Fshehja pas ndërkombëtarëve
Bekim MURATI
Faktori ndërkombëtarë nuk mund të jetë përgjegjës për zhvillimet politike në Maqedoni pasi që proceset politike duhet të prihen nga partitë politike, të cilat janë zgjedhur nga vet populli. Duke komentuar deklaratën e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, se ndërkombëtarët kanë një pjesë të fajit për krizën në Maqedoni, analistët theksojnë se diplomatët e huaj nuk mund të jenë fajtor kujdestarë në momente kur vetë partitë politike nuk mund t’i çojnë proceset përpara. “Faktori ndërkombëtar nuk është faktor vendimtar në politikën e një shteti. Është e vërtetë se faktori ndërkombëtarë ka qenë shumë tolerant ndaj politikës së Gruevskit , por nuk mund të konstatohet se është fajtori për ngecjen e proceseve. Fajtori kryesor është vet kryeministri Nikolla Gruevski dhe vetë partitë politike shqiptare. Këtë politikë që e bën Gruevski e ndihmojnë partitë shqiptare dhe faji nuk duhet të kërkohet nga faktori ndërkombëtarë. Shumë shpejt faktori ndërkombëtarë do ta izolojë Gruevskin dhe do ta lërë në ishullin e vetmisë dhe atëherë partitë shqiptare do të duhet t’i artikulojnë qëndrimet e tyre se çfarë dëshirojnë në këtë shtet”, tha analisti politik Alajdin Demiri.
Sipas tij, fundi i politikës së Gruevskit do të jetë fatal për Maqedoninë por edhe për vet kryeministrin. “Tipi i politikanëve të tillë fundin e kanë shumë të rëndë sepse gatuajnë kulaçin në të cilin vendosin helmin të cilin vet do të duhet ta gëlltisin. Politika e Gruevskit është një nacionalizëm ekstrem i maqedonasve, nacionalizëm ky i cili nuk ka kapacitet dhe kapital që të mbijetojë. Ky nacionalizëm shprehet në mënyrë shumë të egër kundër shqiptarëve, grekëve, bullgarëve. Hapja e gjithë këtyre fronteve është e pamundur edhe për fuqi të mëdha botërore e lëre më për Maqedoninë”, tha Demiri.
Ai vlerësoi se shumë shpejt tek maqedonasit do të hapet tema e antikëve dhe sllavëve dhe se këtu është fundi i politikës së Gruevskit. “Kthjellimi i pjesës maqedonase do të vijë dhe do të shihen të gjitha errësirat që i ofron kjo politikë e Gruevskit ndryshimet do të jenë të domosdoshme sepse një popull nuk mund të jetojë me ëndrra, me urrejtje, pa vizion dhe nuk mund të ushqehet me patriotizëm”, tha analisti Demiri. Publicisti Mahi Nesimi është i mendimit se fajtor kryesor për situatën e krijuar është vetë Nikolla Gruevski dhe politika e tij nacionaliste.
“Mendoj se faktori ndërkombëtarë po bën gjithçka që është e mundur që punët të shkojnë ashtu siç është e nevojshme. Ata nuk mund të bëhen faktor, i cili do të na disiplinojë në çdo pikëpamje. Përgjegjësinë për të ecur proceset përpara e mbajnë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli dhe institucionet, të cilat duhet të jenë lokomotiva e proceseve”, deklaroi Nesimi.
Ndryshe, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ua tërhoqi vërejtjen ndërkombëtarëve se duke përkëdhelur, siç u shpreh arrogancën e qeverisë së Maqedonisë, është bërë pjesë e krizës dhe jo e zgjedhjes së saj. Thaçi tha se shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë më të vështirë se tani dhe sipas tij fajtor kryesor për këtë është politike inferiore e BDI-së.
Fajtorë janë partitë shqiptare
“Faktori ndërkombëtar nuk është faktor vendimtar në politikën e një shteti. Është e vërtetë se faktori ndërkombëtarë ka qenë shumë tolerant ndaj politikës së Gruevskit , por nuk mund të konstatohet se është fajtori për ngecjen e proceseve. Fajtori kryesor është vet kryeministri Nikolla Gruevski dhe vetë partitë politike shqiptare”, tha analisti politik Alajdin Demiri