Edhe njëherë për vëllavrasësit (anonimë) të vetë-identifikuar
Kiço Blushi-Herën e kaluar mora shkas të hulumtoj për një vëllavrasës konkret, – i cili tash ndodhet në burg, me siguri i penduar – që çoi në botën tjetër vëllanë për “dy rrënjë domate”…Ky fatzi e lumëzi që u bë kriminel nga gjaknxehtësia apo qoftë edhe nga babëzia e nakatosur me padituri, më shërbeu për të dëshmuar se sa kobsjellëse është vëllavrasja që kryhet ndër ne, herë me armë, por më së shumti me fjalë e me vepra dëmsjellëse jo vetëm për vete, por edhe për shoqërinë; herë instiktivisht, po më së shumti me vetëdije; herë hapur, por më dendur në errësirë, në anonimitet, në tufë e në turmë, d.m.th, në pusi e pas gardhi, si e kemi pasur për adet jetemot! >>>
Ndoshta e kam gabim, por gjithnjë e më tepër më ngjan se kjo është një ukube e vjetër, e trashëguar që gjallon, gjakon e gëlon edhe sot e kësaj dite mes nesh. Nuk mund të mohohet që llapaqenëria politike sot mëkon dhe mban gjallë luftën e klasave, në vend që të shuhej në demokraci, si patëm shpresuar. Lufta e klasave ka marrë përmasa të reja, ndoshta edhe më të frikshme, për shkak të keqpërdorimit që u bëjnë krerët partiakë “intelektualëve” tanë sa të shquar, aq edhe të panjohur…Kështu, vëllavrasja me llapaqenëri çuditërisht sot ka marrë një lulëzim të paparë, jo vetëm në sajë të pluralizmit, tranzicionit të paanë e të pafund, teknologjisë televizive dhe internetit, shitblerjeve, por veçanërisht falë abuzimit tonë instiktiv me atë lloj lirie që dreqi e di përse paska aq shumë qejf të vrasë lirinë e tjetrit për hiçmosgjë: për dy rrënjë domate, për militantizëm, për një qejfmbetje, për partitokraci, d.m.th, “për inat të sime vjehrre”…
Liria për të shpifur e për të sharë cilindo që nuk është “me ne”, është gracka ku demokracia është kapur si laraska! Për këtë arsye vëllavrasësit mediatikë bëhen kollaj VIP-at tanë, edhe pse abetaren e urrejtjes së ndërsjellë nuk e heqin nga dora e nga goja! Kësisoj, armiku i kryetarit të partisë “time” detyrimisht do të quhet hasëm, edhe kur ky i fundit bën mirë, edhe pse është një vëlla shqiptar, edhe pse kur nuk të ka bërë keq, edhe pse nuk e njeh, edhe kur ndikon në të mirën tënde e të shoqërisë…
***
Në ndryshim nga vëllavrasësi dibran, të cilin sinqerisht e quaj fatkob, shumica tjetër e vëllavrasësve tanë të djeshëm e të sotëm të shpresës, në vend të armës, të thikës, të drurit apo të gurit pas koke kundër “armikut të kllasës”, kundër hasmit të partisë, e sidomos kundër Udhëheqësit legjendar e të pagabueshëm, janë “oralë”, janë mediatikë, propagandistikë, partiakë të paskrupullt, folklorikë të majekrahit, janë tekefundit ca hyrjabyrja e ca bjeritibiem të kohës moderne dhe të shoqërisë medemek demokratike!…Për këtë arsye ia vlen, besoj, të hulumtojmë mbi këtë xhins, në genin e këtij sojsorrollopi, pasi këta tipa tash janë bërë të kudondodhshëm, për më tepër edhe të keqpërdorur nga krerët partiakë si gjyle dhe si mish për top.
Këta “mediatikë” zakonisht preferojnë të gjuajnë në errësirë për të provuar që janë militantë fanatikë, nj’ashjtu si vepruan më 14 shtator…Sa herë ka kriza, çmimi dhe vlera e tyre rritet! Si armë shfarosëse këta vëllavrasës trushkulur përdorin fjalën, spiunllëkun, shpifjen, akuzën, mallkimin, përbaltjen, nëmosjen, nxirosjen…Përherë ama, pasi hedhin gurin, fshehin dorën. Janë ata që dje ishin enveristë të thekur, sot antienveristë të tërbuar; ata që dje këndonin “Enver Hoxha tungjatjeta”, sot thurin himne e lavde socrealiste për Sali Bollëkun; këta janë të gatshëm të hedhin baltë edhe mbi Skënderbeun, ngaqë pandehin se kësisoj idhulli i tyre do të ngrihet lart e më lart. Por nesër, kur të mos jetë Udhëheqësi, ata me siguri do të bëhen njësoj anti, ashtu si enveristët brenda natës, pasi u rrëzua monumenti, u transformuan në antienveristë! Sepse nuk kanë bindje të mëvetshme, nuk kanë shtyllë kurrizore, nuk kanë emër, nuk kanë dinjitet; ata ushqehen me kashtën e me bykun e propagandës së ditës të partisë, njëlloj si buajt e kuajt e karrocës…Asnjë diktator nuk do të mbinte dot në këtë tokë pa ndihmën e dhe pa shaluar mbi kurrizin e këtyre vëllavrasësve të shpresës e të prosperitetit kombëtar!
