ramaKryeministri i zgjedhur, Edi Rama, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ka paralajmëruar dënim penal maksimal për ata që marrin ryshfete për sigurim të vendit të punës. Sipas Ramës, në asnjë institucion nuk do të ketë më bashkëshortë dhe kushërinj të parë që marrin rrogën e së njëjtës bordero. “Unë e di se ju të gjithë ashtu sikurse unë jeni në presionin e njerëzve në kërkim të një pune, apo të një mbështetje të munguar shumë gjatë. Duhet ti gjejmë punëve të vendit njerëzit e duhur, jo miqve dhe kushërinjve t’ju gjejmë punë për vete në dëm të punëve të vendit dhe njerëzve të këtij vendi, në asnjë institucion nuk mund të ketë më bashkëshortë dhe kushërinj të parë që marrin rrogën në të njëjtën bordero. Ndërsa, kush guxon të marrë para për të shitur vende pune, ne duhet te kërkojmë dënimin penal maksimal”, u shpreh Rama.

Porositë ndaj deputetëve të ardhshëm

Kryesocialisti Rama, porositi deputetët e ardhshëm që të respektojnë mandatin që populli ia besoi me votë popullore të ngjashme me atë të vitit 1992, si dhe theksoi përkushtimin që duhet të kenë ligjvënësit socialistë për të mos pasur asnjë ngjashmëri me kolegët demokrat, duke shtuar se ky është urdhër që nuk duhet të diskutohet, por të zbatohet. “Ky është një moment vërtet i posaçëm për të gjithë ne. Është moment solemn për këtë grup kuvendor që sot mblidhet para se të zbresë në fushën e betejës parlamentare si trupë e mandatuar fuqimisht nga populli për të ndalur rrënimin dhe për të rilindur Shqipërinë. Të jemi krenar, por shumë të përulur përpara vendimeve qeverisëse. Të mos harrojmë kush na e dha besimin dhe mos të ngatërrojmë detyrën me pushtetin, detyra është e jona, pushteti i zgjedhësve, i të gjithëve jo vetëm i atyre që na votuan. Të gjithë u përpoqëm për të fituar mandatin që pas një beteje të gjatë na u besua me votë popullore të ngjashme me atë të vitit 1992, tani e pas duhet të përpiqemi për të merituar këtë mandat. Jemi bashkë për t’i bërë krenar zgjedhësit tanë për ne dhe për të fisnikëruar me sjelljen tonë politikën. Secili lypset për të merituar mandatin qeveritar pa harruar asnjë plagë të popullit. Mos bëni si ata. Ky është urdhër që nuk diskutohet, por zbatohet me përpikmëri. Ne deputetet e rinj duhet të përpiqemi për të merituar me përkushtim të përditshëm nderin e madh që na bënë shqiptarët”, u shpreh Rama. Në mbledhjen e fundit të grupit të PS, kryeministri i ardhshëm, Rama, njoftoi se sinteza e programit qeverisës është gati dhe është në fazë redaktimit përpara se ti paraqitet Kuvendit, teksa shtoi se ‘libri’ i gabimeve të paraardhësve demokratë nuk duhen përsëritur. Duke iu referuar aleatit të tij më të madh, kryeministri i ardhshëm tha se PS dhe LSI do jenë dy grupe kuvendore, por që do të funksionojnë në harmoni të plotë. “Të humburit na kanë lënë një libër të trashë gabimesh dhe marrëzisht. Nuk duhet të humbin për të mos rënë në batakun që ata ranë deri në mbledhjen e fundit të tyre. Ministrat kanë nisur përgatitjet. Edhe sinteza e programit qeverisës i Aleancës për Shqipërinë Evropiane po redaktohet gjerësisht për t’u paraqitur në Kuvend. Në Kuvend PS dhe LSI do jenë dy grupe, por që do punojnë në harmoni të plotë”, theksoi Rama.

Shteti i qytetarëve dhe jo i partisë në pushtet

Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, Edi Rama siguroi se punësimi i qytetarëve ashtu dhe i administratës do të bëhet sipas kulturës së meritokracisë. Sipas Ramës, deputetët e shumicës së re, duhet të përpiqen me të gjithë forcën e zemrës dhe të mendjes për ta merituar, nderin e ligjvënies së qeverisjes. “Për çdo votë më shumë që numëruam, çdo përqindje më shumë që morëm, çdo vend më shumë që fituam, unë nuk ndiej më shumë gëzim për fitoren, po më shumë përgjegjësi për qeverisjen”, tha Rama.

Kreu i PS fton qytetarët për t’u bërë pjesë e administratës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në cilësinë e kryeministrit, fton qytetarët të bëhen pjesë e administratës publike si dhe kërkon angazhimin e secilit qytetar për t’u bërë pjesë e Rilindjes. Sipas Ramës, strukturat e vjetra do të zhbëhen dhe një sërë të rejash do të ngrihen, për të çuar përpara projektet e programet, prioritare të qeverisë. Po kështu, Rama thotë se prurja e energjive të reja dhe amësitë njerëzore të harmonizuara me eksperiencën e gjithkujt do të shërbejnë si pikënisje për të çuar vendin përpara. “Në Kryeministri, po edhe në çdo ministri e agjenci shtetërore, ne do të kemi nevojë për prurje të reja energjish dhe aftësish njerëzore të harmonizuara me eksperiencën e gjithkujt që në zyrat e shtetit gjendet sot për arsye të meritës, e jo thjesht për shkak të lidhjeve të gjakut, teserës apo korrupsionit”, tha Rama. Sipas tij, kjo nismë e re mundëson nisjen e krijimit të një baze të dhënash për burimet njerëzore të këtij vendi.

Rama: Mos iu përmbani ‘librit’ të Berishës

Kryesocialisti Rama, pas rikonfirmimit të Gramoz Ruçit në krye të grupit kuvendor socialist, kujtoi ‘librin’ e trashë të marrëzisë, që po lënë pas të humburit, në mënyrë qe të mos bien në të njëjtin batak. Sipas Ramës, ‘libri’ i gabimeve të kundërshtarëve të tyre, përmban kapituj dhune psikologjike ndaj administratës dhe çdokujt që ata gjetën në punë kur filluan qeverisjen. “Në librin e trashë të marrëzive dhe të gabimeve të pushtetit të kundërshtarëve tanë, nxin kapitulli i dhunës psikologjike ndaj administratës. Nxijnë krimet e flakjes pa asnjë motiv nga puna të mijëra profesionistëve e specialistëve, po edhe punonjësve më të thjeshtë të shërbimeve, që u zëvendësuan me të tjerë të cilët rëndom, nuk plotësonin asnjë kriter tjetër veç verbërisë politike. Nxijnë faqet e maskaradës së një korrupsioni që u katandis në degradimin e fundëm të shitblerjes së vendeve të punës”, u shpreh Rama. Joana Tafa

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/edi-rama-paralajm%C3%ABron-ministrat-dhe-deputet%C3%ABt-n%C3%AB-burg-kush-merr-ryshfet-p%C3%ABr-vende-pune#sthash.axiazZaP.dpuf