Erdogan sonte po viziton Prizrenin
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili arriti për vizitë zyrtare në Kosovë, në orët e mbrëmjes ka arritur për vizitë në qytetin e Prizrenit, ku i është bërë një pritje madhështore nga mijëra qytetarë të kësaj komune. Në këtë vizitë në Prizren, kryeministrin turk po e shoqëron edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
* * * * * *
Turqia, një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, është shprehur e gatshme që të marrë ndonjë detyrë në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, gjatë një vizite në Prishtinë, tha se vendi i tij mund të luajë rol pozitiv në këto bisedime, meqë ka raporte të mira me të dyja palët.
“Në momentin që të na vijë ftesa, ne jemi gati. Mos kini asnjë shqetësim, asnjë hezitim për këtë, pasi ne duam që këtu të krijohet një ambient paqësor, pasi çdo gjë e mirë ndodhet te paqja”.
“Këtu ka qytetarë me origjinë serbe dhe ne mendojmë se Kosova do ta sfidojë edhe këtë çështje të vështirë. Ne kemi zhvilluar raporte me Beogradin dhe e dimë se edhe zyrtarët atje presin nga ne”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi.
Një detyrë e tillë është mirëpritur nga kosovarët. Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, pasi nënvizoi angazhimin kosovar për bashkëpunim me fqinjët, e në këtë mes edhe me Serbinë, tha se Turqia mund të luajë rol të rëndësishëm.
“Unë dua të besoj se po shoh një vullnet më të mirë dhe më pozitiv edhe në Beograd, në mënyrë që të ndërtohen këto relacione ndërshtetërore dhe dy vendet tona, edhe Kosova, edhe Serbia, si vende të pavarura të jenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.
“Unë dua të besoj se edhe roli i kryeministrit Erdogan dhe ai i shtetit turk janë të rëndësishme edhe në relacionet Prishtinë-Beograd, por edhe në përgjithësi për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal. Ky rol nga ana ime është i mirëpritur”, tha Thaçi.
Kosovarët presin nga Turqia që të luajë rol pozitiv si anëtare e Konferencës së Vendeve Islamike në rritjen e njohjeve të Kosovës, të paktën nga shtetet e kësaj konference.
Kryeministri turk nuk dha detaje, por tha se sinjale për njohje ka edhe nga ky organizëm.
“Unë kam bindjen se pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të vazhdojë të rritet numri i njohjeve dhe dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të japë kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim”.
“Një shtysë kësaj do t’i japin edhe zgjedhjet e 12 dhjetorit që do të mbahen këtu”, tha Erdogan, i cili vizitoi Kosovën vetëm një ditë pas shpërndarjes së Kuvendit – hap ky që pasoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë.
Kryeministri turk do të qëndrojë në Kosovë dy ditë. Ai ditën e sotme e mbyll në Prizren, ku, ndër të tjera, do takohet me qytetarë, ndërsa kuvendi komunal do ta shpallë qytetar nderi të Prizrenit.
Në Prizren është më e përqendruar popullsia turke, ndërkohë që në këtë komunë gjuhë zyrtare është edhe turqishtja.
* * * * * *
Konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan
Fjala e kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:
I nderuar kryeministër i Turqisë, z.Erdogan,
Ju dëshiroj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, popullit të saj, mirëseardhje në republikën e Kosovës, në vendin tuaj mik, një mirëseardhje vëllazërore në Republikën e Kosovës, pasi që jeni edhe kryeministri i parë i Turqisë që vizitoni Kosovën, dhe në të njëjtën kohë jeni edhe njeriu i parë që keni marrë vendimin në emër të një shteti botëror për të njohur Republikën e Kosovës.
Ky është një falënderim në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, falënderim i gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, faleminderit për vendimin tuaj!
Ne sot po ndërtojmë Kosovën demokratike, multietnike, atdhe të ët gjithë qytetarëve të saj, Kosovën tolerante, të bashkëpunimit ndërfqinjësor me gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, dhe në të ardhmen e afërt edhe me Serbinë si dy shtete të pavarura.
Për mua dhe popullin e Kosovës, sot është një ditë e veçantë, sepse të mirëpresim në Kosovën e pavarur, mikun, mbështetësin e fuqishëm të këtij realiteti të Kosovës, por edhe të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Prandaj, roli juaj personal dhe i Turqisë do të jetë i mirëpritur gjithmonë në këto angazhime.
Ka qenë dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi në mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë, bashkëpunime këto shumë të rëndësishme ndërshtetërore, kulturore e fetare, lidhje këto që do të forcohen sot, por edhe në të ardhmen.
I nderuari Kryeministër,
Më lejoni të shpreh falënderimin tim për prezencën e gjithë ushtarëve të Turqisë në kuadër të KFOR-it. Dëshiroj të të falënderoj për prezencën e njerëzve, ekspertëve, profesionistëve të Turqisë në kuadër të EULEX-it e gjithashtu të misioneve tjera ndërkombëtare në republikën e Kosovës, për bashkëpunimin shumë të ngushtë në nivel akademik, do me thënë në shkëmbimin e studentëve gjithashtu.
Ne në Akademinë Policore të Turqisë kemi nëntë kadetë nga Kosova, për çka ju falënderoj për gatishmërinë që keni treguar për t’i pranuar, si dhe dëshiroj t’ju falënderoj shumë për mbështetjen e plotë në aktivitetet në Kosovë të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar – TIKA.
