dhe golin e Cavanit. Bomberi suedez tregoi edhe një herë se po i kthehen në ves goditjet me takë me golin e parë personal të ndeshjes, ndërsa pak minuta më vonë dyfishoi me një goditje që gati gati dogji rrjetën e kampionëve të Belgjikës. Fitore kirurgjikale për Manchester United që kaloi 1-0 Real Sociedad me autogolin e Martinez në pjesën e parë.
Një sukses aspak i lehtë për djemtë e Moyes që e vunë disa herë në dyshim rezultatin në një sfidë që mund të konsiderohet edhe si përballja e rasteve të humbura.
Nuk zhgënjejnë as kampionët e Europës me një fitore të thjeshtë 5-0 ndaj Viktoria Plzen.
Për bavarezët shkëlqeu Franck Ribery me një dygolësh, ndërsa Gotze, Alaba e Schweisteiger plotësuan koloritin në “Allianz Arena”.
E mërkura mund të konsiderohet edhe si mbremja e skuadrave gjermane pasi Bayer Leverkusen arriti një fitore historike 4-0 ndaj Shakhtar Donets me një dygolësh të Stefan Kiessling.
Një tjetër fitore mes dyshimeve kjo për aspirinat të cilët thelluan në pjesën e dytë 2-0 falë një 11-metërshi të dyshimtë që u kthye në gol nga Simon Rolfes.