Nga Bardhyl Mahmuti–Siç u përmend në shkrimet kushtuar përkufizimit të gjenocidit, që të kualifikohet si gjenocid, akti kriminal duhet të jetë kryer me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Në rastet kur do të kishim të bënim me shkatërrimin e tërësishëm të njërit nga grupet e lartpërmendura, debati për kualifikimin e krimit si gjenocid do të mbyllej shpejtë. Ndërsa, kur kemi të bëjmë me shkatërrimin e pjesshëm të një grupi të caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, mospajtimet janë të mëdha, për arsye se në këtë përkufizim nuk përcaktohet asnjë numër dhe asnjë përqindje në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid.

Kur kemi të bëjmë me vrasjet e anëtarëve të grupeve që përcaktohen në definicionin e gjenocidit, e që përbën vetëm njërin nga aktet e gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Neni II, paragrafi (a)], në studimin e publikuar si dokument zyrtar i Kombeve të Bashkuara lidhur me çështjen e parandalimit dhe të dënimit të krimit të gjenocidit theksohet: 
“përkundër asaj që qëllimi i konventës është parandalimi dhe ndëshkimi i akteve të gjenocidit të drejtuara kundër një numri të madh personash, asgjë nuk e ndalon që këto dispozita të interpretohen dhe të aplikohen në rastin e vrasjeve individuale. Edhe në rastet kur rezultati është vrasja e një personi të vetëm, fakti se qëllimi i kriminelit është drejtuar kundër jetës së më shumë se një anëtari të grupit nuk paraqet asnjë pengesë që dispozitat e Konventës të aplikohen edhe në këtë rast (United Nations, Economic and Social Council, Nicodème Ruhashyankiko, Study of the question of the prevention and punishment of the crime of gjenocide, f.15).

Megjithatë, një numër i konsiderueshëm juristësh mendojnë se për ta cilësuar krimin si gjenocid, atëherë, një numër më i madh personash duhet të jenë goditur nga ky veprim. “Disa flasin për qindra persona të vrarë e të tjerë për mijëra viktima, si kusht që të kualifikohet krimi si gjenocid”. (Thomas Benages, La Convention pour la prévention et la répression du crime de génocide à l’épreuve du tribunal pénal international pour l’ex-Yougoslavie, f.143).

Fatkeqësisht kur bëhet fjalë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në diskursin publik bëhet një ndërlidhje ndërmjet termit “zhdukje” dhe gjenocidit. Kjo qasje është shumë e gabueshme, sepse lë të nënkuptohet se gjoja gjenocidi nuk është kryer në Kosovë, meqenëse nuk na paskan “zhdukur”! Dhe në përputhje me këtë logjikë, jo rrallë përdoret edhe shprehja “tentim për gjenocid”, që ngërthen në vete, në një masë të konsiderueshme, shfajësimin e Serbisë, për gjenocidin e kryer.

Kur kemi të bëjmë me përmasat e vrasjeve në kuadër të krimit të gjenocidit, një gabim i madh bëhet kur krahasohet numri i të vrarëve në Kosovë me numrin e të vrarëve në gjenocidin nazist kundër hebrenjve apo atij të Hutuve kundër grupit etnik Tuci në Ruandë.

Përmasat e vrasjeve të hebrenjve dhe të Tucive paraqesin raste ekstreme të gjenocidit dhe nuk mund të merren si kritere për ta kualifikuar një krim si krim të gjenocidit.

Manipulimi me statistika, ku njerëzit shtohen dhe zbriten në operacione matematike me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm” është neveritëse.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i banalizojë gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi, manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të këtij gjenocidit.

Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nuk duhet “të zhduket” një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar apo të ketë miliona të vrarë për ta cilësuar krimin si gjenocid. Duhet të dëshmohet qëllimi se aktet e dhunës janë në funksion të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të mbrojtura me konventën e lartpërmendur.

Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mbi 10.000 civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.

Kur t’i marrim parasysh të gjitha kriteret e përkufizimit të gjenocidit dhe kur numrit të shqiptarëve të vrarë ia shtojmë numrin e të plagosurve, të zhdukurve, të dhunuarave seksualisht, të dëbuarve me dhunë gjatë politikës së spastrimit etnik dhe aktet tjera që cilësohen si akte të gjenocidit, atëherë, do të dalin në dritë përmasat jashtëzakonisht të mëdha të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.