Njëlloj si fuksat që përdorte dje Sigurimi dhe më pas SHIK-u për të spiunuar vëllai vëllanë, gruaja burrin, fqinji fqinjin, të tillët edhe sot kërkojnë të mbeten anonimë, në hije; kurrë nuk e tregojnë fytyrën, as emrin, as origjinën, as identitetin, pasi nuk i kanë, por dhe pse kanë frikë t’i kenë këto virtyte, ngaqë kanë lindur e do të vdesin si skllevër “të lirë”…Prandaj futen e fshihen nëpër gjirize, nëpër mitingje, në turmë, duke u transformuar në numra, në kamikazë, në altoparlantë, në pseudonime…Të tjerë “lundrojnë” me shpifsharje të ndyra nëpër faqet e internetit…Madje ka nga ata që dalin e broçkullijnë me zë nëpër televizione, por gjithsesi duke mbetur përherë ca palo anonimë “të lumtur”, ca mjeranë shpifnjakë e shtinjakë, të cilët, sipas traditës, pasi e vrasin “armikun” pas shpine me telefon e me mikrofon, përherë ikin në drejtim të paditur…
Janë këta që besojnë se kësisoj do të imponojnë “sondazhet” dhe opinionet e rrema; këta justifikojnë vjedhjen e votave, këta u japin oksigjen autokratëve të dehur me vetveten; madje me këta mercenarë kryhen operacionet e manipulimit e të “lumturisë”…Me urlat e me duartrokitjet e tyre pa tru e pa bindje krijohet përshtypja e shumicave fiktive, e asaj “elite intelektuale” që është “me ne”…Në fund të fundit këta u japin të drejtë diktatorëve të flasin dhe më pas të ekzekutojnë kundërshtarët e tyre “në emër të popullit”! I keni parë kronikat e gjyqeve të “armiqve të popullit” pas çlirimit kur salla thërriste në korr e me histeri: “Me varje, me varje!”? Janë të njëjtët! Janë të njëjtët, besomëni! Vetëm se gjuha ndryshon. Në vend të kërkesës së “popullit” për varje në litar, sot përdoret përjashtimi, diskreditimi mediatik, shpallja armik i përbetuar, njollosja publike, mbetja pa punë, skualifikimi dhe denatyrimi …
E pra, a mund të gjendet sot një person që të jetë pa njolla e pa përbaltje në fytyrë, pa përjashtuar këtu edhe heroin kombëtar, Skënderbeun? Hyni në internet, në BallkanWeb, shihni autorët që guxojnë të shkruajnë kundër partisë në pushtet (kupto: kundër Berishës) që të zbuloni se çfarë sojsëzësh anonimë janë këta faqezinj, këta vëllavrasës pa din e pa iman që pranojnë të vetidentifikohen si të tillë, qoftë edhe duke e fshehur emrin e fytyrën në anonimitet!
“Me varje, me varje!” E ç’ndryshim ka kjo thirrje kriminale e pasluftës, nga ato që llapaqenërojnë nëpër internet e nëpër TëVëra këta kameleonë”të lirë e demokratë”?Këta e mbajnë peng shoqërinë sikurse dhe moralin e dyshimtë e të parestauruar të saj!
