Ambasadori evropian në Maqedoni, Ervan Fuere tërhoqi vërejtjen se rruga drejt BE-së shkon vetëm se nëpërmjet Greqisë.

Sipas tij, me rëndësi të veçantë është që të dyja palët të zgjidhin problemin, sepse mënyrë tjetër nuk ka për ti hapur rrugën Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Ambasadori Fuere këto komente i bëri në debatin e organizuar sot me temën “Maqedonia dhe BE”, organizuar nga Instituti për Shoqëri të hapur.

“Ne vazhdimisht përsërisim se nuk ka opsion tjetër, nuk ka rrugë tjera të shkurtëra. Institucionet evropiane dhe vendet anëtare vazhdimisht bëjnë me dije që Qeveria të ndërmarrë përgjegjësi dhe hapa inkurajues për zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi Fuere, duke paralajmëruar se nuk do të ketë përmirësim të parametrave ekonomik, derisa ardhmëria evropiane e Maqedonisë mbetet e paqartë.

Pjesëmarrësit në këtë debat kanë theksuar se Shkupi dhe Athina janë larg arritjes së kompromisit për zgjidhjen e kontestit të emrit. Sipas tyre, palët kanë qëndrimet diametralisht të kundërta rreth përdorimit të emrit dhe definimit të gjuhës dhe identitetit. (INA)