Për herë të parë në Shqipëri është miratuar një paketë ligjore, e cila do të ndalojë përfundimisht çdo pasuri, që është vënë përmes veprimeve kriminale, apo korruptive.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se ligji përfshin të gjithë ata persona që janë pjesë e grupeve kriminale, apo gjyqtarë e prokurorë që janë të bindur se nuk do të mund të kalojnë vettingun dhe marrin vendime qartazi në kundërshtim me ligjin.

Subjekt të Anti-KÇK, tha ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj janë të gjithë ata që i kanë transferuar pasuritë tek palë të treta.

Ajo paralajmëroi se këto transaksione do të anulohen, dhe do të konsiderohen të pavlefshme.

Të gjithë ata që kanë menduar t’i shpëtojnë ligjit tha ministrja, do të japin llogari “një më një dhe të justifikojnë çdo qindarkë”.

Ministrja e Drejtësisë tha se me paketën “Anti-KÇK” ndryshon ligji anti-mafie, ligji i Policisë së Shtetit, administrimi i pasurive të sekuestruara, Kodi Penal si dhe statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministrja Gjonaj tha se Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Gjykatës Kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, do t’i sigurohen të gjitha mjetet e nevojshme për të luftuar krimin e organizuar.

Akti thelbësor i paketës “Anti-KÇK” të miratuar sot nga qeveria shqiptare është akt normativ i cili hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata dhe grupe të strukturuara kriminale në çdo grup tjetër kriminal apo terrorist apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda.

“Pjesë e paketës “Anti-KÇK” që shënjestron pasurinë janë dhe të gjithë ata që ndonëse të akuzuar për kryerjen e krimeve të rënda apo përfshirje në krim të organizuar ose terrorizëm për shkak të sistemit të kalbur dhe të korruptuar të drejtësisë nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë.

Të gjithë këta individë, qofshin të dënuar apo të akuzuar do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike në posedim të tyre apo të familjarëve të tyre burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i pajustifikuar. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar ligjshmërinë e kësaj pasurie”, tha Gjonaj në konferencën për shtyp të mbajtur nga Kryeministria.