***
Ndërsa ata që janë futur nëpër lista, ata që kryetari i ka emëruar deputetë, drejtorë apo ministra, ata që janë bërë me prona e grada të patrashëguara e të pamerituara, janë të detyruar të dalin e të mësyjnë hapur nëpër podiume, nëpër ekrane dhe debate që të kryejnë, me zë e me figurë, me peticione e me fjalime, me tekste të shkruara e të pashkruara, me emrin dhe me fytyrën e tyre, aktin publik të vëllavrasjes së ndërsjellë të besimit te kjo shoqëri….Kjo është një kategori sociale e trashëguar dhe e stimuluar që përdoret rëndom nga krerët e sotëm partiakë, ndaj meriton vëmendje e një studim të posaçëm jo vetëm nga sociologët e munguar e akademikët e emëruar, pasi kjo mbetje njerëzore e agjitpropagandës së djeshme, në të vërtetë ka shërbyer e po shërben si lëndë eksplozive e cila, njëlloj si dje, në diktaturë, edhe sot po hedh në erë e po shkatërron shpresën tonë për një të ardhme europiane, më të mirë e më demokratike…Janë këta që nuk e lënë Shqipërinë të bëhet një vend normal.
E pra, këta vëllavrasës mediatikë janë ku e ku më dëmsjellës se dibrani i gjorë që vrau vëllanë për dy rrënjë domate, prandaj nuk do të ishte keq po të kërkonim rrënjët genetike të vëllavrasësve tanë partiako-mediatikë.
Parimi numër një i tyre në çdo kohë e në çdo sistem mesa duket është: Nëna e së vërtetës përherë do të jetë gënjeshtra publike, kur kjo e fundit i leverdis interesit të kryetarit.
Asnjë mashtrim, gënjeshtër apo shpifje, kur këtë e kërkon kryetari, nuk është as e keqe dhe as e dëmshme, përkundrazi!
Kryetari ka përherë të drejtë, ashtu si kundërshtari i tij përherë e ka gabim… As mos e vrit mendjen të kuptosh se ç’thotë kryetari, po duartrokit e ngazëlleu, edhe kur nuk i kupton, nuk i beson apo nuk i ke dëgjuar fjalët dhe premtimet e tij…
Ai që kryen më shumë dhe më mirë vëllavrasje publike nëpër media kundër “armiqve”, ai që di të gjuajë pas shpine dhe të ndërtojë pusira e pabesira politike, ka për të përfituar më shumë poste, prona, lavdi dhe ofiqe! Kjo është shkolla e vërtetë publike!
Kush nuk hidhet në zjarr e nuk mbron kryetarin, ka për të mbetur me gisht në gojë!
Kush nuk shpif nuk quhet besnik; kush e quan veten intelektual duhet të futet patjetër në çadrën e një kryetari të fuqishëm, përndryshe ka për të mbetur qyqar, më i mjerë dhe më i harruar se këta anonimë që kryejnë përditë vëllavrasje morale nëpër mikrofona, në internete e në mitingje.
Kjo pra është fytyra e vërtetë e krizës tonë morale! Sepse pushtetin e kanë dhe po e mbajnë vëllavrasësit e sotëm dhe, mesa duket, edhe të së nesërmes të afërm! Vetëm kur të identifikojmë vëllavrasësit, vetëm kur të distancohemi dhe të izolojmë këta dëmsjellës, atëherë Shqipëria ka për të hyrë në rrugën e mbarë të demokracisë! (BW)
Shefqet DIBRANI: XHENXHEFILAT E DEMOKRACISË
Kryetari i LDK-së dr. Fatmir Sejdiu, nëse është i vetëdijshëm se partia e tij ka pësuar humbje katastrofale në zgjedhjet për pushtetin lokal, që u mbajtën në vitin e sivjetmë, duhet të jep dorëheqje të parevokueshme nga kreu i LDK-së, bashkë me ¾ e kryesisë qendrore që edhe ata duhet të largohen sa më parë nga kryesia e LDK-së. Këtë akt moral duhet ta bëjnë nëse me të vërtetë nuk kanë qëllim ta shkatërrojnë përfundimisht
LDK-në e cila si parti ka dhënë shumë për Kosovën, dhe tani është para kolapsit të vërtetë nga krizat e mëdha në fushën e reformimit të brendshëm dhe të organizimit që po e përcjellin LDK-në që prej sa vitesh.>>>
Po ashtu duhet të japin dorëheqje të gjithë kryetarët e Degëve të LDK-së anë e kënd Kosovës ku LDK-ja i ka humbur zgjedhjet, kurse Degët që kanë mbetur në balotazh duhet të reformohen rrënjësisht. Këtë veprim duhet ta bëjnë të gjithë Degët dhe Nëndegët e LDK-së pa asnjë hezitim, dhe sidomos ata politikan që në fjalorin e tyre po përmendin vazhdimisht demokracinë Evropiane duhet të ndjekin shembullin e Laburistve Britanik.
