FH: Maqedonia e fundit për nga Liria e Medias

Raporti i ri për Lirinë e Medias i Freedom House e radhit Maqedoninë në vendin e fundit në rajonin e Evropës Juglindore,

Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit bëjnë pjesë në kategorinë e shteteve me liri të pjesshme të medias. 

Shqipëria në raportin e fundit ka marrë notë më negative sesa Kosova. Maqedonia vlerësohet si e fundit me rënie të thellë sa i përket lirisë së medias.

Për nga notimi, Shqipëria ka marrë notën 51, Kosova 49, Bosnjë e Hercegovina me notën 48, Mali i Zi e Serbia të dy këto shtete kanë marrë notën 35 dhe e fundit Maqedonia me notën 54.

Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara, Serbia së bashku me Malin e Zi hyjnë në vendin e 75-të, Kroacia në të 83-tin, Bosnjë e Hercegovina në të 95-in, Kosova në vendin e 97, Shqipëria në vendin e 107 si dhe Maqedonia e fundit në atë të 115-in.

Sipas Freedom House,  Maqedonia thuhet se ka shënuar ulje të madhe, sikurse edhe Ukraina, ndërsa përmirësime pozitive janë regjistruar në Kosovë, Malin e Zi dhe Gjeorgji.

Për Kosovën është përmendur si përmirësim rënia e trendit të sulmeve ndaj gazetarëve si dhe transparenca më e madhe e pronësisë së mediave.

Freedom House, vendet që i vlerëson nga 0 – 30 i sheh si vende me shtyp të lirë, ato që marrin nota nga 31 – 60 klasifikohen në kategorinë e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë, kurse në kategorinë e notimit nga 61 – 100 hyjnë vendet me shtyp jo të lirë.

Në raportin e ri të grupit pro-demokracisë me seli në SHBA, Freedom House, thuhet se vetëm një në gjashtë njerëz në botë gëzon lirinë e shtypit – përqindja më e ulët në më shumë se një dekadë.

Raporti vjetor ka vlerësuar nivelin e lirisë së mediave të shkruara, atyre elektronike dhe në internet në 197 vende, duke u bazuar në faktorët ligjorë, politikë dhe ekonomikë.

Raporti gjeti se  përqindja e njerëzve në botë, që jetojnë në një mjedis të lirë të shtypit ka rënë pak, në 14.5 për qind, që shënon nivelin më të ulët që nga viti 1996, kur grupi nisi të mbledh të dhënat në lidhje me këtë çështje.