Zhvillimi kryesor sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos do të jetë fjalimi i dyshes Merkel-Macron. Gjithashtu pritet dhe mbërritja e Donald Trump. Fjalimi i presidentit amerikan do të mbahet të enjten.

Fjalimi, që do të mbahet sot nga kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jetë ndër zhvillimet kryesore të ditës së dytë të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit. Gjatë ditës së sotme do të mbërrijë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Fjalimi i dyshes franko-gjermane pritet të përqëndrohet në prezantimin e reformave kyçe për Bashkimin Europian, por do të flasin edhe për politikën e tyre të brendshme. Gjithashtu siguria ekonomike dhe stabiliteti rajonal pritet të jenë pjesë e konferencës së tyre që pritet të mbahet pasditen e sotme. Ndërsa Macron do të flasë me siguri të plotë për projektin e tij reformues për BE-në, Merkel do të limitohet shumë në fjalimin e saj për shkak të pasigurisë në formimin e qeverisë së re gjermane.

Ndërkohë, duke nënvizuar rritjen e Macron në skenën botërore, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do ta presë kreun e shtetit të Francës në prill në vizitën e parë shtetërore ndaj presidencës së Trump. Por mediat ndërkombëtare komentojnë njoftimin e këtij institucioni dhe shkruajnë se i është dhënë më shumë madhështi sesa i ishte dhënë kryeministres britanike Theresa May. Mes shumë zhvillimeve, gjatë vizitës do të jetë dhe një darkë e organizuar nga Trump dhe gruaja e tij Melania. Kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe Macron kanë ndërtuar një mardhënie të drejtë dhe të përzemërt gjatë vitit të kaluar, ku vlen të theksohet dorështrengimi I tyre që zgjati më tepër nga sa konsiderohet normale.

Shpërndaje artikullin në: