Në intervistën me portalin “Zhurnal”, kryetari i Bashkimit Demokratik Shqiptar, Bardhyl Mahmuti shprehet plot skepticizëm për versionin e dhënë nga ministria e brendshme e Maqedonisë për ngjarjen e 12 majit në Radushë. Mahmuti e quan këtë ngjarje, ku humbën jetën katër shqiptarë – tre nga Maqedonia e një nga Kosova – si një skenar i kurdisur nga policia maqedonase. Ai po ashtu nuk pajtohet me cilësimet që i bëhen Harun Aliut nga autoritetet maqedonase për trafikantë armësh. Mahmuti thotë se Aliu i është njohur opinionit shqiptar krejt ndryshe, si një veprimtar i çështjes kombëtare.Intervista:

 Zhurnal: Ju akuzuat Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë për ekzekutimin e katër shqiptarëve. Në çka e mbështesni akuzën tuaj?

 Mahmuti: Nëse analizojmë me vëmendje kronologjinë e kësaj tragjedie do të konstatojmë numrin e madh të paradokseve që e shoqëruan këtë Skenar. Fillimisht, përmes agjenturave të tyre në mjetet e informimit lansuan informatën “për një incident gjatë pengimit të një grupi kontrabandistësh”. Nuk jepeshin të dhëna se çka kontrabandonin kontrabandistët!

 Lajmi i dytë që u lëshua në qarkullim filloi të spekulonte “për një të vrarë, disa të plagosur dhe disa të arrestuar”. Lajmi i tretë spekulonte me numra jetësh në pritje të qëndrimit zyrtar!

 Në pasditen e vonshme, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë doli me qëndrim se “ incidenti në rajonin e fshatit Radushë ishte si rezultat i tentim për tregti ilegale të armatimit në drejtim të Maqedonisë”. Kjo deklaratë u shoqërua me pamjet DEJA VU: armatime të llojeve të ndryshme. Furgoni i bërë shoshë nga breshëria e plumbave ishte risi i ke¨tij spektakli tragjik. Mirëpo, ky furgon do të jep dëshminë e parë se në te nuk ka mundur të ketë, siç pretendonte kjo ministri, “gjashtë thasë me TNT, tre thasë me granata , bomba dore, mina këmbësorie dhe municion të llojeve të tjera të armëve”.

As në lojnat e luftërave virtuale në kompjuter nuk mund të shtihet aq shumë dhe të vrahen vetëm njerëzit që janë brenda furgonit, pa eksploduar krejt ky eksploziv.

E ritheksoj se vetëm një shkëndijë e vogël do të provokonte një eksplodim, detonimin e të cilit do ta kishte dëgjuar e tërë Maqedonia.

Zhurnal: Pse u hesht emri i Harun Aliut në paraqitjen e parë zyrtare? A thua nuk e njihnin?

Mahmuti: Element tjetër i këtij konstruksioni policor lidhet me publikimin e emrave të tre shqiptarëve që nuk njiheshin në opinionin publik. (Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala) dhe fshehja e emrit të Harun Aliut, të këtij personaliteti publik.

Kjo ka pasur për funksion që të shpërndahet dezinformata për gjoja “trafikim armësh”. Dhe fatkeqësisht kjo dezinformatë u shpërnda edhe nga mjetet e informimit publik në gjuhën shqipe. Mbi bazë të kësaj dezinformate u sollën qëndrime të disa institucioneve me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare që janë prezente në Shkup. Sikur të ishte bërë publik emri i Harun Aliut dezinformata për “trafikim armësh” nuk do të kishte pirë ujë.

Të gjithë e dinë se Harun Aliu ka qenë një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare shqiptare dhe asnjë herë nuk është marrë me “trafiqe”. As të armëve e as të tenderëve!

Zhurnal: Çka ka ndodhur realisht sipas jush?

Mahmuti:Vetëm ata që e kanë kurdisur këtë skenar antishqiptar mund ta dinë saktësisht se si, kur dhe ku janë ekzekutuar këta veprimtarët.

Një ekspertizë e pavarur, me ekspert ndërkombëtarë do të kishte mundur të ndriçonte rastin. Fatkeqësisht, ata që kanë bërë krimin kanë në duar aktualisht edhe fuqinë të fshehin gjurmët e krimit. Populli thotë një shprehje të bukur: Dielli me shoshë nuk zihet. E vërteta do të del në dritë!

Populli e din fare mirë se ata nuk kanë qenë as kriminel e as trafikant. Pa marrë parasysh se kush mund t’i stigmatizojë si të tillë. Ata do të mbesin në kujtesën e popullit si veprimtarë të Çështjes kombëtare. Ndërsa kriminelët e vërtetë që mbjellin zi ndër shqiptarë do ta gjejnë vendin e vet! / Zhurnal /