Shembulli i Laburistve Britanik dhe veçmas ai i Kryetarit të Partisë Laburiste ish kryeministri Gordon Braun duhet të shërbej leksion për kreun e LDK-së, sidomos për kryetarin e partisë dr. Fatmir Sejdiun, i cili për fat
të keq e ka “ngrirë” postin e tij në kryesinë e LDK-së, duke i shkaktuar kësaj partie humbje katastrofale që u panë haptas në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën sivje ku LDK-ja doli humbësja më e madhe.
Një konflikt i paparë moral, politik e juridik po ndodh në Kosovë, në këtë vazhdë LDK nuk duhet t’u gëzohet zhvillimeve politike në LDD, as “korrupsionit në qeveri?!”, as bastisjeve që po i bënë policia e EULEX-it,
për ti mbuluar veprimet antidemokratike, antistatutore që po ndodhin prej sa
vitesh brenda kësaj partie.
Për LDK-në, gangrenë e shndërruar në sëmundje kanceroze që i ngulfat veprimet demokratike, janë postet e dyfishta dhe funksionet e pesëfishta që po i mbajnë një klan i ngushtë i cili është i instaluar në kreun LDK-së. Ngulfatja e vazhdueshme që po i bëhet mendimit demokratik në LDK rrënjët i ka te ky klan, i cili ka arritur të largon e të izolon nga partia një numër të madh intelektualësh të cilët tashmë janë në margjinat e veprimit politik, dhe sikur është krijuar bindja se në LDK ka deficite dhe mungesa të theksuara të intelektualëve dhe të njerëzve që mund të kryejnë njërin nga funksionet e dyfishta që po i mbajnë disa nga anëtarët e kryesisë qendrore dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Demokracia në Kosovë, që mbanë vulën e LDK-së, ka dhjetë vjet që vuan nga
kjo ngulfatje e cila po i vjen pikërisht nga njerëzit e vet. Tash
“demokracia” ngjan tamam me një “salep me xhenxhefil”, prandaj nocioni për
demokracinë që e kanë kultivuar disa nga anëtarët e kryesisë qendrore të
LDK-së, sidomos pas vdekjes së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, nuk
ka asgjë të përbashkët me demokracinë, ajo mund të ketë vetëm aromë të një
xhenxhefili që i duhet salepit.
Shtrohet pyetja se kush do të pijë sot “salepin” që e prodhojnë njerëzit e
harxhuar moralisht e politikisht, të cilët janë kalbur e mykur pikërisht
duke përsëritur retorikën për demokraci, për një reformim të partisë, për
teste demokratike e broçkulla gjithfarëshe. Por që kanë humbur zgjedhjet e
sivjetme për pushtetin lokal nuk mund t’i mbulojnë sikur të merrnin me
tonelata gjethe xhenxhefili, këtë bimë barishtore e cila e rregullon
salepin, sepse salepin me emrin “demokraci”, që po e prodhojnë si produkt
vendor, është një retorikë që se ha më pazari dhe nuk e rregullon as
retorika demokratike për të cilën mbllaçitin disa “demokrat”. Thjesht
nocioni demokraci që del nga njerëzit e harxhuar moralisht e politikisht nuk
ka të bëjë me strategjinë politike të LDK-së të cilën e ka kultivuar për
vitet të tëra ish kryetari historik i Kosovës dhe i LDK-së dr. Ibrahim
Rugova.
Mbititulli “XHENXHEFILAT E DEMOKRACISË”, do ti shoqëron disa nga opinionet e
mia përkitazi me stagnimet në LDK, për disa nga faktorët që ndikuan në këto
ngërçe demokratike, për disa nga lëvizjet e lëkundjet brenda dhe rreth
LDK-së, e shumë opinione të tjera me rëndësi për të tashmen dhe të ardhmen e
kësaj partie.
Sigurisht, nuk do të harrojmë pa ua përmendur emrat dhe mbiemrat shumë
bartësve të funksioneve, qofshin ato funksione partiake apo shtetërore.
Me një fjalë LDK-ja duhet të reformohet dhe të del nga kjo letargji që e ka
pllakosur partinë e cila po bllokon edhe shumë procese të tjera për Kosovën
në përgjithësi.
Zvicër, 15 maj 2010.
*Autori, është anëtarë i LDK-së që nga viti 1989, për vite të tëra ishte
anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër dhe i Nëndegës në Kantonin ku
ai jeton. Po ashtu Sh. Dibrani ishte delegat në dy Kuvendet e LDK –së në
Prishtinë të mbajtura në vitet 1994 dhe 1998, autor i dhjetë librave të
publikuar dhe analist politik. Sh. Dibrani në kohët më të vështira që
kalonte LDK-ja ka qenë zëri më autentik i saj.