FYROM dhe jo “Maqedoni” në Këshillin e Evropës
Këshilli i Evropës i ka bërë të qartë autoriteteve të Shkupit se kryesimi i saj gjatë periudhës gjashtëmujore do të jetë me siglën “Kryesimi i FYROM” dhe jo “Kryesimi Maqedonas”, ashtu siç u propagandua dje nga mediat qeveritare në Shkup.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland sot i`a ka bërë me dije ministrit të jashtëm Milloshoski se vetëm si FYROM mund të kryesohet me KE-në, ndërsa Shkupi zyrtar ka të drejtën që vetëm në politikën e saj të brendshme ta përdor emërtimin “kryesimi maqedonas”. Kreu i lartë i këtij institucioni evropian është kërcënuar se do të largojë Maqedoninë nga kryesimi, në rast se nuk përmbush kushtet e përcaktuara. Shkupi zyrtar në faqen zyrtare të KE-së njihet vetëm si FYROM, ndërsa gjatë seancave ku do të jetë i pranishëm ministri i jashtëm Antonio Milloshoski të figurojë vetëm emri dhe mbiemri i tij, dhe jo FYROM apo Republika e Maqedonisë. Kjo situatë ka ardhur pas kushtëzimeve dhe kërkesës greke që Maqedonia të njihet vetëm si FYROM.