Gjithashtu, me kënaqësinë më të madhe e konfirmoj se pikërisht ky bashkëpunim yni, mes Kosovës dhe Turqisë, mbështetje edhe juaja personale, e bashkëpunëtorëve tuaj dhe krijimi i kushteve e mundësive, si dhe hapësirave kreative për biznesin, ka bërë që nga Turqia të kemi investitorë të fuqishëm në Republikën e Kosovës, të cilët disa janë edhe prezentë sot në Kosovë, e ka interes për të ardhur edhe në të ardhmen. Prandaj, dëshiroj sot të theksoj se janë shumë të mirëpritur edhe në ardhmen, siç janë prezentë në implementimin e projekteve madhështore në republikën e Kosovës, pra në ndërtimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të Merdares, gjithashtu në procesin e koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në procesin e energjetikës, të procesit të privatizimit të Telekomit të shumë e shumë sferave tjera të rëndësishme për investime në Kosovë.
I nderuari Kryeministër, z.Erdogan,
Kosova është shtet i ri, por shtet i mundësive të mëdha dhe gjithë investitorët kanë qenë, janë dhe do të mbesin të mirëpritur.
Faleminderit për mbështetjen dhe vizitën tuaj!
Fjala e kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan:
Shpreh kënaqësinë që si kryeministër i parë i Turqisë po e vizitoj Kosovën e pavarur dhe demokratike.
Jam këtu pas dy vjetëve të pavarësisë dhe kam zhvilluar takimin kokë më kokë me kryeministrin dhe në mes të dy delegacioneve të vendeve tona. Me këtë rast kemi diskutuar dimensionet politike, ekonomike, ato të sigurisë, historike dhe kulturore, si dhe shfrytëzuam rastin që të gjitha këto dimensione ti vlerësojmë në planin bilateral.
Shpallja e pavarësisë ka koinciduar me takimin e Këshillit tonë të ministrave dhe ne e pranuam këtë si fakt që duhet ta mbështesim dhe ta përkrahim këtë akt të institucioneve tuaja legjitime.
Kam bindjen se pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, do të hapet një proces i ri dhe do të ndikojë një drejtim të ri të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.
Unë mendoj se kemi zhvillime te reja te të dyja palët, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd.
Turqia është e gatshme që të marrë detyrat në proceset e ardhshme me dëshirë të marrim detyrat që kanë të bëjnë me stabilitetin e rajonit dhe Ballkanit.
Sa i përket bashkëpunimit në mes të dy vendeve, ne kemi ofruar mbështetjen tonë dhe jemi të vetëdijshme për detyrën që kemi për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit dhe anëtarësimit të saj në NATO.
Prania e kontingjentit ushtarak turk në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, ka për mision përveç sigurimit të paqes në Kosovë, edhe trajnimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Turqia ka pranuar një numër të rinjsh kosovarë që të shkollohen dhe trajnohen në akademitë policore të Turqisë, dhe jemi të bindur që ata një ditë do të jenë një gurë i rëndësishëm i ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Marrëdhëniet ekonomike në periudhën 2008-2009, pavarësisht krizës globale, këmbimi tregtar midis dy vendeve tona ka shënuar rritje, nga 120 milion dollar arriti në 210 milion dollar.
Duhet ët përmendim edhe investimet e firmave të Turqisë në kuadër të konzorciumeve, siç është ai i Bechtel& Enka në ndërtimin e korridoreve rrugore të rëndësishme për rajonin, dhe konzorciumi LIMAK, që ka marr përsipër administrimi n dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës.
Kemi edhe hapa që kanë hedhur sipërmarrësit turq në sektorin e energjisë për ndërtimin e centraleve termike për prodhimin e energjisë elektrike dhe besoj se suksesi i tyre në këtë fushë do të kontribuojë në përmirësimin e prodhimtarisë së energjisë elektrike në Kosovë.
Kosova ka edhe një mundësi të sigurimit të të ardhurave edhe në fushën e turizmit. Kosova ka shumë bukuri të rralla dhe trashëgon një mori monumentesh kulturore dhe historike.
Ne, përmes Agjencionit Turk për Rindërtim dhe Zhvillim – TIKA, jemi të interesuar që të bëjmë rikonstruimin e një varg objektesh kulturore dhe historike që do ta bëjnë këtë vend edhe më atraktiv dhe pikë graviteti për sa i përket aktiviteteve kulturore.
Përvoja jonë e zhvillimit të turizmit tregon se investimi në infrastrukturën turistike tregon se mund të shfrytëzojë dhe të rrisë për shumëfish të hyrat nga turizmi.
Ne vazhdojmë të mbështesim bashkëpunimin vëllazëror edhe në këtë fushë në mes të dy vendeve.
Unë dhe vëllai im Thaçi, në bisedat që kemi zhvilluar edhe në Ankara, por edhe në takimin e sotëm, jemi zotuar që të vazhdojmë këtë unitet në bashkëpunimin midis vendeve tona dhe që Kosova të ketë një të ardhme më të fuqishme dhe më të begatë.
Në emrin tim dhe të qeverisë së vendit tim ju falënderojë shumë për mikpritjen tuaj!
Konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan (bs/rel)